Mjeku mes njerëzve në Lekas, 73-vjeçari Ylli Qirinxhi në shërbim të të sëmurëve

Edhe pse 73 vjeç mjeku nga Korça Ylli Qirinxhi vazhdon t’i shërbejë komunitetit.
Pasioni për profesionin ka bërë që ai të vazhdojë të jetë në punë edhe në këtë moshë të thyer, madje duke qenë pranë njerëzve në një zonë të thellë malore siç është ajo e Lekasit në bashkinë e Korçës.
Pavarësisht vështirësive të cilat janë të shumta sidomos tani në stinën e dimrit, mjeku ka vendosur t’u shërbejë banorëve të 15 fshatrave të kësaj krahine.
Për të kryer detyrën e tij si mjek i duhet të ecë me orë të tëra në dëborë e në shi, për të shkuar tek familjet që kanë probleme shëndetësore në këtë zonë, por siç thotë mjeku pasioni del mbi çdo vështirësi.
“Kënaqësia që ke për dhënien e shërbimit e eliminon vështirësinë dhe mendoj që këto janë disa nga arsyet që na bëjnë më të fortë dhe shumë afër njerëzve për t’i dhënë shërbim”, shprehet mjeku.
Mjeku nga Korça gëzon respektin e gjithë banorëve të zonës.
Përmes shembullit të tij, 73-vjeçari përcjell një mesazh për shumë të rinj, që të mos zgjedhin të largohen, por të shërbejnë në vendin e tyre.
RTSH