E Diel, 1 Nëntor 2026

Arma apo libri

Dy sheshet që po ndërtohen në qendër të Prishtinës janë në prag të përfundimit, ndërsa ende nuk dihet se si do të duken monumentet e Ibrahim Rugovës dhe Zahir Pajazitit. Për shtatoren e heroit ka mendime se do t’i hiqet arma nga duart e në vend të saj do t’i vihet libri. Skulptori Ismet Jonuzi thotë se shtatorja ndërlidhet me veprimtarinë e atij të cilit i dedikohet. Sipas tij, as arma e as libri nuk janë garanci e cilësisë së një monumenti.

Skulptorët kosovarë kanë mundësi ta tregojnë vetën gjatë ditëve në vijim. Dy sheshet që po ndërtohen në qendër të Prishtinës do të kenë edhe përmendoret e dy njerëzve, emrat e të cilëve i mbajnë sheshet. Në sheshin ‘Ibrahim Rugova’ do të vendoset busti i ish Presidentit të Kosovës, ndërsa për sheshin ‘Zahir Pajaziti’ ende nuk dihet a do ta ketë shtatoren aktuale apo do të vendoset një shtatore e re.

Asdren Osaj, zëdhënës në Komunën e Prishtinës, tregoi për Express se Komuna është duke përgatitur kushtet e konkursit për bustin e Ibrahim Rugovës. Ai tha se ende nuk është vendosur se çfarë forme do të ketë konkursi, a do të jetë kombëtar apo ndërkombëtar.

Ndërkaq, lidhur me shtatoren e Zahir Pajazitit, Osaj tregoi se Komuna e ka zhvendosur atë nga vendi ku ka qenë derisa të ndërtohet sheshi.

“Shtatorja është duke u ruajtur në objektin e ri të komunës”, tha Osaj.

Muaj më parë ka qarkulluar ideja që shtatores së Zahir Pajazitit t’i hiqet arma nga duart dhe në vend të saj t’i vendoset një libër. Osaj tha se nuk ka pasur asnjë iniciativë nga Komuna për ndryshimin e bustit të heroit Zahir Pajaziti. Ai tha se një gjë e tillë mund të bëhet nëse e kërkojnë shoqatat e dala nga lufta apo familjarët e heroit. “Nëse këtë e kërkojnë shoqatat e dala nga lufta apo familjarët e heroit komuna është e gatshme që të financojë punimin e një busti të ri për heroin kombëtar”, tha Osaj.

Ndryshe nga Osaj, lidhur me këtë ide u shpreh Luljeta Çeku-Sokoli, ish-drejtoreshë e Urbanizmit në Komunën e Prishtinës. Ajo tha se është një ide që të paraqitet një skulpturë pak më bashkëkohore.

“Tash ta shohim si do ta konceptojnë skulptorët”, u shpreh Çeku-Sokoli. Ajo shtoi se do të mbetet shtatorja aktuale e heroit Zahir Pajaziti nëse nuk paraqitet në konkurs ndonjë punim më i mirë.

"Në qoftë se nuk do të kemi rezultat më të mirë me siguri se ndoshta do të mbetet ajo aktuale si variant, por unë shpresoj që do të ketë punime të mira, të cilat do të paraqiten në bocete”, tha Çeku-Sokoli, duke shtuar se secili skulptor është i lirë që ta shprehë profesionalizmin në aspektin artistik.

Skulptori Ismet Jonuzi thotë se shtatorja apo busti i një personaliteti ndërlidhet me veprimtarinë e atij.

“Një luftëtar nëse portretizohet dominon shprehja heroike dhe s’do të kishte aspak kuptim të identifikohet me diçka tjetër që nuk ndërlidhet me veprimtarinë e atij dëshmori, heroi apo veprimtari, të cilit i dedikohet ai monument. Nuk do të kishte kuptim aspak nëse Migjenit apo Naimit t’i vihet një kobure apo armë gjë që do të dilte qesharake dhe e pakuptimtë apo Adem Jasharit, që me heroizmin e tij është shndërruar në një legjendë, që përmes armës simbolizon rezistencën e heroit dhe jo libri apo gazeta apo diç tjetër”, tha Jonuzi për Express.

