Mjekët e urgjencës: Na mbroni me policë ose s’punojmë natën
zirina llambro
I kanë thënë mjaft kërcënimeve me jetë, grushteve e presioneve. Kërkojnë mbrojtje nga policia. Në të kundërt do të ndërpresin shërbimin 24 orë. Incidenti që ndodhi dje në orët e para të mëngjesit tek urgjenca e kardiologjisë ka rebeluar bluzat e bardha. Pas agresionit që ka pësuar mjeku i rojës me inicialet E.H., të gjithë bashkë kanë hedhur firmat në letrën dërguar drejtorisë së spitalit. "Urgjenca është kthyer në han me katër porta, s'ka as policë, as roje, mund të të vrasin dhe të mos kesh ndihmë nga askush. Prandaj i kërkojmë drejtorisë të rikthejë forcat e rendit. Kështu nuk punojmë më", pohuan për gazetën bluzat e bardha. Ata sqarojnë se deri 3 vjet më parë një postë policie ishte shumë pranë 6-katëshit dhe çfarëdolloj problemi që kishin ndërhyhej menjëherë. "Tani punojmë çdo natë nën presion, kemi pasur kërcënime me armë, me grushte, fjalë, ndjehemi të gjithë të pasigurt. Ajo që ndodhi dje mund të cilësohet banale krahasuar me ata çka përballemi çdo ditë", pohon mjeku kardiolog E.H., i cili një natë më parë ishte viktima e një agresioni që mund të përfundonte dhe më keq.
Incidenti
Dje rreth orës 02.00 të mëngjesit disa persona të dehur kanë sjellë për ndihmë mjekësore një të afërmin e tyre. Nga sa rrëfen mjeku i rojës dhe infermierët, sapo kanë hyrë në urgjence kanë nisur nga të bërtiturat dhe të sharat. "Merreni urgjent, se do ju bëjmë këtë e atë, mos t'i mungojë gjë se luani me kokë", janë kërcënimet me të cilat janë përballur mjekët. Ata shtojnë se dje urgjenca ka qenë plot dhe të gjithë pacientët e familjarët u shokuan nga situata. "Sa ngrija kokën për të thirr infermieren, më ulërinin të vazhdoja punën, duke më kërcënuar me grusht. Njëri prej tyre që ishte më esëll, i mbajti se ndryshe do më kishin goditur. Kësaj i thonë të të turpërojnë në krye të detyrës, është shumë e rëndë", vijon mjeku i rojës. Ai shton se, nuk është i vetmi që ka përjetuar këtë gjë. Kolegët pranojnë se urgjenca e kardiologjisë nuk ruhet nga askush dhe kërcënimet janë të përditshme. "Prandaj drejtoria duhet të marrë masa urgjent. Ne jemi mjekë, punojmë 24 orë dhe duam minimalisht siguri në punë. Të tjerat i kemi qarë me kohë", shprehen bluzat e bardha.