Mirësevini në vitin 2006!

Gjersa për Serbinë perëndimi e lindja bëjnë gara se kush do ti ofrojë asaj më shumë, Kosovën e mbajnë nën tiraninë e konsensusit të tyre që ka formën e EULEX-it, KFOR-it, UNMIK-ut, PSBE-së, etj.
Nga Albin Kurti
Një gjë nuk mund të mos ndryshojë duke mos
ndryshuar. Është e domosdoshme që nganjëherë të ndërrohet diçka në mënyrë që
gjithçka të mbetet njësoj. Kalimi i kohës pamundëson që një gjë të jetë
saktësisht vetvetja në një tjetër moment. Maskat ndryshken. Koha është e
pamëshirshme. Por, zëvendësimi i maskave sadopak i kontribuon demaskimit. Kjo
është dobia e vetme e këtij riformatizimi afirmativ. Gjesti i ndryshimit që
synon mosndryshimin (në të tashmen) deponohet te potencialiteti i përmbysjes
(në të ardhmen).
Forma është rrënja e fjalës riformatizim. Paradoksalisht, ndryshimi me
riformatizim nuk ishte ndryshim formal. Ishte ndryshim në formë porse jo
formal. Duke qenë se vendimet për çështjet thelbësore politike dhe ekonomike u
servohen ministrave për ti miratuar, ajo çfarë bën qeveria edhe ashtu vetëm
formë është. Riformatizimi paraqet ndryshim përmbajtësor në formë.
Me këtë riformatizim ndërroi jeta e atyre që u bënë ministra dhe mbase e atyre
që nuk janë më të tillë. Jeta e dy milionë banorëve të tjerë të Kosovës mbetet
po ajo që ishte para riformatizimit. Ky ndërrim nuk do të mund të vërehet pa e
ndezur televizorin. Vetëm në ekranin televiziv do të hetohen ca fytyra të reja
që i kemi parë edhe më herët dhe nuk do të vërehen ca fytyra të tjera që me
mungesën e tyre vështirë se do ta trazojnë ndokënd. Disa do të shihen shumë më
rrallë, disa të tjerë më shpesh. Po ndërron ca ajo që do të shohim në ekran, jo
ajo që do të vazhdojmë ta jetojmë në realitet. Shumica e qytetarëve edhe ashtu
nuk e dinë bash mirë se cili ministër i për çfarë është ministër. Ministri i
veçantë nuk ka fytyrë. Fytyra e ministrit është përshtypje e përmbledhur e
fytyrave të ndryshme por që janë disi aq të ngjashme. Dhe, kjo fytyrë tani
ndryshoi pak, ashtu siç ndryshon fytyra e një njeriu pas operacionit plastik e
shoqëruar me arsyetime profesionale.
Aq shumë Kryeministri Thaçi po i lavdëronte ministrat e shkarkuar saqë jo vetëm
se ministrat e rinj do të mund ti kishin zili kolegët e tyre të
porsashkarkuar, por u krijua opinioni që ata i larguan pikërisht për këtë
arsye: ishin tepër të mirë për të qenë në Qeveri. Në fakt, ministrat e trashë
për nga buxheti po mbeteshin të paprekur. Të tjerët, të defaktorizuar siç
ishin, u përdorën për qëllime më të larta e që sërish janë të ulëta.
Baraspesha e ndërrimit të ministrave, tre të PDK-së dhe tre të LDK-së, dhe
kooptimi në Qeveri i disa zërave ankues të LDK-së, tregon se ajo që prej disa
muajsh quhet riformatizim në fokus ka çështjet e brendshme të koalicionit
qeverisës dhe jo qeverisjen më të mirë për Kosovën. Gjithsesi edhe një tjetër
dëshmi e radhës që për pushtetarët aktualë pushteti është më i rëndësishëm se
shteti.
Një pushtet i këtillë, në emër të shtetit të Kosovës, pritet që së shpejti ti
fillojë negociatat më të reja me Serbinë. Ky pushtet do të futet në pazare të
reja me Serbinë. Si zakonisht, në këso negociatash Kosova eventualisht fiton
formalitet në këmbim të substancës që jep. Dhe, pushtetit i zgjatet jeta, e
Kosovës i rrudhet territori. Tash e kanë edhe Lutfi Hazirin në Qeveri, njeriun
e specializuar për bisedime me Serbinë, njeriun që karrierën e vet ia ka borxh
pikërisht negociatave me Beogradin dhe decentralizimit etnik.
Serbia nuk e ka pranuar Planin e Ahtisaarit dhe as pavarësinë e Kosovës.
Brukseli, dhe jo vetëm ai, e duan Serbinë sa më shpejtë në BE dhe NATO në
mënyrë që tia marrin atë Rusisë. Gjersa për Serbinë perëndimi e lindja bëjnë
gara se kush do ti ofrojë asaj më shumë, Kosovën e mbajnë nën tiraninë e
konsensusit të tyre që ka formën e EULEX-it, KFOR-it, UNMIK-ut, PSBE-së etj.
