Sherri, plagosen djali dhe mbesa e zv.ministrit
Një sherr mes kushërinjsh në një lokal në Kavajë ka sjellë plagosjen e djalit dhe mbesës së zëvendësministrit të Kulturës dhe Sporteve, Dashnor Bajaziti. Darlien Bajaziti ka marrë plagë të lehta në pjesë të ndryshme të trupit, pavarësisht se në lokalin e tij është qëlluar me breshëri automatiku. E plagosur ka mbetur edhe mbesa e tij, vajza e vëllait të Dashnor Bajazitit, e cila është dërguar në spital, ndërkohë që policia ka arrestuar agresorin, që rezulton të jetë kushëri me të dëmtuarit.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur të premten në Kavajë, pavarësisht se zanafilla e sherrit është dhjetë ditë më parë. Sipas të dhënave policore, të premten është njoftuar se breshëri automatiku ishin shkarkuar mbi lokalin në pronësi të 36-vjeçarit Darlien Bajaziti, i cili është djali i Dashnor Bajazitit, aktualisht me detyrë zëvendësministër në Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, i njohur si mjeshtër i futbollit. Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë shkuar shërbimet e Komisariatit të Policisë së Kavajës, të cilat kanë gjetur të plagosur Darlienin dhe mbesën e tij 13-vjeçare, M. Bajaziti. Aty janë vënë në dijeni se një person kishte qëlluar me armë automatike nga rruga në drejtim të lokalit, por fillimisht nuk është identifikuar autori. Më tej, gjatë marrjes në pyetje ka mundur të identifikojë Armand Dervishin, 35 vjeç, i cili fshihej në Tiranë.
Nga ana tjetër, policia ka zbardhur gjithë ngjarjen, ndërkohë që dy të dëmtuarit janë dërguar në spital, ku ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Sipas të dhënave nga spitali, Darlieni dhe vajza e vogël nuk kanë marrë plagë me armë, por ata janë dëmtuar nga ciflat e xhamave të thyer nga të shtënat. Sipas të dhënave hetimore, konflikti ka nisur rreth dhjetë ditë më parë, mes Armand Dervishit dhe dajës së tij, i cili është vëllai i zëvendësministrit të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.
Policia shpjegoi se zanafilla e sherrit ka qenë banale, por natën e konfliktit me armë, ata po qëndronin bashkë në lokalin e 36-vjeçarit të dëmtuar. Aty, pasi kanë pirë me njëri-tjetrin, ku edhe kanë debatuar për çështje të ndryshme, janë acaruar dhe Armand Dervishi i ka kërkuar xhaxhait të Darlienit, që të dalin jashtë. Ai e ka refuzuar, duke u shprehur se ishte i pirë dhe se nuk merrej me të. Megjithatë, Dervishi nuk është dorëzuar, ku ka nisur ta thërrasë nga jashtë, por nuk ka marrë përgjigje. Në këto kushte, sipas policisë, mendohet se ai ka shkuar në banesën e tij, ka marrë një armë automatike tip “Kallashnikov” dhe është kthyer te lokali. Nga jashtë, pa paralajmërim, Armand Dervishi ka qëlluar me breshëri, me qëllim për të vrarë dajën e tij. Nga të shtënat është shkatërruar gjithë lokali, por fatmirësisht plumbat nuk kanë kapur njeri.
Më pas, 35-vjeçari nga Tirana është larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes, ndërkohë që dëshmitarët e tmerruar nga krismat, u kanë ofruar ndihmën e parë të dëmtuarve nga ciflat e ndryshme që kishin shkaktuar plumbat. Pas identifikimit të autorit, policia është lidhur me kolegët e Tiranës dhe Dervishi është kapur në zonën e Komisariatit Nr. 2. Sipas të dhënave policore, ai akuzohet për veprën penale të vrasjes me dashje të mbetur në tentativë dhe mbajtjes pa leje të armëve luftarake.
#