SPANJË – Pesë adoleshentë vdesin pas një zjarri pranë Barcelonës

BARCELONË, 17 shkurt /ATSH-AFP/ – Pesë të rinj, të moshës 14 deri në 18 vjeç, humbën jetën dje në mbrëmje në një zjarr në një ndërtesë në Manlleu, pranë Barcelonës, njoftuan departamenti i zjarrfikësve dhe policia katalanase.
“Pesë persona vdiqën sonte”, sipas një deklarate të lëshuar nga departamenti i zjarrfikësve gjatë natës, pa specifikuar shkakun e zjarrit në këtë fazë.
Kryebashkiaku i Manlleu, Arnau Rovira, i tha shtypit se ata ishin “të rinj vendas nga Manlleu, djem shumë të rinj”.
Katër oficerë policie, që ishin të parët në vendngjarje, u plagosën.
Sipas medias spanjolle, të rinjtë ishin mbledhur në papafingo, të vendosur në katin e sipërm të ndërtesës dhe të përdorur për magazinim.
Në deklaratën e tyre, zjarrfikësit shpjeguan se ishin njoftuar nga fqinjët për praninë e tymit në shkallë. Pasi zjarri u shua, u gjet viktima e parë, një person në arrest kardiorespirator.
Katër persona të tjerë u gjetën më pas në dhomën e magazinimit dhe nuk ishte e mundur të shpëtoheshin.
Bashkia e qytetit të Manlleu, një qytet me mbi 20 000 banorë, rreth 60 kilometra në veri të Barcelonës, ka shpallur tre ditë zie.
“Të shkatërruar nga vdekja e pesë personave pas një zjarri në një ndërtesë në Manlleu”, shkroi Salvador Illa, president i rajonit katalanas, në X./ /Ad.Ab./ a.jor.