E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Mirëqeverisja, sundimi i ligjit dhe antikorrupsioni, Komisioni i posaçëm paraqet dokumentin analitik

TIRANË, 17 janar/ATSH-Maela Marini/ Komisioni i Posaçëm Parlamentar “Për thellimin e reformave për mirëqeverisjen, sundimin e ligjit dhe antikorrupsionin për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Evropian” u mblodh sot për të paraqitur draft-dokumentin analitik nga grupet e ekspertëve të Nivelit të Lartë dhe Sekretariatet Teknike për 3 shtyllat kryesore që kanë të bëjnë me mirëqeverisjen, sundimin e ligjit dhe antikorrupsionin.

Në fillim të mbledhjes kryetari i komisionit Fatmir Xhafaj u shpreh se tashmë është përmbyllur faza e punës së ekspertëve dhe hapet faza e shqyrtimit në komisionin parlamentar.

“Ky është i pari dokument i këtij niveli që mban autorësinë e ekspertizës shqiptare. Ne nuk kemi pasur më parë një dokument të plotë analitik të këtyre tre fushave. Së dyti ky është një tregues tjetër i rëndësishëm i kapaciteteve që vendi ka për reforma të tilla kaq komplekse. Tregues i qartë që ne kemi krijuar kapacitete që mund të zhvillojnë reforma të tilla, tregojnë edhe rritjen e institucioneve, por mbi të gjitha pjekurinë e ekspertizës sonë, botës akademike e shoqërisë civile të përfshirë në këtë proces”, u shpreh Xhafaj.

Dokumenti thuajse final është rezultat i një pune gjithëpërfshirëse dhe bashkëpunimi të ngushtë mes grupit të ekspertëve, ku pjesa që adreson fenomenin shqetësues të korrupsionit ka qenë ndër më sfidueset.

Sipas ekspertëve, ky fenomen kërkon masa që modifikohen dhe përshtaten në vijimësi për të qenë efektive për të trajtuar këtë sfidë.

Komponenti i dytë i dokumentit analitik fokusohet te korrupsioni politik i ndeshur në nivelet e zyrtarëve të lartë që manifestohet si në elementët e integritetit të tyre ashtu edhe në veprimtarinë legjislative apo vendimmarrje të rëndësishme.

Ekspertët e grupit të punës vlerësojnë se fryma që shoqëron gjithë dokumentin ka qenë gjetja e mekanizmave për adresimin e masave parandaluese të këtij fenomeni.

Po ashtu, janë adresuar sfidat e ndeshura nga administrata publike, sfidat me të cilat përballen tregjet e rregulluara, sektori privat në tërësi si dhe sektorët apo funksionet shtetërore që mbartin ekspozim më të lartë ndaj korrupsionit.

Po ashtu, fokusi i këtij dokumenti ka qenë analiza mbi funksionimin dhe eficiencën e institucioneve me kompetenca në parandalimin e korrupsionit dhe mirëmenaxhimin e fondeve publike.

Komponenti i katërt i dokumentit analitik synon adresimin e shqetësimeve që paraqet fenomeni i pastrimit të parave dhe ndërhyrjet keqdashëse të vendeve të treta në ekonomi, veçanërisht në infrastrukturën kritike.

Ndërsa komponenti i fundit përqendrohet në evidentimin e sfidave me të cilat ndeshet procesi i raportimit dhe sinjalizimit të rasteve të korrupsionit si dhe ndërgjegjësimi i qytetarëve dhe aktorëve të shoqërisë civile, si dhe garancitë mbrojtëse për të përdorur instrumentet e njohura ligjërisht për të parandaluar dhe ndëshkuar korrupsionin.

Dokumenti është pasuruar edhe me komente e sugjerime nga tryezat e diskutimit publik, ndërkohë që kontribut ka dhënë edhe konsulenca ndërkombëtare e njohur për ekspertizën në fushën e antikorrupsionit.

Gjithashtu ekspertë shqiptarë nga diaspora kanë ofruar praktikat më të mira të ndjekura duke kontribuar në diversifikimin e perspektivave të dokumentit. Rëndësi të veçantë në hartimin e këtij dokumenti ka pasur edhe mbështetja nga USAID dhe dhe UNDP që ofrojnë ekspertizën europiane dhe amerikane në këtë proces.

Ekspertët e grupit të punës vlerësuan se të gjitha kontributet kanë sjellë një dimension të ri të gjithanshëm të dokumentit analitik duke e bërë një burim të vlefshëm për adresimin e sfidave të korrupsionit në një qasje të qëndrueshme.

Në mbledhjen e sotme u caktuan po ashtu relatorët për shqyrtimin e dokumentit në komisionin e posaçëm parlamentar. Relatorë do të jenë Milva Ekonomi, Etilda Gjonaj dhe Toni Gogu.

Komisioni i Posaçëm Parlamentar, foto: Florian Abazaj 1 nga 3

/j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›