Misioni i Partisë Demokratike
Nga Shenasi Rama*
Në Dhjetor të vitit 1990, PD ka pasur një mision historik. Misioni historik i PD, ashtu sic e kam pase menduar unë atëherë, dhe si e besoj edhe njëlloj edhe tani, ishte që të ofronte një alternativë të balancuar për të shmangur ekstremet e mundshme me të cilat përballej shoqëria shqiptare në atë kthesë historike. Edhe pse kishte shumë faktorë që ndikonin për keq, nuk duhet me ia mohue meritat për arritjet që mund të kenë në pika të caktuara, as PD-së e as Sali Berishës. Prapëse prapë, ky ishte një shans historik që nuk duhej humbur por që fatkeqësisht u humb. Këtu në Rrethin e Ferrit, është trajtuar gjerësisht kjo temë. Mirëpo, përpjekja intensive për të ngjallur të vdekurin që është në koma, PD-në, është një shkas për reflektim lidhur me misionin e kësaj partie dhe me të ardhmen e saj.
Çfarë misioni kishte PD?
PD duhej të ishte instrumentale për të arritur transformimin e thellë e rrënjësor të shoqërisë në shtetin shqiptar nga sistemi parti-shtet, në një shtet-komb modern. Këtë duhej ta bënte duke përdorur me efikasitet dhe pjekuri burimet njerëzore, natyrore e materiale që kishim në atë pikë e që nuk ishin të pakta por të konsiderueshme. Ekstremet kryesore me të cilat përballej vendi në atë pikë e nga të cilat do të duhej që të ruhej ishin shtatë. Këto ishin lufta civile, shkatërrimi ekonomik, zvetënimi i pjesës së shëndoshë të shoqërisë, rrënimi i strukturës shtetërore, fragmentarizimi shoqëror, varfërimi dhe polarizimi ekstrem, dhe reduktimi i shtetit shqiptar në jofaktor në lidhje me ceshtjen kombëtare. Lista natyrisht është shumë më e pasur, mirëpo të gjithë problemet e tjera lidhen me këto procese, burojnë prej tyre, ose janë të lidhura ngushtë me to.
Si do të ndikonte PD në arritjen e këtyre objektivave?
E vetmja mënyrë përmes së cilës mund të arriheshin këto objektiva strategjikë ishte që të punohej për ruajtjen e forcimin e shtetit dhe transformimin gradual të ekonomisë e të shoqërisë. Kjo do të arrihej duke punuar me kujdes me popullin dhe me partitë e tjera që dolën nga PPSH. Arsyeja ishte se këto parti, e në radhë të parë, PS, kishin përvojë të madhe në drejtimin e shtetit. Në atë udhëkryq kur duhej të bënte shtet-kombin, udhëheqja e PD-së zgjodhi rrugën me të lehtë duke mos bërë as shtetin, as kombin. Nga një anë ndoqi popullin, nga ana tjetër vendosi të ndiqte modele fantastike dhe eksperimentale politike e ekonomike që nuk ishin vënë në jetë kund. Shteti shqiptar u bë si karroca e Nastradinit.
Ja një shembull. Tre Heronjtë e PD-së, sic u shpreh Mëkëmbësi i Sali Berishës, janë Azem Hajdari, Sali Berisha dhe Gramoz Pashko. Ja cfarë bënë këta të tre, të ashtuquajtur heronj të PD-së. Gramozi solli në PD intelektualët e degjeneruar dhe hodhi teorinë e Çekut të Bardhë dhe dihet rruga dhe fundi i tij. Azemi solli në PD rrugacët e gangsterët, i hyri kontrabandës, vrasjes, dhunimit e krimit dhe dihet edhe fundi i tij. Sali Berisha solli spiunët e veglat e të gjithë regjimeve, i degjeneroi, zvetënoi e përdoroi njerëzit pa mëshirë dhe tani që kanë nisur si minjtë të braktisin anijen, po e sheh qartë fundin e tij. Udhëheqja e PD-së e shfrytëzoi pa mëshirë, pa respekt, ma dhembshuri, dashurinë e madhe të popullit për ndryshim, vullnetin e militantëve për të ndjekur një udhëheqje të dobishme dhe i ktheu në mish për top për Sali Berishën. Sepse në rrugë e sipër, Saliu doli nga fjala dhe nuk ndoqi rrugën e shërbimit kombëtar por interesin e vet. Kur sheh vetëm interesin tënd, të gjithë të duken të përdorueshëm. Duke nuhatur se e vetmja mënyrë ishte që të blinte njerëzit, Saliu e ndoqi me konseguencë këtë rrugë.
