E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Modeli i PS-së kthim mbrapa - skema e Sigurimeve Shëndetësore, model i suksesshëm dhe pa borxhe”

13-02-2013 / Gazeta 55

Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor u përgjigjet akuzave të Partisë Socialiste

“Aktualisht, skema e sigurimeve shëndetësore që menaxhohet nga ISKSH, është e qëndrueshme financiarisht, pa asnjë borxh (ndryshe nga trashëgimia që patëm në vitin 2005) dhe ka shtuar përfitimet për popullatën”

Skema e sigurimeve shëndetësore është një model i suksesshëm në vendet e Bashkimit Europian e më gjerë dhe Shqipëria po hedh hapa të sigurt me një strategji afatgjatë në këtë drejtim.
Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor u është përgjigjur dje akuzave të Partisë Socialiste, lidhur me skemën e sigurimeve shëndetësore.
“Aktualisht, skema e sigurimeve shëndetësore që menaxhohet nga ISKSH, është e qëndrueshme financiarisht, pa asnjë borxh (ndryshe nga trashëgimia që patëm në vitin 2005) dhe ka shtuar përfitimet për popullatën. Mjafton të përmendim rritjen e fondit për rimbursimin e barnave, i cili është rritur me 2.5 herë që nga viti 2005, duke shtuar numrin e barnave në listë me 159 barna dhe duke zgjeruar popullatën përfituese”, shprehet ISKSH përmes një deklarate për mediat.
Lidhur me masën e kontributit në ligjin e ri të sigurimeve shëndetësore, ISKSH sqaron se “ajo ka mbetur e pandryshuar, është 3.4 për qind dhe vijon të jetë kështu edhe në ligjin e ri, ku gjysma paguhet nga punëdhënësi dhe gjysma nga punëmarrësi. Edhe pse janë më të ulëtat në rajon, ishte vendim i Qeverisë, që edhe në ligjin e ri, të ruhej e njëjta masë kontributesh. Ne i qëndrojmë skemës kontributive, e cila është një skemë funksionale në vendet e Bashkimit Europian, pasi dihet saktësisht financimi që shkon për shëndetësinë”, vijon më tej deklarata e këtij instituti.
Megjithatë, sipas ISKSH, duhet theksuar se, aktualisht, të gjitha kategoritë në nevojë mbulohen nga Qeveria, e cila paguan 76 për qind të fondeve totale dhe vetëm 24 për qind vijnë nga kontributet në buxhetin e ISKSH-së.
Sa i takon të papunëve, e gjithë kjo kategori është e mbuluar nga Qeveria për shërbim shëndetësor. Një i papunë duhet të marrë statusin si i tillë pranë zyrave të punës dhe menjëherë mund të hapë librezën e shëndetit dhe i përfiton shërbimet shëndetësore falas, kostot e të cilave i paguan Qeveria, sqaron ISKSH.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›