E Diel, 1 Nëntor 2026

Mjete taktike “Made in Albania” për FA, Veliu: Hap drejt industrisë kombëtare të mbrojtjes

TIRANË, 31 korrik /ATSH/ Drejtori i përgjithshëm i KAYO sh.a., Ardi Veliu, i pranishëm në ceremoninë e zhvilluar sot në Tiranë për dorëzimin e 40 mjeteve të para taktike të prodhuara në Shqipëri sipas standardeve të NATO-s nga kompania “TIMAK Defense”, e cilësoi këtë moment si një etapë të rëndësishme në zhvillimin e industrisë vendase të mbrojtjes.

Në aktivitetin ku mori pjesë edhe Kryeministri Edi Rama, Veliu tha se vetëm një vit më parë, në gusht 2025, KAYO sh.a., në bashkëpunim me TIMAK sh.p.k., hodhi themelet e krijimit të shoqërisë “TIMAK Defense”, me synim zhvillimin e kapaciteteve prodhuese në fushën e automjeteve ushtarake.

“Brenda një periudhe vetëm prej një viti, kjo shoqëri arriti të ndërtojë strukturën e nevojshme prodhuese, të krijojë ekipet profesionale, të transferojë teknologjinë dhe të vendosë bazat e një industrie moderne të përshtatjes së automjeteve ushtarake në vendin tonë”, u shpreh Veliu.

Sipas tij, dorëzimi i 35 automjeteve të lehta taktike dhe 5 kamionëve vetëshkarkues për Forcat e Armatosura është dëshmi se partneriteti, profesionalizmi dhe përkushtimi sjellin rezultate konkrete.

“Ky nuk është vetëm përmbushja e një kontrate. Ky është një hap i rëndësishëm në zhvillimin e industrisë sonë të mbrojtjes, në rritjen e kapaciteteve prodhuese kombëtare dhe në forcimin e aftësisë së vendit tonë për të ndërtuar e zhvilluar teknologji strategjike”, theksoi ai.

Veliu falënderoi Kryeministrin Edi Rama, Ministrinë e Mbrojtjes, Forcat e Armatosura dhe partnerët e “TIMAK Defense” për mbështetjen dhe bashkëpunimin, si edhe punonjësit që kontribuan në realizimin e projektit brenda një kohe të shkurtër.

Ai nënvizoi se KAYO do të vijojë investimet në zhvillimin industrial, teknologji dhe partneritete strategjike, me synimin për të ndërtuar një industri shqiptare të mbrojtjes më të fortë dhe konkurruese.

/e.xh/a.f/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›