Raporti i SHISH: Mafia po sponsorizon politikanë

Raporti i SHISH: "Krimi i organizuar dhe shërbimet sekrete kanë sponsorizuar për emërimin dhe ngjitjen në karrierë të qeveritarëve dhe politikanëve"
TIRANË - Nënkryetari i Grupit të PS, Saimir Tahiri, ka zbardhur detaje të reja të raportit të Shërbimit Informativ Shtetëror, i cili u lexua me dyer të mbyllura nga kryetari Bahri Shaqiri në Komisionin e Sigurisë.
Deputeti Tahiri tha se në raportin e SHISH thuhet se mafia, krimi organizuar dhe shërbimet sekrete të vendeve të huaja, kanë sponsorizuar për emërimin dhe ngjitjen në karrierë të qeveritarëve dhe politikanëve. Sipas raportit të SHISH, këta persona vazhdojnë ende të mbajnë lidhje të ngushta me sponsorizuesit e tyre, mafian, krimin e organizuar dhe shërbimet sekrete të vendeve të huaja.
"Kryetari i Shërbimit Informativ Shtetëror, në komisionin parlamentar të sigurisë kombëtare, deklaroi me përgjegjësi të plotë se vitin e kaluar mafia, krimi organizuar dhe shërbimet sekrete të vendeve të huaja, kanë sponsorizuar për emërimin dhe ngjitjen në karrierë të qeveritarëve dhe politikanëve, dhe se po këta qeveritarë, sot vazhdojnë ende të mbajnë lidhje të ngushta me sponsorizuesit e tyre, mafia, krimi i organizuar dhe shërbimet sekrete të vendeve të huaja", - u shpreh deputeti Tahiri, teksa zbardhi një pjesë të raportit të SHISH të lexuar me dyer të mbyllura në Komisionin e Sigurisë.
Sipas deputetit socialist, për këtë çështje ka marrë dijeni Kryeministri dhe Presidenti i Republikës. Nënkryetari i grupit parlamentar të PS theksoi se me gjithë informacionet, as kryeministri dhe as presidenti ende nuk ka marrë asnjë masë ndaj këtyre qeveritarëve e politikanëve që, sipas tij, i emëron dhe i përdor mafia, krimi i organizuar dhe agjenturat e huaja.
Partia Socialiste kërkoi bërjen publike dhe marrjen e masave ndaj të gjithë atyre qeveritarëve që janë identifikuar nga Shërbimi Informativ Shtetëror si të lidhur me mafien, krimin e organizuar dhe shërbimet sekrete të huaja.
Gjithashtu, PS kërkoi detajimin e plotë dhe sqarimin shterues të deklaratave të pasurisë për të gjithë ata, të lidhur ose jo me kryeministrin që, sipas socialistëve, kanë fituar miliona euro gjatë këtij viti.
Ndërkohë, në raportin e paraqitur nga drejtori i SHISH, Bahri Shaqiri, para deputetëve të Komisionit të Sigurisë Kombëtare të Kuvendit thuhej se organizatat mafioze kalabreze ndërveprojnë me shtetas shqiptarë nga një qark ndër më të mëdhenjtë e më të pasurit në Shqipëri. "Grupe kriminale kazaleze (napoletane) po shprehin dëshirën të investojnë në Shqipëri në drejtim të ngritjes apo blerjes së kazinove, ashtu siç në Malin e Zi dhe Maqedoni.
Organizata mafioze "Ndrageta" nëpërmjet disa lidhjeve të saj, shtetas italianë të paraqitur në Shqipëri si investitorë të rëndësishëm, po synojnë investimin në fushën e ndërtimeve" citohej në raport.
Raporti paralajmëronte se qëllimi i veprimtarisë së këtyre organizatave ishte rritja e aksesit politik dhe ekonomik, pasi konsiderohet si një ndër elementët prioritarë në realizimin e pretendimeve në momentin oportun, për dominim në dëm të interesave tona kombëtare.
LSI mbledh kryesinë dhe kërkon ndryshime në Kodin Elektoral. Miratohen kandidaturat për kreun e Tiranës
Meta: Zgjidhja e krizës, ndryshimi i Kodit
TIRANË - Në një kohë kur klasa politike shqiptare akoma nuk i ka dhënë zgjidhje situatës politike, partia e dytë në pushtet, Lëvizja Socialiste për Integrim po shikon gjithnjë e më shumë drejt zgjedhjeve vendore të vitit të ardhshëm, duke këmbëngulur në reformimin e sistemit elektoral. Reformimi i sistemit zgjedhor, sipas LSI, është rruga kryesore për zgjidhjen e ngërçit politik, që vazhdon prej më se një viti.
