E Diel, 1 Nëntor 2026

Misioni vlerësues i EUIPO-s në Shqipëri për Kapitullin 7, Pronësia Intelektuale

TIRANË, 18 shtator /ATSH/ Në datat 15 deri më 17 shtator 2026, në Shqipëri u zhvillua misioni vlerësues i EUIPO-s, në kuadër të vlerësimit të përmbushjes së Kushtit Mbyllës 3 të Kapitullit 7, Pronësia Intelektuale, me fokus kapacitetet administrative dhe rezultatet në zbatimin e të drejtave të pronësisë intelektuale.

Drejtoria e Përgjithshme e Pronësisë Industriale njoftoi se në takimet e zhvilluara mori pjesë zëvendësministri i Ekonomisë dhe Inovacionit dhe Negociatori për Kapitullin 7, Martin Kajo, së bashku me ekspertët e EUIPO-s, Ninoslav Babić dhe Silvie Froech, përfaqësues të Delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë, si dhe përfaqësues të institucioneve shqiptare përgjegjëse për administrimin dhe zbatimin e të drejtave të pronësisë intelektuale.

Sipas DPPI, diskutimet u fokusuan në kapacitetet administrative dhe burimet njerëzore, sistemet dhe mjetet teknike, rezultatet dhe statistikat e zbatimit për periudhën 2023–2025, bashkëpunimin ndërinstitucional, si dhe në raste konkrete që dëshmojnë funksionimin në praktikë të sistemit të mbrojtjes dhe zbatimit të të drejtave të pronësisë intelektuale.

Takimet u koordinuan nga Sekretariati Teknik i Kapitullit 7 pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Pronësisë Industriale (DPPI), në bashkëpunim me institucionet kontribuuese, në funksion të procesit të mbylljes së Kapitullit 7, Pronësia Intelektuale në negociatat për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

/m.q/r.e/a.f/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›