Prandaj faktorëve ndërkombëtarë, me përjashtim të gjysmës së Pieter Feithit,
nuk i bën përshtypje Plani i Ahtisaarit i cili edhe ashtu është i padrejtë dhe
aspak i favorshëm për Kosovën. Prandaj faktorët ndërkombëtarë ia dhuruan Serbisë
6 Pikëshin famëkeq të Ban Ki-moonit, protokollin për bashkëpunim policor me
EULEX-in dhe insistojnë në tolerimin e strukturave të saj në Kosovë.
Shpallja e pavarësisë nuk e bëri Kosovën kurrfarë kopshti me lule.
Ngecja në numrin e njohjeve që aktualisht përbën vetëm 1/3 e shteteve të botës,
veriu i Kosovës ku më shumë sovranitet ka Serbia sesa që në pjesën tjetër të
Kosovës ka Qeveria Thaçi, mungesa e zhvillimit ekonomik dhe lulëzimi i
korrupsionit, papunësia enorme dhe varfëria e gjerë që sa vije e thellohet, të
gjitha këto dhe shumë të tjera po e fundosin Kosovën. Veç edhe rifillimi i
negociatave me Serbinë është mangët.
Për të dalë nga ky mjerim, shtetet e fuqishme sado mike të jenë nuk e kanë
ndërmend ta ndryshojnë qasjen nga paradigma e stabilitetit (rajonal) dhe e
sigurisë (së trupave dhe personelit të tyre) tek paradigma e zhvillimit
(ekonomik të Kosovës), demokracisë (pa instanca supreme arbitrare të
ndërkombëtarëve) dhe të drejtësisë (për qytetarët e shumëvuajtur e të
nëpërkëmbur të Kosovës). Dhe, për më tepër, këta faktorë ndërkombëtarë aq më
pak e kanë ndërmend të ballafaqohen me Serbinë për çështjet në të cilat ajo po
e mban peng Kosovën. Ata do të kërkojnë nga krerët e pasur të partive e
institucioneve të Kosovës që të hyjnë në negociata të reja me Serbinë. Kjo
është arsyeja pse këto ditë janë shtuar zërat në Bruksel e Washington mu për
këtë. Kur ska drejtësi, ka negociata dhe nis pazari, apo jo? Në një këso
konteksti, përderisa Serbia nuk pranon marrëveshje, do të ketë negociata. Pse
Serbia të pranojë marrëveshje kur e di që Kosova do ti vijë sërish në
negociata të reja për një marrëveshje tjetër me të?!
Hashim Thaçi & Co. janë të gatshëm të bëjë kompromise të paimagjinueshme
vetëm që të mos ua ngucin pushtetin. Ata spërtojnë ta zbresin çmendurisht
poshtë pazarin e Kosovës vetëm që të mbesin vetë lart.
Në emër të asaj që me shpalljen e pavarësisë formale kemi dalur nga Serbia tash
do ta fusin Serbinë edhe më shumë brenda Kosovës dhe edhe më shpejt drejt
BE-së. Me zgjedhjet e fundit lokale i sajuan komunat e reja në Anamoravë dhe
Graçanicë ndërkohë që nuk u integrua veriu. Tani Serbia kalon në hapin e
ardhshëm: kërkon koncesione të reja për kompromis të ri. Politikanët kryesorë
kosovarë të shantazhuar (sepse të korruptuar) janë, si gjithnjë, në gjendje
gatishmërie.
Vitin 2006 e shënonin negociatat me Serbinë për statusin e Kosovës por edhe
njëlloj riformatizimi i atëhershëm që e solli Agim Çekun si kryeministër në
vend të Bajram Kosumit dhe Kolë Berishën si kryeparlamentar në vend të Nexhat
Dacit.
Edhe atëbotë zgjedhjet thuhej se duhen shtyrë për vitin e ardhshëm. Për ta
plotësuar mozaikun e vitit 2006, disa nga analistët e spikatur të faqes 2 të
gazetës Express, në muajt në vijim, do të defilojnë sërish me shkrimet e tyre
për atë se si nuk është gjë kjo puna e negociatave të reja, se si Kosova mund
të përfitojë nëse pranon, se si mund ta turpërojmë Serbinë para botës me
gatishmërinë tonë për të biseduar, se si nuk duhet të jemi mosmirënjohës ndaj
bashkësisë ndërkombëtare pa të cilën sdo të kishte pavarësi, se si kjo i
përshpejton integrimet euroatlantike e pallavra të ngjashme si këto. Fjalët
rozë të tyre që relativizojnë gjithçka synojnë ti bëjnë roje relaksimit dhe
demobilizimit të qytetarëve. Sepse, popullin mund ta lëshojë një ditë optimizmi
e mandej kushedi se çka bëhet, apo jo? Mirësevini pra në vitin 2006!