E Hënë, 2 Nëntor 2026

Mjekësia e urgjencës dhe dilemat e saj, Dr. Zaimi: Duhet të ketë trajtim preferencial

Mjeku i urgjencës është figura me ngarkesën më të madhe të punës në sistemin shëndetësor, por edhe me rolin më kritik për jetën e një pacienti.

Ndonëse dy vitet e fundit ka një rritje, edhe pse pa konkurs, sot ky specialitet është më pak i përqafuari nga studentët e Mjekësisë.

“Dashuria e studentëve për mjekësinë e urgjencës është shumë e madhe, por për ta zgjedhur si specialitet ka tërheqje. Kjo duhet të na bëjë të ndryshojmë politikat, kryesisht ato të vlerësimit të mjekut të urgjencës, që është profesion sa i bukur, aq edhe i vështirë,” thotë shefi i Urgjencës së QSUNT-së, Edmond Zajmi.

Studentët e Mjekësisë, në ditën botërore të mjekësisë së urgjencës, shpjeguan me shumë pasion dhënien e ndihmës së parë tek nxënësit e shkollës së Medresesë, por a do të bëhen vetë ata mjekë urgjence?

“Të them të drejtën përgjigjja ime është jo, pasi ky lloj profili mjekësor kërkon jo vetëm pasionin, por edhe shumë energji, shumë fuqi. Nuk besoj se do ta bëja,” tregon Martiola Kola, studente e vitit të 6-të në Mjekësi.

“Mjeku i urgjencës është mjek me shumë ngarkesë në punë, në orare, në fluks dhe kërkon impenjim të jashtëzakonshëm. Unë nuk mendoj se do të isha personi i duhur për t’iu përgjigjur këtij ritmi,” shprehet Laura Buziu, studente e vitit të 5-të në Mjekësi.

Për ata që tashmë e kanë zgjedhur këtë specialitet, përtej ezaurimit nga turnet dhe ngarkesa, ka ende arsye më të forta.

“Nëse arrin të trajtosh pjesën e mjekësisë së urgjencës, trajtimet në vazhdimësi bëhen më të lehta, prandaj e kam zgjedhur këtë degë të mjekësisë… për të qenë më i aftë,” thotë Mikael Begolli, specializant në vitin e 1-rë për degën e Mjekësisë së Urgjencës.

Shefi i Urgjencës së QSUNT-së thotë se për mjekët e këtij sektori duhet trajtim preferencial.

“Mos të shihet mjeku i urgjencës njësoj si të gjitha specialitet e tjera, që nuk kanë atë lodhje dhe ngarkesë që ka Urgjenca. Të shihen oraret dhe vlerësimet e mjekut të urgjencës nga specialitetet e tjera. Akoma mjeku i urgjencës nuk është i vlerësuar sa duhet,” deklaron Prof. Zaimi.

“Duhet të ketë vlerësim financiar të shtuar për specialitetin e urgjencës, pasi studentëve të Mjekësisë kjo veçori i ndikon kur bëjnë zgjedhjen e tyre,” thotë znjsh. Kola.

“Duhen orare më të shkurtra pune për mjekët e urgjencës, pasi ngarkesa është ezauruese,” shton kolegia e saj, znjsh. Buziu.

Qëllimi i këtyre ndryshimeve është vetëm një, sipas Prof. Zaimit, “që çdo spital rajonal të plotësohet me ekipet e mjekëve të urgjencës“.

Gazetare: Sonila Mlloja

/rtsh.al/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›