E Diel, 1 Nëntor 2026

Emigrantë të paligjshëm, 57 mijë shqiptarë të riatdhesuar

 

TIRANE - Plot 56 390 emigrantë shqiptarë me qëndrim ilegal në vende të tjera janë rikthyer në vend, që prej 1 majit të vitit 2006. Nga këta 14 463 janë përsëritës, pasi rezultojnë ta kenë kaluar kufirin shtetëror më shumë se një herë. Ndërsa vendet ku kanë emigruar ilegalisht shqiptarët kanë shtrirje të gjerë hapësinore, shteti grek vazhdon të qëndrojë në vend të parë, drejt së cilit vetëm gjatë vitit 2008 kanë kaluar ilegalisht kufirin rreth 5600 persona. Shifrat u bënë të ditura dje nga zëvendësdrejtori i Përgjithshëm për Departamentin e Policisë së Kufirit dhe Migracionit në Ministrinë e Brendshme, Pëllumb Nako i cili mori pjesë në konferencën Ndërkombëtare mbi Kthimin dhe Ripranimin. Konferenca u mbajt në kuadrin e projektit të "ngritjes së mekanizmave për zbatimin efektiv dhe të qëndrueshëm të Marrëveshjeve të Ripranimit mes Shqipërisë, Komunitetit Evropian dhe vendeve të treta të interesuara", që po zbatohet nën drejtimin e Ministrisë e Brendshme greke. Pjesëmarrës në konferencë ishin përfaqësues të partnerëve të projektit, të ministrive shqiptare të linjës, që trajtojnë çështje të kthimit dhe të ripranimit, të Komisionit Evropian, të vendeve të anëtare të BE-së, si dhe përfaqësues të ambasadave në Tiranë. Gjatë punimeve u evidentuan rezultatet e zbatimit të projektit të miratuar nga parlamenti shqiptar më 1 maj 2006, i cili përfundon në dhjetor të këtij viti, si edhe u prezantua një "manual për zbatim", i cili do të shërbejë si një "metodikë pune", për autoritetet qeveritare shqiptare të ngarkuara me procedurat e kthimit dhe ripranimit të emigrantëve.  a.b

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›