Kingji: Mjetet e reja taktike rrisin kapacitetet operacionale të Forcave të Armatosura

TIRANË, 31 korrik /ATSH/ Forcat e Armatosura morën sot në dorëzim nga “Timak Defence” 40 mjetet e para taktike ushtarake të prodhuara në Shqipëri sipas standardeve të Aleancës së Atlantikut të Veriut (NATO).
Në ceremoninë e dorëzimit të 40 mjeteve të para ushtarake të prodhuara në Shqipëri, 5 kamionë vetëshkarkues dhe 35 mjete Toyota Land Cruiser 4×4, ishin të pranishëm kryeministri Edi Rama, ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjenerallejtnant Arben Kingji, administratori i KAYO-s Ardi Veliu, si dhe sipërmarrësja e “Timak Defence”, Arjeta Puça.
Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjenerallejtnant Arben Kingji në fjalën e tij u shpreh se marrja në dorëzim e këtyre mjeteve do të thotë shtim të kapaciteteve të sigurisë në vend.
“Forcat e Armatosura marrin sot në dorëzim lotin e parë të automjeteve taktike të lehta. Këto mjete shkojnë përtej funksionit të transportit, ato përfaqësojnë një kapacitet të ri operacional dhe një hap konkret në modernizimin e Forcave të Armatosura dhe zhvillimin e industrisë sonë të mbrojtjes”, tha Kingji.
“Për herë të parë industria jonë e mbrojtjes konfiguron, monton dhe kompleton automjete taktike ushtarake sipas kërkesave tona operacionale. Ky zhvillim është pjesë e reformave në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë. Ai mbështet modernizimin e Forcave të Armatosura me armatim, pajisje, sisteme dhe platforma bashkëkohore”, u shpreh ai.
“Këto mjete rrisin lëvizshmërinë dhe mbështesin kërkesat e NATO-s dhe Bashkimit Evropian për lëvizje të shpejtë, të sigurt e të koordinuar të forcave dhe mjeteve. Me finalizimin e dy loteve rinovohet gradualisht flota ekzistuese me mjete të lehta, të mesme, të rënda dhe mjete speciale”, thekson Kingji.
Sipas tij, “ne nuk po zëvendësojmë vetëm automjetet, por po përmirësojmë mënyrën se si lëvizin trupat, si mbështetet personeli dhe si ruhet ritmi i operacioneve luftarake dhe joluftarake”.
“Në emër të Shtabit të Përgjithshëm dhe Forcave të Armatosura shprehim mirënjohjen për mbështetjen e qeverisë dhe Ministrisë së Mbrojtjes në zhvillimin e burimeve njerëzore dhe kapaciteteve ushtarake. Në këtë kontekst vlerësoj kontributin e KAYO-s dhe TIMAK Defence në realizimin e këtij projekti, si dhe bashkëpunimin me partnerët vendas dhe ndërkombëtarë.
Ky angazhim i përbashkët po shndërron kërkesat operacionale në kapacitete mbrojtëse. Marrja e tyre në përdorim, përveç të tjerave, do të sjellë tri efekte operacionale: më shumë lëvizshmëri për trupat, më shumë siguri për personelin, si dhe më shumë gatishmëri për misionin”, u shpreh Kingji.
Ai u shpreh se “sipas kushteve dhe detyrave të misionit, ato mund të konfigurohen për veprime luftarake, zbulim, komandim-kontroll, ndërlidhje, logjistikë dhe funksione të tjera operacionale.
Në operacionet e emergjencave civile, këto kapacitete do të rrisin efektivitetin e reagimit ndaj zjarreve, përmbytjeve, kërkim-shpëtimit dhe situatave kritike, veçanërisht në zonat me akses të vështirë. Ndërsa në operacionet e NATO-s dhe Bashkimit Evropian rrisin aftësinë për dislokim dhe ndërveprim të kontingjenteve tona sipas standardeve të përbashkëta në operacione shumëkombëshe”.
“Përfitimet shtrihen edhe në dimensionin teknik dhe ekonomik. Konfigurimi, montimi dhe kompletimi brenda vendit shkurtojnë zinxhirin e furnizimit dhe ulin koston e ciklit jetësor. Tipizimi gradual i automjeteve lehtëson mirëmbajtjen, furnizimin afatgjatë me pjesë këmbimi dhe standardizimin sipas kërkesave të NATO-s. Të gjitha këto rrisin qëndrueshmërinë dhe sigurojnë gatishmërinë afatgjatë të mjeteve”, tha Kingji.
Sipas tij, “tashmë përgjegjësia jonë është e qartë: t’i kalojmë në përdorim operacional, t’i shfrytëzojmë me efektivitet dhe të ruajmë gatishmërinë e tyre. Modernizimi nuk matet vetëm me armatim, pajisje dhe sisteme të reja që po marrim; ai matet me gatishmërinë që mbajmë dhe misionet që përmbushim. Ky është rezultati që kërkojmë: një forcë moderne, e stërvitur, e pajisur dhe e gatshme për të reaguar më shpejt dhe me efektivitet në çdo kohë dhe në çdo mjedis ushtarak”.
1 nga 5/a.f/r.e/