E Shtunë, 31 Tetor 2026

Miti dhe realiteti

Dy pyetje vinin njëra pas tjetrës, nga ata që u tregoja se ku po shkoja, si: "Çfarë po kërkon atje? Dhe: "Nuk e besoj se vërtet do të shkosh?". Qëndroja e fshehur pas fjalisë së parë, Kosovës, shteti më i ri në botë, shtetësia e të cilit akoma po diskutohet ashpër nga vendi ku unë jetoj e që është Serbia. Kurse, Prishtina, është vendi të cilin bashkatdhetarët e mi me shumë përtesë e përmendin. "Prishtina", kryeqyteti i Kosovës konsiderohej vend më i rrezikshëm se "Mitrovica", vend në veri të Kosovës ku akoma vazhdojnë të jetojnë një shumicë e madhe e serbëve.

Por, zonja dhe zotërinj, pavarësisht asaj që puna ime më dërgon në Mitrovicë, Prishtina është vendi ku më së shumti e kaloj kohën time në Kosovë. Të jem e sinqertë: tmerri i parë në fytyrat e tyre nuk ishte krejtësisht i pakrahasueshëm nga dyshimet dhe rezervat që kam pasur akoma, para se ta vizitoja për herë të parë Prishtinën, në nëntor të vitit të kaluar. Ndërsa për Serbinë, Kosova për një kohë të gjatë, qysh prej luftës së vitit 1999 ka qenë një mit i rilindur për qëllime politike. Kurse për shumicën e njerëzve, ky është bërë një vend tjetër i sajuar, i quajtur si ‘një vend i harruar nga koha‘, ‘i fshehur diku mes historinë dhe pamundësisë‘.

Në sytë, apo më mirë, të themi në mendjen e moshatarëve të mi, shumica e të cilëve kurrë nuk kanë shkelur atje, Kosova është një vend i prishur, ku kohë pas kohe njerëz mizorë vrasin njëri- tjetrin, kanibalë që kënaqen me mishin e fëmijëve të etniteteve tjerë, gra që i keqtrajtojnë, e kësi lloj mendimesh. Por, pavarësisht rritjes sime dhe trajnimeve për t‘u rezistuar klisheve të çfarëdollojshme, më duhet të pranoj përshtypjet e mia për Kosovën e Prishtinën.

Pra, asgjë aty nuk duket sikurse mendojnë moshatarët e mi të Serbisë. E vërtetë është që Kosova është një shoqëri post-konfliktuale. Etniteti akoma paraqet kërcënim. Mbase aty ka tela me gjemba nëpër tokë më shumë se në çdo vend të Ballkanit. Por gjithashtu është një vend me një shoqëri të zhvilluar e të re. Kryeqyteti i saj, Prishtina, pasqyrohet në shumë kuptime. Shëmtia e një arkitekture komuniste përplaset me ndërtime të reja entuziaste. Posterat e KFOR-it, me moton e tolerancës etnike, janë të shfaqura kudo, por të cilat aspak nuk dukej se pengonin kalimtarët.

Jeta, nëpër rrugët e Prishtinës, duket normale. Gjatë pushimit të drekës, restorantet dhe kafenetë janë plot me të rinj të kualifikuar, të cilët e shijojnë shijen e ushqimeve të shëndetshme, çmimet e të cilave janë të arsyeshme (kombinime ushqimesh, që mua vërtet më mungojnë në Beograd). Ushqimi është fenomenal, që do të thotë i lehtë, i freskët dhe i përgatitur në mënyra të ndryshme (mbase përgatitej për t‘u kujdesur shijes së një numri të madh të ndërkombëtarëve, që jetojnë e punojnë në Prishtinë. Por kujt i intereson, kur mund të hash ushqim të mrekullueshëm?).

Beogradi mund të mburret me kulturën e saj të kafeneve, por Prishtina është vendi ku mund të kënaqësh duke pirë kafe e bërë muhabet më shumë se në çdo vend tjetër. Zgjedhja e librave është e mrekullueshme, po ashtu edhe kafeja. Me shumë sinqeritet e them se, kafetë janë të mrekullueshme, gjithkund në Kosovë. Edhe kafenetë e mbrëmjes kanë reputacion të mirë. Po ashtu, në të dalë të qytetit, mund të hasësh në pamje të bukura. Oh! Dhe një gjë tjetër: në fillim, kur kam shkuar në Kosovë, kam ngurruar të flas në gjuhën serbe. Por sa herë që dikush më dëgjonte në ndonjë kafene apo restorant, i vetmi reagim që vinte nga ta ishte një surprizë e këndshme dhe gaz i sinqertë. Shumë shqiptarë, në situata të tilla, shqiptonin aq fjalë serbe sa dinin, dhe me buzëqeshje pyesnin se si qëndrojnë punët në Beograd. Duket se ata nuk e dinë se ç‘mendojmë ne për ta.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›