Por, sipas tij, ndërhyrjet e porositësit jo rrallë tek ne janë evidente, gjë që ndikon në fizionominë dhe qasjen artistike të skulptorit.

Për Jonuzin s’ka shumë rëndësi çfarë mban në duar sa ka rëndësi shprehja dhe qasja skulpturale dhe liria e shprehjes se skulptorit, që ai të gjejë një zgjedhje që do të simbolizonte personalitetin që i dedikohet monumenti.

Sipas tij, libri apo arma as nuk ia ulin vlerën veprës as nuk ia shtojnë. Ai tha se ka shumë elemente tjera që kanë rëndësinë e një vlere të një monumenti sesa ajo çfarë mban në dorë.

“Nëse veprimtaria e Zahir Pajazitit ka të bëjë më shumë me librin se me pushkën pse të mos bëhet me libër, por libri nuk është garanci e vlerës se një monumenti e as pushka. Por qasja mbi të cilën ndërtohet një monument”, tha Jonuzi.

Shumica e shtatoreve që janë bërë pas luftës kanë një qasje socrealiste. Për Jonuzin është shumë normale që një monument i bërë nga artistët që janë shkolluar në sistemin monist dhe kanë vepruar në kohën e socrealizmit të posedojë elemente socrealiste, gjë që, sipas tij, duket shumë qartë. Ai shtoi se në shkollën socrealiste skulptorëve nuk u është lejuar të hyjnë në psikologjinë e personalitetit që skalitet por thjesht janë bazuar në tri parime që, sipas tij, janë proporcionaliteti, monumentaliteti dhe heroizmi socrealist.

“Mendoj se këto elemente i posedon ky monument dhe diku nja 50 përqind e monumenteve të pasluftës.Nuk mund të kërkosh një skulpturë ndryshe nga skulptorët që tërë jetën kanë vepruar në atë frymë që edhe është një shkollë e fortë ruse me saktësi dhe monumetalitet për kohën që është vepruar”, tha ai.

Sipas Jonuzit, nëse duam një monument modern duhet të kërkojmë skulpturë moderne nga skulptorë modern.

“Nëse duam një monument real duhet të kërkojmë skulptorë realist, nëse duam monument simbolik duhet të kërkojmë skulptorë që merren me simbolizmin. Nëse duam skulpturë tradicionale duhet të kërkojmë skulptorë që kanë shprehje tradicionale. D.m.th. varet shumë nga kërkesat çfarë duam për të ditur çfarë dhe si të bëjmë”, tha ai.

Ndërsa kur flitet për bustin e ish Presidentit Ibrahim Rugova, Jonuzi tha se ai ka qenë një politikan i moderuar dhe meriton një monument modern, pse jo edhe postmodern.

“Ka shumë monumente në botë të liderëve që nuk kanë asgjë në duar as armë dhe as libër dhe kjo nuk i pengon askujt por është me rëndësi në besimin që i besohet një skulptori për të realizuar një vepër monumentale”, tha Jonuzi.

Ai shtoi se do të ishte mirë që konkursi të jetë ndërkombëtar si dhe juria të jetë ndërkombëtare dhe pa ndikim lokal. Sipas tij, konkurset janë relative dhe jo rrallë janë orkestruar paraprakisht dhe kjo zbeh seriozitetin e artistëve.

Një gjë tjetër që e shqetëson Jonuzin është fakti se shumë shpejt po vendoset për një monument. Ai tha se monumenti nuk hiqet aq shpesh dhe nuk vihet shpesh, ndoshta njëherë në 50 apo 100 vjet.

“Monumenti ‘Qytetarët nga Kalea’ i Rodenit ka zgjatur me vite. Një figurë është punuar diku rreth 4 vjet dhe janë 6 figura që simbolizojnë stoicizmin dhe rezistencën. Çdo figurë ka një rrëfim në vete, një histori në vete. Pse mos të merret seriozisht edhe tek ne një formë e tillë e ngritjes se një monumenti. Tek atëherë do të shihet rezultati i një vepre të vërtetë artistike. Kam përshtypjen se gjithë po na ngutet kur është rasti i ngritjes se një monumenti”, tha Jonuzi. Ai shtoi se është skeptik nëse do të merrte pjesë në ndonjërin prej konkurseve.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›