E Diel, 1 Nëntor 2026

Modesti Tare

Igli Tare është treguar mjaft modest, pasi ka refuzuar t’i marrë meritat, për momentet pozitive që po kalon Lazio këtë sezon. Pesë fitore nga shtatë ndeshje në kampionat, një lojë e pëlqyeshme, lojtarë të kalibrit të Kloses, që shënon vazhdimisht, i ndihmuar nga Hernanes në formë. Kjo skuadër Biancoceleste është vërtetë një ‘bend’, ose më mirë të themi një orkestër, e cila funksionon për mrekulli.

“Nuk është një çështje individualësh, sepse nëse një skuadër bëhet orkestër, me të gjithë interpretuesit që veprojnë në perfeksion, atëherë gjithçka transformohet në një kënaqësi të madhe”, ka thënë Tare për ‘Leggo’.

Ai e ka falënderuar presidentin e klubit, Claudio Lotito, i cili e ka ndihmuar në profesionin e ri, atë të drejtorit sportiv, pasi e mbylli karrierën si futbollist, vite më parë. “Presidenti ka besuar gjithmonë në mua, kundër gjithçkaje dhe të gjithëve. Kjo më ka ndihmuar shumë sepse, kur duhet të punosh në një vend të vështirë si Roma, nëse e ke besimin e klubit, shkon përpara në rrugën tënde pa i dëgjuar shumë kritikat”, vazhdoi Tare.

Shumë njerëz pyesin se a është ky ekip mjaftueshëm cilësor për t’u kualifikuar në Ligën e Kampionëve, të cilën e lëshoi nga duart në dy sezonet e fundit? “Ne duhet ta konfirmojmë se sa të mirë jemi, duke vazhduar në këtë rrugë. Duhet të qëndrojmë me këmbët në tokë, sepse asnjëherë sikur këtë sezon, kampionati është i ekuilibruar. Ne duam ta shijojmë ditën, duke menduar lojë pas loje, pa ëndërruar shumë”, përfundoi Tare.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›