E Diel, 1 Nëntor 2026

Mjekët: Po punojmë me vështirësi, s'vendosim dot diagnozat

Mjekët pohojnë se mungesat e analizave dhe ekzaminimeve në spital po i vuajnë edhe ata, pasi e kanë të vështirë të vendosin diagnozat

Mungesa të akteve spitalore tashmë edhe i analizave, të cilat janë fare elementare po i sjell probleme, jo vetëm pacientëve, por edhe vetë bluzave të bardha, pasi këta të fundit pohojnë se po punojnë në kushte shumë të vështira.


Madje, bluzat e bardha pohojnë se vendosja e diagnozave po realizohet vetëm falë aftësive të mjekëve, pasi analizat dhe ekzaminimet në spital në shumicën e rasteve mungojnë.


"Pacientët e shtruar nuk po realizojnë të gjitha analizat. "Jemi përballë faktit se po punojmë si në kohën e Hipokratit dhe diagnozat po i vendosim me hamendësime.


Pacientët po marrin shërbim vetëm falë aftësive të mjekëve, pasi procesi i realizimit të analizave është në krizë dhe kjo po ndikon negativisht, jo vetëm mbi shëndetin e pacientëve, por mbi të gjitha po vështirësohet së tepërmi edhe puna jonë", shpjegojnë mjekët e QSUT-së, të cilët theksojnë se duhet të merren masa sa më shpejt për t'i dhënë fund kësaj situate.


Sipas tyre, problemi vështirësohet, sidomos kur kanë të bëjnë me sëmundje tepër specifike që duhet në mënyrë të domosdoshme që të vendosen diagnozat me anë të analizave. Madje, problemi, po sipas mjekëve, bëhet akoma më evident kur këto mangësi janë pikërisht për pacientët e shtruar në spital.


"Spitali më i madh në vend është kthyer si në poliklinikë lagjeje, pasi këtu pacientët nuk munden të realizojnë as edhe analizën më elementare. Kjo është vërtetë skandaloze, ndaj dhe duhen marrë masa sa më shpejt për të përmirësuar situatën", theksojnë mjekët.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›