E Diel, 1 Nëntor 2026

Mitingje madhështore, nga Tropoja në Shupenzë, votëbesohet 44-a e mandatit të tretë

16-06-2013 / Gazeta 55

Nga vizita shpirtërore në Bajram Curri, duke kaluar nëpër Krumë e Kukës për të përfunduar në Shupenzë e Maqellarë të Dibrës, 5 tubimet e veriut kanë mirëpritur mesazhin për t’iu bashkuar alternativës së zhvillimit, e për të ndalur bllokimin që ofron brezi i dytë i pinjollëve të diktaturës
Berisha: Modeli im bazohet tek familja, vlerat e shenjta dhe e ardhmja

Si rrallë ndonjëherë në historinë e tij, qytetarët e Bajram Currit kanë tejmbushur qendrën e qytetit, në një miting madhështor në nder të birit të tyre, kryeministrit Sali Berisha. Kryeministri Berisha në fjalën e tij duke ju referuar investimeve të qeverisë në këtë zonë, theksoi se katër vitet e fundit kanë qenë vite ndryshimi për Tropojën dhe Shqipërinë. Nën entuziazmin e simpatizantëve, askund më mirë se në Tropojë Berisha nuk do të mund të drejtonte ftesën ndaj socialistëve për t’iu bashkuar alternativës së PD. “Së bashku kemi bërë gjithçka që pasuritë e Tropojës dhe Shqipërisë të shndërrohen në mirësi, rroga dhe mirëqenie për ju. Janë asfaltuar këto vite rrugë në të katër anët e rrethit të Tropojës, janë ndërtuar dhe rindërtuar shumica e shkollave të këtij rrethi. Vajzat dhe djemtë e rrethit tuaj nuk përjashtohen më si para 8 viteve nga e drejta e studimit. Kemi dyfishuar pensionet, kemi rritur rrogat e arsimtarëve, mjekëve dhe infermierëve, kemi rritur mirëqenien në mbarë Shqipërinë. Vitet e fundit Tropoja dhe Shqipëria njohën ndryshimet më të mëdha historike. Alternativa jonë bazohet në një ndërmarrje të përbashkët për të zhvilluar vendin. Sot jam këtu për t’iu drejtuar një thirrje vëllazërore të gjithë socialistëve të Tropojës dhe mbarë Shqipërisë, bashkohuni me ne, me projektin tonë. Ju ju bashkon me ne përpjekja për të ndërtuar një infrastrukturë dinjitoze në katër anët e vendit, përpjekja për krijimin e vendeve të reja të punës, për Tropojën dhe Shqipërinë turistike, Tropojën dhe Shqipërinë europiane”- deklaroi Kryeministri. Shefi i mazhorancës ka sulmuar alternativë e majtë, ku deklaroi se shoku i autobusit do të shkelmojë gjithçka që qeveria shqiptare dhe qytetarët e saj kanë realizuar gjatë këtyre viteve. “Alternativa tjetër është ajo e nxirjes, poshtërimit të gjithçkaje që ju keni realizuar. Në krye të fushatës pasagjeri i autobusit mavi shpalli Shqipërinë tuaj, Shqipërinë tonë, Shqipërinë anëtare të NATO-s, të vizave, e shpalli Shqipërinë e gënjeshtrës. NATO-n si natë njësoj si etërit e tij, ndërsa  BE për të është  asgjë. Nga autobusi i tij, për të, rrugët e ndërtuara me taksat tuaja nuk ekzistojnë, rritja e rrogave dhe pensioneve nuk janë të vërteta. Shoku i autobusit do të shkelmojë gjithçka që keni realizuar”- tha ai. Ndërsa na ndajnë pak ditë nga zgjedhjet, kryeministri tha se në 23 qershor përballen jo vetëm dy alternativa, por dhe dy modele, ai i qytetarit dhe Sali Berishës përballë modelit të bllokatorit Rama. I gjendur shumë pranë Kosovës, Berisha ka rikujtuar dekorimin e Goran Bregoviçit nga Rama, shpërblim që sipas tij kryesocialisti i bëri atij që i këndoi xhelatëve të popullit kosovar.
“Me 23 qershor përballen jo dy alternative, por dhe dy modele, modeli juaj dhe i Sali Berishës që bazohet në besimin tek puna dhe  idetë tuaja juaja. Modeli juaj dhe i Sali Berishës që bazohet në vokacionin, ëndrrën tonë europiane që ne të arrijmë sa më shpejt stacionin e ndritur, BE.  Modeli tjetër është modeli i Edi Ramës, njeriu i cili nuk ka lënë fjalë të ndyrë pa hedhur mbi vendin e tij. Modeli i Edi Ramës është dekorimi i atyre që u kënduan xhelatëve të popullit e Kosovës në një kohë kur ju sakrifikonit jetën tuaj për lirinë e saj. Pa u tha akoma gjaku i djemve tuaj të rënë për lirinë e Kosovës, Edi Rama do dekoronte Goran Bregoviçin si shpërblim për masakrën në popullin e Kosovës. Modeli i Edi Ramës është modeli i përçmimit ndaj çdo kundërshtari, njeriu që agreson me brutalitet edhe fizikisht cilindo që mundet. Modeli i Edi Ramës është modeli për të cilin familja është treg dhe tregti, që martohet dhe ndahet sa herë kërkon të fitojë më shumë vota  në zgjedhjet që i humbet gjithnjë, modeli i Ramës është modeli që nuk nguron të shkelmojë mbi çdo interes tuajin. Mbi këtë model Rama mbajti për 231 ditë statusin e vendit kandidat, atë që i bëri Shqipërisë dhe shqiptarëve s’ia bëri dot askush përveç etërve të tij. Modeli i tij është modeli i hekurave të burgut, padive për këdo që e kundërshton” përfundoi Kryeministri Berisha.
Noka: Malësorët do t’i thonë jo si gjithmonë Edi Ramës dhe partisë së tij/Ndërkaq kandidati për deputet në qarkun e Kuksit, Ministri Flamur Noka, tha se alternativa e majtë është ajo e kolltukëve dhe pazareve, pa një program të qartë, thjesht një bllok mavi me shkarravina. “Pak ditë na ndajnë nga fitorja e madhe e PD dhe këtu në Tropojë uragani i fitores do nisë dhe nuk do ndalë, Tropoja dhe gjithë shqiptarët do votojnë Sali Berishën. Tropoja dhe gjithë shqiptarët s’mund të mbështesin alternativën e zezë, alternativën e bllokimit, alternativën e karriges së Edi Ramës. Ai ju paraqet një bllok mavi, paçavure me shkarravina që se kupton as vetë ai dhe as socialistët. Alternativa e tij është alternativë pazaresh dhe kolltukësh, ndërsa ajo e PD është alternativë për qytetarin. Sali Berisha është alternativa e ndryshimit të Tropojës, është alternativa për punësimin, mirëqenien dhe integrimin”- tha Noka. Ndërsa kandidati për deputet për Tropojën Besnik Dusha deklaroi se uragani i fitores së PD do nisë pikërisht nga ky rreth, duke shfaqur bindjen se malësorët do t’i thonë jo si gjithmonë Edi Ramës dhe partisë së tij.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›