Vdekja e shoqërisë

Jam i vetëdijshëm se një numër lexuesish do të më thonë se po përsëris gjëra që tashmë i kam thënë, se ata nuk duan denoncime, por rrugëzgjidhje. Dhe u jap edhe të drejtë, sepse edhe këtë kërkesë e shoh si pjesë të sëmundjes. Sa për rrugëzgjidhjen, mund të them se Saviano, duke folur për Italinë, thotë se ajo nuk mund tia dalë vetëm, dhe kërkon ndihmën e pjese më të qytetëruar të botës
Nga Fatos
Lubonja
"Dëshpërimi më i rëndë që mund t'i bjerë një shoqërie është kur atë e kap
dyshimi se të jetosh ndershmërisht është një punë e padobishme. Dhe ky
dëshpërim e ka kapluar vendin tim prej shumë kohësh". Ky është një
reflektim që e ka bërë nga fundi i jetës së tij, shkrimtari kalabrez Corrado
Alvar, që e citon Roberto Saviano në një shkrim të kohëve të fundit, botuar në
La Republica.
Duke e lexuar nuk mund të mos më shkonte ndërmend krahasimi me realitetin
shqiptar, ku ndjenjën e dëshpërimit, si humbje shprese, e gjen të përhapur në
masë, si një epidemi. Dhe, duke u thelluar në krahasimin midis dy realiteteve,
personalisht nuk mund të mos nxirrja një përfundim edhe më të rëndë. Skisha se
si të mos rëndohesha duke patur parasysh faktin se tek ne nuk mund të flitet
për dyshimin se të jetosh ndershmërisht është e padobishme, por për bindjen
se të jetosh ndershmërisht është e pamundur. Dhe, midis të dyjave, ka një
diferencë të madhe.
Nuk ka shumë nevojë për ta provuar se kjo që them sështë thjesht një shprehje
retorike. Sa për ilustrim, le të kemi për shembull parasysh rrogat e ligjshme
të asaj kategorie që përbën atë që në çdo vend quhet pjesa më intelektuale
(shtylla kurrizore) e shtresës së mesme të shoqërisë, siç janë punonjësit e
administratës shtetërore, mësuesit e shkollave dhe të universiteteve,
gjykatësit, prokurorët, mjekët, dhe le ti ballafaqojmë këto me shpenzimet që
duhen për të pasur një jetë normale. E kam fjalën për shpenzimet që i duhen
një familjeje që përbëhet, le të themi, nga dy të rritur dhe dy fëmijë për ta
paguar ushqimin e përditshëm, elektrikun dhe ngrohjen, shërbimin telefonik
shtëpiak dhe celular, veshmbathjen për veten dhe fëmijët, këstin e një makine
si dhe karburantin e saj, nja dy kafe në ditë, e ndonjëherë edhe ndonjë
restorant e ndonjë pushim turistik apo fundjavë jashtë qytetit, ndonjë këst
shtëpie, për të mos përmendur pastaj shpenzime shëndetësore që kërkojnë
operacione apo kura të ndryshme. (Sikurse do të vërë re lexuesi, as nuk
begenisa të shtoj zërin e shpenzimeve kulturore). Nëse dikush do të më thotë se
të gjitha këto mund të paguhen me 250 deri ne 450 euro në muaj, sa çështë
rroga mesatare e kategorisë që përmenda (besoj se duke e shtuar ca), atëherë
kërkoj ndjesë, por mua më del se edhe sikur të dy të rriturit në familje të
kenë këto rroga, çka është më e rrallë, prapë nuk del hesapi. Ja pse, sipas
meje, dëgjon për administratorë që marrin ryshfete, për prokurorët e gjykatësit
që pasurohen duke bashkëpunuar me krimin dhe kriminelët, për pedagogë shkollash
e universitetesh që marrin lekë nga studentët për t'i kaluar, për mjekë që
marrin ryshfete, për gazetarë që në vend se të jenë qen roje i interesave të
publikut, bëjnë qenin e rojës së padronit, etj. etj. (Jam i bindur se nuk janë
të gjithë njëlloj dhe se ka edhe nga ata që jetojnë me privime për të ruajtur
nderin, por jam po aq i bindur se në një mënyrë apo në një tjetër i gjithë
ambienti ku ata mbijetojnë është i helmuar me pandershmëri).
