E Shtunë, 31 Tetor 2026

Misioni i dështuar i kthimit të eshtrave

ROLAND QAFOKU

Kthimi i eshtrave në atdhe të disa personaliteteve shqiptare që i kanë varret jashtë, mund të quhet realisht një mision i dështuar. Kanë kaluar më shumë se tre vjet kur Kryeministri Berisha artikuloi idenë që në 100-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë, ata burra e gra, bijë e bija që i dhanë emrin këtij shteti dhe kombi, duhet të preheshin në atdheun mëmë. Por, çfarë është bërë që nga ajo deklaratë që u lëshua në atë kohë dhe që u bë lajm i parë jo vetëm në Shqipëri, por edhe në ato vende ku preheshin eshtrat e shqiptarëve të shquar. Përveç ndonjë deklarate, përveç ndonjë kërkese formale për Nënë Terezën, por edhe dëshirën e legalistëve që Ahmet Zogu të kthehet në ditën e lindjes, pra më 8 tetor, gjithçka duket një utopi.
Nuk ka asnjë aksion konkret, nuk ka asnjë marrëveshje konkrete dhe nuk ka asnjë veprim të dukshëm që të na mbushë mendjen që në një të ardhme të afërt, ndonjë nga korifenjtë e mendimit shqiptar do të mund të transferohet në vendin të cilit i shërbeu. Kanë mbetur edhe 7 muaj deri më 28 nëntor kur do të festohet 100-vjetori i Pavarësisë dhe afërmendsh nuk ka gjasa se ajo që nuk u bë në 3 vjet, do të bëhet në shtatë muajt e mbetur. Kështu kemi të drejtë të themi se e gjithë kjo që u tha e stërtha me bufonadë quhet një dështim me sukses.
Le ti marrim me radhë:
Nënë Tereza, Gonxhja shqiptare që prehet në Indi, u kthye në një casus internacional. Këtij shteti të paanë me 1 miliard banorë i vlen më shumë një Nënë Terezë në atdheun e tyre pse ajo i shërbeu atij me mish dhe shpirt, duke u kthyer në një simbol të mirësisë së një njeriu ndaj atyre në nevojë. India as që e mendon se si një ditë eshtrat e Nënë Terezës të udhëtojnë në një avion dhe nga vendi i tyre të transferohen drejt një vendi tjetër si Shqipëria, që për ta ka po aq lidhje sa e ndjera Witney Houston me Indinë.
Edhe për Ahmet Zogun ka shumë dëshirë për ti kthyer eshtrat, por asnjë aksion konkret nuk ka. Pak ditë më parë, nënkryetari i PLL, Sulejman Gjana, u shpreh në një intervistë në emisionin tim në Planet TV, se është e sigurt se më 8 tetor, ditën e lindjes, Naltmadhnia do prehet në atdhe. Por Gjana nuk ishte fare i qartë lidhur me vendin ku do të jetë varri i Zogut dhe familjes së tij. Një konflikt pronësie në atë copë tokë sot është një lokal dhe dikur mauzole i familjes mbretërore ende nuk është zgjidhur dhe ne nuk e teprojmë të themi se do Zoti që eshtrat e Zogut mund të vijnë në Shqipëri, por mos të ketë vend ku të rivarroset. Ky do ishte skandali i skandaleve, me të cilat ish-mbreti ishte mësuar në të gjallë, por që fatkeqësisht vazhdon ta ndjekë edhe pas vdekjes.
Edhe Fan Nolin, që prehet që nga vitit 1965 në Forest Hill të Massachusetts, nuk kemi shanse ta kthejmë në atdhe. Komuniteti atje e quan të vetin këtë kolos të mendimit shqiptar dhe heqja e tij nga varri madhështor, për shqiptarët e Amerikës është si të lëvizësh varrin e Jezu Krishtit nga Jerusalemi.
Së fundi, listës së gjatë iu shtua edhe një emër tjetër. Politikani i vjetër, Elmaz Sherifi, po në emisionin tim, bëri një deklaratë të fortë teksa tha se do ti kërkonte Kryeministrit Berisha ti drejtohet mikut të tij turk, Erdogan, të kthejë në atdhe eshtrat e Sami Frashërit. Turqia dha ok. në vitit 1976 për kthimin e eshtrave të Naim dhe Abdyl Frashërit, por jo të Samiut, duke e cilësuar si një personazh që i ka dhënë aq shumë kulturës turke. Nuk po hyjmë në debatin sa i ka dhënë Turqisë e sa Shqipërisë, por në jetë të jetëve, Shqipëria nuk ka pasur kurrë një filozof aq të iluminuar sa Sami Frashëri. Mjaftojmë të përmendim kryeveprën Shqipëria, çka qenë çështë dhe çdo të bëhet, pra mjafton ky testament që të kuptosh se ai është projektuesi i Shqipërisë dhe shtetit shqiptar. Por, edhe kërkesa e beftë e Sherifit ka të ngjarë të mbetet edhe ajo në letër. Jo vetëm që tashmë Berishës i iku zogu nga dora në atë takim me Kryeministrin Erdogan, por edhe nëse paraqitet një kërkesë e tillë, gjasat që më 28 nëntor Samiu të prehet në atdhe janë shumë të pakta për shkak edhe të natyrës së këtyre procedurave.
Pra, mund të themi se eshtrat e Nënë Terezës, të Ahmet Zogut të Fan Nolit, Sami Frshërit e të tjerë, zor se mund të kthehen në atdheun e tyre në ditëlindjen e 100-të të shtetit shqiptar.
Pa harruar se një problem jo i vogël është edhe vendi i vendosjes së tyre nëse një ditë. Edhe ideja e ngritjes së panteonit kombëtar të nderit është një gur i çmuar në atë që mund ti nderojë Shqipëria këta atdhetarë. Por, a është menduar ndonjëherë se cila është lista e atyre që do të vendosen atje? Cilat do të jenë kriteret dhe arsyet e tyre? Aty i bie të jenë ata që vërtet i dhanë Shqipërisë, por që me njëri-tjetrin ishin armiq deri në vdekje. Fjala vjen, Ahmet Zogu në krah të Nolil do të ishte çudi. Si Noli dhe Zogu e dënuan njëri-tjetrin me vdekje dhe do të ishte vetëm një çudi shqiptare që ata të dy ti kishin varret ndanë njëri-tjetrit. Lëre pastaj të shtrosh pyetjen: A do të ketë në këtë panteon ndonjë figurë që jetoi e punoi gjatë sistemit komunist? Kjo e ngatërron aq shumë çështjen, sa të bën të mendosh që ishim mirë pa panteon dhe ishte më mirë që shumë prej tyre i kanë varret jashtë. Shqipëria nuk diti ti nderojë ata kur ishin gjallë dhe po tregon, edhe pas 100 vjetësh, që nuk di ti nderojë edhe tani që janë të vdekur. Nuk besojmë të ndodhë ndonjë çudi deri më 28 Nëntor.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›