E Hënë, 2 Nëntor 2026

Moska akuzon Kievin për intensifikimin e sulmeve për të penguar negociatat

Ministria ruse e Mbrojtjes akuzoi sot Kievin për intensifikimin e sulmeve ajrore ndaj Rusisë me qëllim prishjen e “procesit të negociatave” midis dy vendeve, pas disa ditësh sulmesh vdekjeprurëse në Ukrainë.

“Me iniciativën e Federatës Ruse, dialogu i drejtpërdrejtë midis Rusisë dhe Ukrainës mbi zgjidhjen paqësore të konfliktit në Ukrainë u rifillua” në Stamboll rreth dhjetë ditë më parë, thotë ministria.

Ministria thotë gjithashtu se sulmet e saj në Ukrainë janë një “përgjigje” ndaj sulmeve me dronë ukrainasë që kanë shkaktuar viktima midis civilëve rusë.

Për më tepër, Ministria Ruse e Mbrojtjes njoftoi se trupat ruse morën kontrollin e fshatit Stara Mykolaivka në rajonin e Donetskut në Ukrainën lindore.

Reuters vëren se nuk mund të konfirmojë në mënyrë të pavarur informacionin nga fusha e betejës.

Rusia tha më 27 maj se sulmet ajrore të kryera ditëve të fundit ndaj Ukrainës ishin “përgjigje” ndaj përshkallëzimit të sulmeve ukrainase me dronë ndaj civilëve rusë, duke e akuzuar Kievin se po tenton të “pengojë” përpjekjet për paqe.

“Në të njëjtën kohë, regjimi i Kievit, me mbështetjen e disa vendeve evropiane, ka ndërmarrë një sërë masash provokuese që synojnë të shkaktojnë dështimin e procesit të negociatave”, tha ministria në një deklaratë.

Rusia deklaroi se që nga 20 maji, Ukraina ka “shumëfishuar sulmet me ndihmën e dronëve dhe raketave” kundër objekteve civile në Rusi.

Kievi e ka akuzuar Rusinë se po tenton të shmangë përgjegjësinë për vrasjet.

“Duhet t’i japim fund kësaj pritjeje të pafund – Rusisë duhet t’i vendosen më shumë sanksione”, tha të martën në Telegram, Andriy Yermak, shef i stafit të presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky.

Pushtimi rus i Ukrainës, i nisur në shkurt të vitit 2022, deri më tani ka lënë të vrarë dhjetëra mijëra persona dhe ka shkaktuar shkatërrime të mëdha në pjesët lindore dhe jugore të Ukrainës.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›