E Martë, 3 Nëntor 2026

Mjekët e Onkologjikut nën hetim, nuk mjekonin pacientët me tumor, por i çonin te privati

Shtatë mjekë dhe punonjës të Qendrës Spitalore Universitare Nënë Tereza u vunë nën hetim, pasi në bashkëpunim me njëri-tjetrin, një pronar farmacie dhe një klinikë private, nuk u ofronin shërbim shëndetësor të sëmurëve me kancer në QSUT, por i transferonin te klinika mjekësore private.

Sipas Prokurorisë së Tiranës, bëhet fjalë për mjekët dhe administratorin e spitalit të Onkologjikut, që i çonin të sëmurët te klinika private me qëllime përfitimi.

Jo vetëm kaq, organi i akuzës saktëson, se në spitalin Onkologjik, te i cili u instalua një Aparaturë Kobalto-Terapie për trajtimin e të sëmurëve të  diagnostikuar me sëmundje tumorale, ai nuk u vu në punë, pasi ata nuk ndërtuan as bunkerin e posaçëm, ndërsa aparatura u vendos jashtë kushteve teknike.

Pjesë e skemës është zv/drejtoresha e QSUNT-së dhe 2 mjekë të spitalit të Onkologjikut dhe Koordinatori pranë këtij spitali.

Konkretisht, nën hetim janë: mjeku Edmond Gashi me masë sigurie “Arrest shtëpie”, Alketa Ymeri (Pere) mjeke me masën e sigurisë “Detyrim Paraqitje”, Emiljano Lela – Koordinator pranë Spitalit Onkologjik me masën e sigurisë “Detyrim Paraqitje”, Brikena Qirjazi, Zv/Drejtoreshe ne QSUNT me masën e sigurisë “Detyrim Paraqitje”, Drilona Kishta nën masën e sigurisë “Detyrim Paraqitje”, Florian Marku, administrator i Flori Farma dhe Halil Gashi.

Autoritetet kanë sekuestruar një klinikë private dhe 10 mijë euro ilaçe kondrabandë te farmacia.

Skema u zbardh nga përgjimet telefonike, vëzhgimet në terren, blerjet e simuluara, ashtu edhe me veprime te hapura hetimore, nga ku u faktua se  pacientëve nuk u jepej trajtimi i duhur mjekësor dhe drejtoheshin në klinika private.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›