E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Mjeket Daja – Teferiçi: 280 000 doza vaksine antigrip të shpërndara, asnjë efekt anësor

TIRANË, 20 janar/ATSH/ Në një podkast të ditës së sotme, mjeket Rovena Daja, shefe e Programit të Vaksinimit pranë Institutit të Shëndetit Publik dhe mjekja kardiologe pranë QSUNT-së, Daniela Teferiçi kanë folur për rëndësinë e vaksinës antigrip në popullatë dhe sidomos te grupet e riskut.

Sipas mjekes Daja, vaksina kundër gripit ka ardhur në Shqipëri në javën e fundit të shtatorit dhe ka nisur shpërndarja në fillim të tetorit. Rreth 280 mijë doza janë shpërndarë nëpër qendrat shëndetësore në vend, ndërsa vaksina është katërvalente që do të thotë se krijon një mbulim më të mirë të virusit A të gripit që po qarkullon tani.

“Jam shumë e ndjeshme ndaj vaksinimit sepse në fund të fundit nuk prek vetëm pacientë që vuajnë nga një sëmundje kronike, por edhe personat e shëndetshëm. Individët mbi 65 vjeç apo ata me probleme vaskulare, pulmonare apo kronike kanë risk më të lartë për t’u prekur nga komplikacionet e gripit. Jam shumë partizane për pacientët, por edhe për individët nga 18-65 vjeç sepse është parë nga studimet dhe meta analizat që kjo vaksinë ul me 20% vdekshmërinë tek personat me probleme kardiovaskulare dhe ata me probleme të gripit”, thotë mjekja Teferiçi në podkastin e publikuar në rrjetet sociale.

Shefja e Programit të Vaksinimit pranë ISHP-së, Rovena Daja thotë se të parët që vaksinohen janë personeli shëndetësor.

“Që në 2014 që kemi filluar të aplikojmë vaksinën kundër gripit në personelin shëndetësor shoh që mbulesa vaksinale është rritur dhe në vitin e kaluar e kishim 60% mbulimin. Duhet të kujtojmë që jemi në kontakt me pacientët, infektojmë dhe ata, mund ta çojmë gripin në familje, por nëse sëmuremi krijojmë pengesë në punë për shkak të mungesës disa ditore kur je i/e sëmurë, ndaj shihet një rritje e ndërgjegjësimit për kryerjen e kësaj vaksine në radhët e mjekëve”, thotë Daja.

Moskryerja e vaksinës antigrip, sipas mjekeve, te personat me probleme kardiovaskulare sjell edhe një mori problematikash shëndetësore që në rastet më të rënda, përfundojnë dhe në fatalitet për jetën.

“Kur prekemi nga gripi, kemi një inflamacion të pakontrolluar që çon në rritje të trombozave në tru, edhe në arteriet koronare. Ata që janë me probleme respiratore dhe në moshat mbi 65 vjeç një pneumoni e vogël prish ekuilibrin e funksionimit të organeve. Të gjithë personat me probleme të imunitetit, kardiovaskulare, mbi 65 vjeç apo fëmijët deri 12 vjeç, të gjithë duhet ta bëjnë këtë vaksinë”, thekson mjekja Teferiçi.

Sipas mjekes Teferiçi, të gjithë pacientët me diagnoza të përcaktuara duhet ta bëjnë vaksinën antigrip, sepse përfitimi për parandalimin e fataliteteve me jetën është i dukshëm.

Ndërkohë, mjekja Daja thotë që nuk ka asnjë efekt anësor pas kryerjes së vaksinës, përveçse një dhimbjeje krahu ose temperaturë të lehtë gjatë 24 orëve.

“Kjo ndodh, sepse përgjatë dy javëve pas vaksinimit krijohen antitrupat që sjellin mbrojtje nga gripi për gjashtë muaj të tjerë. Vaksinohuni që të shmangi shtrimin në spitale dhe përfundimet fatale nga prekja e gripit. Vaksinimi vazhdon edhe është falas në të gjitha qendrat shëndetësore të vendit”, thotë Daja.

/a.f/r.e/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›