Le të ngjitemi pastaj pak më lart, tek ata që janë udhëheqësit e kësaj shtrese
apo edhe punëdhënësit e tyre: kryesisht politikanët e lartë. Për nivelin e tyre
të jetës, sot të flet çdo shqiptar, por pakkush di të të thotë se si mund të
arrihet ky me rrogat e tyre që normalisht, edhe pse më të mëdha se të të
parëve, nuk arrijnë as të ardhurat e një punëtori normal në Perëndim, ndërkohë
që çmimet në Shqipëri, në mos të krahasueshme me Perëndimin, janë për disa
shërbime bazë si telefonat celularë, elektriku, ngrohja, por edhe mjaft ushqime
- edhe më të larta. Si ka mundësi që këta njerëz kanë vila e pasurira që
kalojnë miliona dhe bëjnë shpenzime që mund tua kalojnë edhe atyre të
politikanëve në Perëndim? E di që një pjesë do të më akuzojnë se po flas pa të
dhëna, me thashetheme, dhe, e përsëris, nuk them se janë të gjithë njëlloj. Por
Shqipëria një pëllëmbë vend është dhe informacioni herët ose vonë mbërrin rëndom
nëpër tryeza njerëzish që janë afër kësaj kategorie. Dhe, pavarësisht saktësisë
së këtyre që thashë, një gjë është e sigurt: sot është normale të dëgjosh të
flitet për paturpësinë me të cilën aksh ministër kërkon llokmën e tij për
firmat që vendos në tenderë e më the të thashë, për aksh kryetar bashkie që jep
leje ndërtimi duke kërkuar lekë ose apartamente, për mënyrën se si shpërndahen
ryshfetet në piramidën e atyre që kanë pushtetin, e se si abuzohet me paranë
publike.
Ata të paktë që mund ta justifikojnë luksin e tyre të jetës, makinat 4x4 që
kushtojnë sa një shtëpi, pushimet turistike jashtë shtetit, deri edhe jahtet,
janë biznesmenët e pasur. Por, nuk di a gjen dot një biznesmen që të të thotë
se është e mundur ta çosh përpara biznesin pa lyer pandershmërisht rrotat e
pushtetit. Dhe ata që ta thonë këtë hapur janë më të mirët. Sepse ka një mori
nga ata që smund tua shpjegosh pasurinë pa patur parasysh trafiqet njerëzore,
të drogës dhe të prostitucionit. Poende, sot dëgjon rëndom për borxhe milionëshe
të papaguara bankave nga një pjesë që konsiderohen njerëzit më të pasur të
vendit. Dëgjon deri edhe për zhvillimin e një mafieje financiare që është ajo
që pastron paratë e drogës duke marrë përqindje të larta interesi nga
biznesmenët e falimentuar.
Ky është realiteti në kokën e Shqipërisë, që pastaj zbret poshtë tek njerëzit e
thjeshtë si shembull jete dhe vepre për shumicën, si ambicie apo si zili tek të
tjerë, dhe si nënshtrim ndaj këtij realiteti tek ata pak që dje mund të kenë
pasur edhe ndjenja revolte ndaj kësaj padrejtësie. Pyetja që shtrohet është se
çfarë realiteti është ky dhe se çfarë lloj dëshpërimi mund që quhet ai që
ngjall ky në krahasim me një vend si Italia ku, siç thotë Saviano, duke cituar
Corrado Alvaron, shoqëria jeton me dyshimin se "të jetosh ndershmërisht
është e padobishme", duke e quajtur këtë "dëshpërimin më të madh për
një shoqëri". Besoj se midis situatës që përshkruan Saviano dhe situatës
sonë ka një ndryshim jo të vogël. Dëshpërimi nënkupton të paktën dy gjëra; e
para ekzistencën ende të një ndjeshmërie dhe, e dyta, ekzistencën e një shprese
që, si të thuash, ka ardhur duke u fikur apo sapo është fikur. Kurse, duke
përshkruar situatën tonë do të thosha se fjala "dëshpërim" duhet
zëvendësuar me diçka tjetër dhe kjo tjetra duhet të jetë një fjalë që nënkupton
edhe humbjen e ndjeshmërisë edhe humbjen prej kohësh të shpresës. Duke kërkuar
ndonjë fjalë nuk gjeta më të mirë sesa fjala "vdekje". Duke e
perifrazuar citimin e Savianos do të thosha: "Vdekja e një shoqërie vjen
atëherë kur ajo nuk ka më asnjë shpresë se mund të jetohet ndershmërisht.
Dikush mund ta gjejë shumë të rëndë dhe të më thotë se fjala "vdekje"
mund të përdoret ndoshta vetëm metaforikisht, sepse një shoqëri gjithsesi
jeton. Po, por këtu nuk bëhet fjalë për vdekjen fizike të individëve, por për
vdekjen e asaj që bën që një numër i madh individësh të quhet shoqëri. Kjo
është e vdekur në Shqipëri dhe nuk thash kot është e vdekur dhe jo ka
vdekur, sepse personalisht gjykoj se duhet të flitet për një vdekje që ka
ndodhur prej shumë, shumë kohësh. Problemi i shoqërisë sonë është se ajo është
vrarë prej kohësh nga diktatura dhe nuk ka mundur dot të ringjallet. Ka patur
pa dyshim disa momente shprese, ringjalljeje, 1991, 1997, 2005, por larg së
merituari këtë fjalë. Ato kanë qenë vetëm përpëlitje sysh që janë mbyllur
përsëri. Saviano, duke folur për realitetin italian, në shkrimin që përmenda
thotë: Padrejtësia tek ne ka një shije që nuk të neverit më, nuk ta
pështjellon stomakun dhe as krenarinë. Dhe pastaj vazhdon: Si