E Shtunë, 31 Tetor 2026

Genc Pollo: “Humbja e PD-së? Askush të mos shohë ëndrra me sy hapur”

16-06-2013 / Gazeta 55

Ministri i Inovacionit, takim elektoral në komunën Poshnje të Beratit: “Boshti i Jugut nxjerr Beratin përfundimisht nga i ashtuquajturi xhep”

“Partia Demokratike do vijojë të jetë mazhorancë edhe për 4 vitet e ardhshme. Kush mendon të kundërtën, thjesht sheh ëndrra me sy hapur” - kështu ka deklaruar nga komuna Poshnje e Beratit Ministri i Inovacionit dhe TIK, Genc Pollo, njëkohësisht kryesuesi i listës së PD-së në këtë qark. Më tej Pollo ka thënë se investimet publike, nxitja e turizmit, rrugët moderne, që të çojnë në komuna fushore e kodrinore, deri te kanionet e famshme të Osumit dhe, më në fund tani, rregullimi i rrugës Berat-Lushnjë janë vetëm disa prej arritjeve të mazhorancës së Partisë Demokratike në qarkun e Beratit. “ Kryesorja është që qyteti i Beratit dhe i gjithë qarku të mos mbeten xhep dhe këtë e realizon Boshti i Jugut. – ka thënë Pollo. - Projekti kryesor, që do ta shndërrojë Qarkun e Beratit në një krahinë dinamike, është qartazi Boshti i Jugut, i cili, tashmë, ka filluar në segmentin Tiranë-Elbasan dhe do të vazhdojë drejt Beratit”. Pollo ka thënë, gjithashtu, se po të ballafaqosh, arritjet e 8 viteve të qeverisjes së PD-së me alternativën tjetër, Partinë Socialiste, të gjithë kemi parë se përveç negativitetit, PS-ja dhe Edi Rama nuk ofrojnë gjë tjetër. Këtu përmend edhe votimet kundër të Partisë Socialiste me urdhër të Edi Ramës të projekteve infrastrukturore më të mëdha të vendit, si Rruga e Kombit, ajo Tiranë-Elbasan, duke u ndalur më tej te Boshti i Jugut. “Ne votuam financimin e Boshtit të Jugut, ndërsa Partia Socialiste dhe Edi Rama votoi kundër dhe kurrë ndonjëherë nuk e përmend në Berat me emër këtë projekt. Ne jemi për taksën e sheshtë, që do të rritet sipërmarrja, do të rritet punësimi; Edi Rama është për taksë progresive dhe taksa të larta, që t’i marrë frymën sipërmarrjes, t’i marrë frymën biznesit dhe do ulë punësimin. Ne jemi për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, sepse ka shumë e shumë të mira, përfshi edhe 200 miliardë euro investime në bujqësi, në rrugë, në shkolla, në subvencione. Ne kemi votuar për këtë vazhdimisht, Edi Rama statusin e vendit kandidat e mbajti peng për 230 ditë, nuk e votoi, vetëm e vetëm që ta bënte të dështonte se kishte frikë se fitonte qeveria, Sali Berisha dhe Partia Demokratike” - ka vijuar Pollo. Në fund Ministri Pollo ka thënë se në Berat ndihet fryma e ndryshimit. “Kjo u pa në zgjedhjet e 2009-s, kur Partia Demokratike fitoi tre deputetë nga vetëm një të fituar në vitin 2005, një rikthim historik ky në rezultatin e viteve ‘91-‘92. Edhe në zgjedhjet lokale 2011, u trefishuan komunat e fituara nga koalicioni. Më 23 qershor 2013 do të rifitojmë tre deputetë e do të synojmë të katërtin” - përfundoi ministri Pollo.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›