Mitrovica e Jugut seancë solemne për 18-vjetorin e Pavarësisë: Lufta e UÇK-së ishte e drejtë

PRISHTINË, 17 shkurt/ATSH/ Kuvendi Komunal i Mitrovicës së Jugut ka mbajtur sot një seancë solemne me rastin e 18-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, ku u vlerësua lart sakrifica shekullore e popullit shqiptar për liri dhe shtetësi.
Kryetari i komunës, Faton Peci, tha se 17 Shkurti përfaqëson sublimimin e sakrificës gjithëpopullore ndër shekuj dhe jetëzimin e aspiratës shqiptare për liri.
Ai theksoi se luftërat e popullit shqiptar asnjëherë nuk kanë qenë pushtuese, por vetëm çlirimtare, duke nderuar luftëtarët, dëshmorët dhe viktimat civile që u flijuan për lirinë e Kosovës.
“Asnjëherë aspirata jonë si popull nuk ka qenë pushtuese, luftërat ndër shekuj kanë qenë vetëm për të përjetësuar lirinë. Ne kujtojmë me përulësi çdo qytetar që ka dhënë angazhim dhe kontribut për Kosovën e pavarur. Sot i përkulemi çdo luftëtari, nderojmë secilën viktimë civile – gra e fëmijë, pleq e plaka – të cilët u sakrifikuan dhe thirrën ndërgjegjen ndërkombëtare për lirinë e Kosovës. Ne sot duhet të jemi më të bashkuar se kurrë sepse angazhimi, përpjekja, mundi, djersa dhe gjaku i rënë ndër shekuj nuk kanë pasur ngjyrim politik”, tha ai.
Kryesuesi i Kuvendit Komunal, Safet Kamberi, vlerësoi se Pavarësia e Kosovës është rezultat i një përpjekjeje të përbashkët të veprimit politik dhe sakrificës së armatosur, duke përmendur figurat e presidentit historik Ibrahim Rugova dhe komandantit Adem Jashari si simbole të shtetformimit dhe qëndresës kombëtare.
Në emër të PDK-së, asamblisti Shkëlqim Ibrahimi përmendi figurat kryesore të procesit të çlirimit dhe shtetformimit, duke theksuar se ish-krerët e UÇK-së po përballen me një proces të padrejtë gjyqësor në Hagë.
Ai tha se lufta e UÇK-së ishte e drejtë dhe e pastër dhe se e vërteta do të triumfojë.
Seanca solemne u përmbyll me thirrje për unitet, përkushtim ndaj vlerave të shtetit dhe nderim të përhershëm për sakrificën e dëshmorëve dhe martirëve të lirisë. /KosovaPress/