Përgjegjësitë e Parisë dhe të PD-së
Nuk është vetëm Sali Berisha përgjegjës për këto që ndodhën me PD-në dhe me vendin. Lënia në rrugë e shtetit nga shtresa sunduese dhe paria e atëhershme e Tiranës, braktisja e popullit dhe turrja drejt pasurimit të pafre e coi vendin në katastrofë. E gjithë kjo periudhë 22 vjecare ka qënë një përpjekje për të dalë nga gropa e thellë ku kemi rënë, mirëpo nuk kemi mundur që të dalim prej aty. Kjo gropa e jonë, ky pus ku jemi kapur në cark e ka emrin tranzicion. Misioni i PD-së duhej të ishte dalja nga tranzicioni.
Mirëpo, edhe me ndihmën e pamohueshme të partive të tjera që dolën nga PPSH, PD ka dështuar në mënyrën më të përplotë në arritjen e këtij objektivi strategjik. Në të gjithë fushat ka bërë të kundërtën e asaj që duhej. Lista e zullumeve, të gjitha të qëllimta e të ndërgjegjshme është e frikshme. Atë e dinë të gjithë dhe nuk do rreshtoj argumentet këtu.
Por PD dhe kur themi PD tani themi Sali Berisha, është përgjegjëse pikërisht për cuarjen e shtetit shqiptar në ekstremet e mundshme të kriminalizimit, të degjenerimit të shkatërrimit të shtetit, të zhvlerësimit të idesë së kombit, të fragmentarizimit të shoqërisë dhe në shpërdorimin e pashembullt kund të vuajtjeve, mundit e sakrificave të emigrantëve shqiptarë. Të gjitha ato që duheshin shmangur ndodhën: lufta civile, shkatërrimi ekonomik, zvetënimi i pjesës së shëndoshë të shoqërisë, rrënimi i strukturës shtetërore, fragmentarizimi shoqëror, varfërimi dhe polarizimi ekstrem, dhe reduktimi i shtetit shqiptar në jofaktor në lidhje me ceshtjen kombëtare. Edhe më keq, në krye të shtetit janë bashkëfajtorët e PD-së dhe të Sali Berishës. PD është njëra këmbë e parisë së Tiranës dhe PS-LSI është tjera. Se truri është ai që ka qënë, dhe i bën këmbët të kërcejnë si do vetë.
Një Fillim i Ri?
Duke luajtur këtë farsën e zgjedhjeve brenda në PD Sali Berisha i dha vetes e mbështetësve të vet të Trustit të Gështenjave kohë të cmueshme me marrë frymë. Në krye të PD-së u zgjodh një njeri pa shtyllë kurrizore, vegla e Familjes, hetuesi i UCK-së, i akuzuari për vjedhjet massive në Rrugën e Kombit e shumë gjëra të tjera. Ky është një fillim i ri, por jo për shqiptarët. Në fakt, ky është një fillim i ri për familjen Berisha por jo për militantët e njerëzit që besuan tek ai ideal i fillimit të rrugës së PD-së. Saliu e din se në tre-katër muaj këta që do të drejtojnë shtetin do të diskreditohen. Nuk do të bien ministra nga hëna, dhe këta që jetojnë në Tiranë e kanë të gjithë një të shkuar politike. Nuk ka shans që këta të bëjnë qeveri pa 3-4 vetë tërësisht të korruptuar apo edhe sharlatanë të papërsëritshëm. Prandaj ai e mban hekurin në zjarr e cekanin gati. Si të hiqen nga puna këta 60000 vetë që vodhën me të e për të gjatë këtyre tetë viteve, ku do të shkojnë? Vetëm në rrugë për të protestuar. Kjo i duhet edhe Trustit të Gështenjave. Se aq arra ka thesi, po i mbushe xhepat ti, nuk i mbush dot pala tjetër.
Mirëpo, ky nuk është një fillim i ri për ata që janë mil
