E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mirë, e më mirë

Shfaqja e Teatrit prishtinas Dodona, “Këngëtarja tullace”, e autorit Ionesco, dhe ajo e Teatrit Kombëtar të Kosovës, “Vrasja e Mushkonjës”, u paraqitën në ditën e tretë të Festivalit Teatror në Ferizaj. Kjo ditë duket se shënoi një kthesë pozitive në festival.

Regjisori i shfaqjes,”Këngëtarja Tullace”, Diar Xani, bashkë me kastën e aktorëve, u vlerësua pozitivisht për platformën e tij regjisoriale të plastifikuar, të interpretuar dhe të ideuar brenda një pamfleti grotesk. Ambienti, ulëset, dhoma, dhe jeta e çifteve ishte “qëndisur” me gazeta ditore, të cilat jetësonin një monotoni e rutinë ditore, që do të prodhojë një mosnjohje. Shfaqja u soll në formë feste, gjegjësisht, gazi rinor, siç e cilësoi profesori dhe kritiku i artit, Josif Papagjoni. U veçua edhe për aktrimin e mirë të Armend Ismajlit e Gani Rrahmanit, por edhe të pjesës tjetër aktoriale, Xhejlane Tërbunja, Albulena Kryeziu, Florentina Ademi, Semira Latifi.

Në pjesën e dytë, të ditës së tretë të festivalit, u paraqit Teatri Kombëtar i Kosovës, me shfaqjen “Vrasja e Mushkonjës”, të autorit Xhevdet Bajri, në regji të Donard Hasanit, dhe interpretim të Ismet Azemi. Ly i fundit, barti në thesin e tij jetësor të bëmat e peshës së një rrjedhe familjare e politike, në kuptimin e një proteste brenda një maske njeriu.

Ndryshe, “Vrasja e mushkonjës” përshkon natyrën rebeluese të një personazhi mi(s)tik, të cilit rrjedha e të menduarit intelektual i bëhet sëmundje psikike, derisa një mushkonjë s’i futet në intimitetin e shtratit të tij filozofik e familjar, dhe e lejon të bëjë gjumë rehat me gruan e tij. Ai provon ta sfidoj këtë izolim fizik e psikik me një maskë të plastifikuar, në formë lëkure politikanësh; por, arma e vetme për sfidimin e këtij kanceromani i mbetet një kuti cigaresh, brenda së cilës gjen “siguri” (kutia vjen si metaforë e një mërzie të përgjithshme intelektuale).

Ndërthurja e politikës bashkëkohore, në raport me heronjtë e së keqes historike (si Hitleri e Stalini), shtrohet si një notë verbale ndaj instrumenteve që këta (të kohës) i përdorin për të asgjësuar trurin e kështjellës poetike e intelektuale. Në imazhin e këtij intelektuali - të luajtur tejet dramatikisht - Ismet Azemi reflekton një dëshpërim të madh në formë vreri, ndaj asaj që po e jetojmë. Ai di të drejtojë gishtin nga SHIK’u, EULEX’i, OKB’ja, forcat e bashkuara politike...

Ndryshe, të bëmat e tij del të jenë murmurimë fjalësh dhe një breshëri sarkastike, që lëndon të lënduarin, por jo edhe atë që lëndon. Ky poet roku, mbetet një vragë filozofike e rrjedhës së një mendësie familjare (gruaja e tij), dhe shoqërore (populli i tij). Fundja, është kjo mendësi ajo që i zhbiron muret intelektuale nga jashtë, me idenë e mbetjes brenda, sepse nga brenda do të kontrollohej më lehtë secila pore e popullatës.

Gjithsesi, artikulimi i grupeve muzikore që kanë bërë histori në suazat globale muzikore, si The Doors apo The Animals, por edhe racionalizimi i dramës sonë nga autori shqiptar, Xhevdet Bajraj, i cili nga Meksikoja largët mediton për zukamën e vendlindjes së tij, konceptohet si njëlloj sinteze e protestës Haveliane. Nga ana tjetër, nga kjo shfaqje buron edhe një mendim i kulluar për nevojën e ‘një gjelbërimi’ të jetës sonë kombëtare. Një ide kjo e vendosur brenda shisheve të vodkës, dhe e mbyllur me kryq katedraleje.

Aktrimi i Ismet Azemit u cilësua përtej dramës. Papagjoni e cilësoi atë si aktor të një kalibri mbarëkombëtar, i cili, nga pikëpamja interpretuese, tejkalon çdo përmasë.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›