Mjegulla e premtimeve qeveritare për taksat
Alfred Sefa/ekspert kontabël
-Sistemi fiskal në Shqipëri po i drejtohet një rruge ndryshimi të paqartë. Gjendemi çdo ditë përpara faktit të ndryshimeve të njëpasnjëshme dhe shpesh herë të çuditshme të propozuara nga kryeministri ynë. Politika fiskale që ka në dorë qeveria, është një ndër më të rëndësishmet në jetën e një vendi, pasi ajo përkthehet në ligje që drejtojnë sjelljen e aktorëve ekonomikë, por dhe njerëzve. Ndryshimet e shumta që i janë bërë në këto vite ligjeve fiskale, janë vetëm arrnime në interes të një dore të vogël njerëzish, e që në fakt nuk kanë sjellë ndonjë efekt pozitiv për shumicën e popullsisë . Gjityhashtu nuk kanë sjellë ndonjë përmirësim të treguesve makroekonomikë në vite. Ndodhemi tashmë përballë një krize, me gati një stanjacion ekonomik me tregues që vetëm përkeqësohen. Vazhdimisht qeveria ka bërë ndërhyrje në ligjet fiskale me një (Vendim të Këshillit të Ministrave) VKM të thjeshtë që përfshijnë veprime dhe qëllime shumë afatshkurtra. Madje shpesh herë këto ndryshime janë “harruar” të botohen në Fletoren Zyrtare.
Një moment që nuk mund të kalohet pa u marrë parasysh, është ai se këto propozime të bëra personalisht nga Kryeministri, vijnë përpara zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare. Kemi dëgjuar disa propozime për heqjen e TVSH për importimin e makinerive, me qëllim nxitjen e investimeve, por në fakt nuk ka akoma asnjë specifikim të qartë; a do të bëhet kjo për të gjitha llojet dhe madhësitë e bizneseve apo jo? N.q.s do të bëhej vetëm për investimet mbi një madhësi të caktuar, atëherë ky është një diskriminim dhe diferencim i pastër ndërmjet bizneseve, duke na çuar përsëri tek problemi i madh i rritjes relative të taksave për biznesin e vogël dhe qytetarin e zakonshëm dhe duke lehtësuar gjithçka për biznesin e madh. Pyetja që lind është: pse ky propozim (në fakt i domosdoshëm) vjen pikërisht 5 muaj para zgjedhjeve? A nuk është shume i vonuar dhe çfarë realisht fshihet pas tij? Nga ana tjetër propozimi për heqjen e detyrimeve të kontributeve të sigurimeve shoqërore për punësimin e të rinjve për tre vitet e para të punës, është në fakt një propozim i çuditshëm, bile i kopjuar nga miku i Kryeministri, z. Berluskoni, i cili është bërë objekt talljeje në blogje të ndryshme sociale në Itali. Kjo është bërë pikërisht para zgjedhjeve qartazi me qëllim nxitjen e kompanive për të punësuar të rinj. Por personalisht nuk mendoj se është pagesa e sigurimeve shoqërore, që pengon kompanitë të punësojnë të rinj. Mendoj se është vëllimi i biznesit që ato kanë, është niveli i përgatitjes profesionale të të rinjve që mbarojnë shkollat shqiptare dhe planet e tyre për të ardhmen. Dhe këto plane ata i bëjnë duke marrë parasysh riskun e biznesit në vendin tonë. Besoj se Shqipëria tashmë ndodhet në zonën e vendeve me risk të madh për të bërë biznes. Kjo për shumë arsye si ulja e përgjithshme e konsumit dhe rënia e nivelit të të ardhurave të disponueshme, si rezultat i papunësisë, rënia e kreditimit nga ana e bankave, largimi i investitorëve strategjikë etj.. Shqipëria vazhdon të mbetet te vendet që importojnë produkte të gatshme për nevojat e vendit dhe eksportojnë me shumicë lëndë të parë. Ky është problemi për të cilin duhen të shqetësohen qeveritë shqiptare. Zbutja e këtij raporti do të përmirësonte treguesit e punësimit të të rinjve dhe jo disa ide të çuditshme brenda politikës fiskale, të cilat rrezikojnë të falimentojnë totalisht sistemin e sigurimeve shoqërore dhe të pensioneve.
Ideja që më tërheq më shumë është ajo e heqjes së tatimit mbi të ardhurat për pagat nën 30 000 lekë. Po shkohet kështu drejt një taksimi progresiv edhe pse ndoshta qeveria nuk e kupton. Është as më pak e as më shumë një tatim progresiv përsa i përket këtij grupi të ardhurash. Nga njëra anë mbron taksën e sheshtë si taksë të zhvillimit dhe nga ana tjetër po ndërfut brenda sistemit të sheshtë pjesëza nga sistemi progresiv. Kjo tregon vetëm mjegullën në të cilën ndodhen idetë e qeverisë aktuale. Nuk jam dakord se ju kanë shteruar idetë, por mendoj se u janë ngatërruar idetë me dëshirën për të mbajtur pushtetin me çdo kusht. Kur idetë vijnë nga dëshira për të mbajtur pushtetin dhe nga frika e humbjes, sigurisht që ato nuk mund të jenë objektive dhe efektive. Ajo që dua te theksoj është se sipas mendimit tim, Shqipëria ka vërtet nevojë për një politikë fiskale të qëndrueshme e me horizont të gjerë dhe të largët, përmes të cilit të vlerësojë nevojat dhe indikacionet e tregut për t’u përmirësuar vazhdimisht. Deri tani jemi mësuar të shohim ligje, akte nënligjore, VKM, udhëzime të brendshme me synime afatshkurtra dhe për qëllime të ngushta. Në këtë kuadër do sjellë në vëmendje se në planin politik, e majta shqiptare ka deklaruar që me ardhjen në pushtet do të vendosë sistemin e taksimit progresiv, por ajo që nuk kam dëgjuar të flitet është nëse do ta bëjë këtë dhe për fitimin e kompanive? N.q.s jo, përsëri do të mbetemi nën rrezikun e arnimeve të ligjeve për qëllime afatshkurtra. Progresiviteti duhet kthyer në një sistem efektiv, të qëndrueshëm dhe të ngritur me shumë kujdes.