Për këtë arsye, në mbledhjen e djeshme të kryesisë së kësaj partie, kryetari Ilir Meta ka specifikuar qëndrimin e tij, se Partia Socialiste duhet të bëhet pjesë e reformimit të kuadrit ligjor të zgjedhjeve në mënyrë që të realizohet, sipas tij, edhe kërkesa për transparencën e zgjedhjeve.
Lideri i Lëvizjes Socialiste për Integrim e ka lidhur zgjidhjen e krizës politike me domosdoshmërinë e ndryshimeve në Kodin Zgjedhor që, sipas tij, opozita duhet t'i bashkohet këtij procesi, me qëllim që të realizohen edhe pretendimet e saj për zgjedhjet e 28 qershorit të vitit të kaluar. Sipas Metës, kjo strategji do ta bëjë opozitën që të mos i shmanget reformimit të sistemit zgjedhor duke nxjerrë justifikime.
"Një listë me rekomandime nga OSBE-ODIHR-i, është publike dhe i fton të gjitha forcat politike që të përfshihen për t'i shndërruar ato në amendamente.
Në radhë të parë, besoj se kjo fton Partinë Socialiste, si forcën kryesore opozitare në vend, e cila ka ngritur pas zgjedhjeve dhe shqetësim më shumë për zgjidhjen e transparencës.
Nuk mund të zgjidhet çështja e transparencës pa i dhënë kuadrin ligjor. Kjo i bën ata që të mos vazhdojnë më me pretekste për të shmangur reformimin e sistemit zgjedhor", - tha dje Meta.
Kryetari i LSI-së e ka cilësuar reformimin e sistemit zgjedhor një nga prioritetet e partisë që ai drejton, për faktin sepse LSI kërkon që të bëhet faktor në zgjedhjet e ardhshme midis dy forcave kryesore politike, PD dhe PS. Sipas Metës, ata që realisht kërkojnë transparencë duhet që t'i bashkohen këtij procesi për të rregulluar problemet që u shfaqën gjatë zgjedhjeve të fundit parlamentare.
Kryesia e LSI në mbledhjen e saj miratoi dy kandidaturat për kreun e Tiranës, të cilët janë Edmond Panariti dhe Shezai Rrokaj si dhe sekretarët rajonalë, ku për qarkun e Shkodrës është caktuara Nora Malaj, për qarkun e Korçës, Leonard Beqiri, Besjan Pesha për Gjirokastrën dhe Edmond Hoxha për qarkun e Dibrës.
STRASBURG - Parlamenti Europian do të diskutojë dhe miratojë ditën e sotme Rezolutën mbi perspektivën europiane për Shqipërinë, ku diskutimi kryesor pritet që të jetë edhe situata politike në vend.
Rezoluta, e cila u përgatit nga raporteri për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Nikolas Kuntis, u miratua pothuajse me një konsensus të plotë nga Komiteti i Punëve të Jashtme, do të paraqitet pasditen e sotme në seancën plenare të Parlamentit, ku eurodeputetët do të diskutojnë midis tyre për të miratuar më pas edhe dokumentin në fjalë.
Por, pavarësisht kalimit në Komisionin e Punëve të Jashtme të PE-së ku u dha edhe drita jeshile për vijimin e procesit të liberalizimit të vizave, ajo që mbetet ende shqetësuese është kriza politike midis mazhorancës dhe opozitës shqiptare, të cilat nuk po arrijnë të gjejnë gjuhën e përbashkët prej një viti, për vendosjen e stabilitetit politik dhe institucional.
Në këtë mënyrë, edhe ditën e sotme situata politike do të jetë në qendër të vëmendjes së faktorit ndërkombëtar.
Amendamentet që i ishin bashkëngjitur Rezolutës, në Komitetin e Punëve të Jashtme në PE u zëvendësuan nga të ashtuquajturat "amendamente kompromisi", duke mos kushtëzuar në këtë mënyrë heqjen e regjimit të vizave nga kriza politike.
Përpos miratimit të këtyre amendamenteve, ajo që mbetet për t'u specifikuar nga Parlamenti Europian ditën e sotme, është çështja e statusit kandidat për Shqipërinë, pasi kjo e fundit duhet domosdoshmërisht të zgjidhë krizën politike për të përmbushur kriterin politik sipas kritereve të Kopenhagenit.