Moisiut i hiqen privilegjet, mbetet me pension pleqërie

Ish-presidenti Alfred Moisiu humbet privilegjet paspresidenciale duke filluar nga eskorta e sigurisë së tij deri te gjysma e pagës së përfituar si ish-kryetar shteti. Në datën e fundit të muajit korrik 2010, ish-presidentit të Republikës, Alfred Moisiu i është hequr eskorta e gardës dhe 50% e pagesës mujore presidenciale që merrte pas lënien së mandatit. Për tre vite rresht, ish-kreu i shtetit shqiptar kishte nën shërbimin e tij dy bodyguard, një shofer, një automjet dhe merrte 50% të pagesës së tij si President. Që prej 1 gushtit 2010, ish-kreu i shtetit do të paguhet tashmë si një pensionist. Shqipëria është ndër rastet unike që nuk i siguron një ish-funksionari të lartë të shtetit një mbrojtje apo pagesë ekstra siç ndodh në vendet e zhvilluara. Përpos mungesës së ligjit organik të Presidentit mungon edhe ligji paspresidencial. Presidenti i parë i pluralizmit, Ramiz Alia, i zgjedhur në vitin 1991, nuk ka përfituar asnjë ditë të vetme eskortë apo pension paspresidencial nga shteti pas lënies së mandatit. Sali Berisha, ish-president i Republikës së Shqipërisë i zgjedhur në vitin 1992-1997, pesë vitet e ardhshme (1997-2002) ka pasur nën shërbimin e tij eskortë presidenciale dhe trajtimin financiar mujor si ish-president i Republikës. Ndërsa për Berishën eskorta presidenciale e Gardës së Shqipërisë ka qenë nën funksionin e tij për pesë vjet, për ish-presidentin Rexhep Meidani, ‘benefitet’ paspresidenciale kanë zgjatur për katër vjet pas ndryshimit të ligjit. Për ish-presidentin Alfred Moisiu eskorta paspresidenciale e ka shoqëruar për 3 vjet. Në korrik të 2007-s i ka dorëzuar mandatin pasardhësit të tij, Bamir Topi, dhe në fundin e muajit korrik 2010 atij i janë ndërprerë të gjitha shërbimet që përfitonte si ish-president i Republikës së Shqipërisë.
Siguria e ish-presidentëveMund të jetë një çështje kapaciteti ose dinjiteti fakti që shtetit shqiptar nuk ofron të njëjtin standard siç ndodh në vendet e ndryshme të botës për mbrojtjen e personaliteteve të larta që kanë lënë detyrën. Ish-funksionarët e lartë të shtetit, kalimi i kohës i lë në harresë pa përfillur të kaluarën e tyre dhe kompetencat që kanë pasur. Ndryshe nga praktikat që ndiqen në vendet e ndryshme, ku për shembull në Rusi, për një ish-kryetar shteti shpenzohet 300 mijë euro në vit për të zhvilluar veprimtarinë e tij, për të pasur mbrojtje apo shërbime të tjera, në Shqipëri situata është krejt ndryshe. Presidentët në të gjithë botën kanë një status shumë të veçantë, kanë një eskortë të përhershme dhe një shërbim special. Shqipëria është shumë hapa mbrapa në këtë drejtim. Në vendin tonë nuk ka ende një ligj presidencial, që të përkufizojë më pas edhe ligjin paspresidencial dhe kompetencat dhe shërbimet që duhet t’i garantohen një ish-funksionari të lartë të shtetit si ish-presidenti. I njëjti problem ndodh edhe më ish-prokurorin e Përgjithshëm dhe ish-shefin e Shërbimit Sekret. Me ndërtimin e një ligji organik presidencial, priten që të përkufizohen edhe shërbimet që pret të përfitojë një ish-kryetar shteti. Aktualisht, ish-presidenti, Ramiz Alia jeton me pension në shtëpinë e vajzës së vet, ish-presidenti Moisiu sapo është radhitur mes 2000 pensionistëve të rinj që do të marrin pension pleqërie duke filluar nga 1 gushti, ish-presidenti Rexhep Meidani nuk disponon eskortë presidenciale dhe ushtron veprimtarinë e tij si pedagog, ndërsa ish-presidenti Sali Berisha drejton partinë më të madhe në vend dhe ushtron funksionin e kryeson kabinetin qeveritar në mandatin e tij të dytë.
Garda e RepublikësJanë rreth 100 punonjës të Gardës së Republikës së Shqipërisë që kujdesen për mbrojtjen e personaliteteve të larta. Shteti shqiptar paguan mesatarisht rreth 400 mijë euro në vit për të garantuar sigurinë e drejtuesve më të lartë të tij. Punonjësit e Gardës që kanë marrë përsipër këtë detyrë marrin në muaj një pagesë prej 35-50 mijë lekësh në muaj. Sipas ligjeve në fuqi, veç Presidentit, Kryeministrit dhe Kryetarit të Kuvendit, Garda e Republikës ruan dhe mbron me eskortë prokurorin e Përgjithshëm dhe ministrin e Brendshëm, zëvendëskryeministrin, kryetarin e Gjykatës Kushtetuese, kryetarin e Gjykatës së Lartë, kryetarin e Kontrollit të Lartë të Shtetit, drejtorin e Shërbimit Informativ të Shtetit dhe kryetarin e mazhorancës parlamentare, Garda e shoqëron me oficer e nënoficer shoqërues. Nënoficer shoqërues ka edhe për zv/kryetarët e Kuvendit. Gjithashtu, të gjithë ministrat e kabinetit qeveritar kanë në dispozicion nga një shofer shoqërues. Ndërsa kryetari i Bashkisë së Tiranës dhe kreu i partisë më të madhe të opozitës dhe ai i mazhorancës kanë në dispozicion nga një oficer shoqërues. Ndërkohë, truprojat e Gardës së Republikës kryejnë detyra edhe për ish-zyrtarët për një afat të caktuar kohor, sipas vendimeve të veçanta të Këshillit të Ministrave. Garda e Republikës së Shqipërisë ruan dhe mbron banesat e personaliteteve të larta shtetërore të vendit, selitë, rezidencat dhe objektet e tjera shtetërore. Sipas vendimit të Këshillit të Ministrave, nën mbrojtjen e Gardës së Republikës janë edhe banesat e personaliteteve të larta shtetërore, në funksion, të Presidentit të Republikës, Kryetarit të Kuvendit, Kryeministrit, zëvendëskryeministrit, Prokurorit të Përgjithshëm dhe ministrit të Brendshëm.
#