Momenti prekës në Shmil, arusha me këlyshin e saj përballet me trupat që po luftojnë flakët në Elbasan

Një moment mjaft i veçantë dhe prekës është regjistruar gjatë operacioneve intensive për shuarjen e zjarreve në qarkun e Elbasanit. Përveç përballjes së përditshme me vatrat e flakëve, trupat ushtarake në terren po dëshmojnë edhe momente nga jeta e egër detyruar të lëvizë për shkak të situatës me zjarret.
Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, ka shpërndarë në rrjetet sociale atë që e ka cilësuar si “Foto e ditës”. Në imazhin e dërguar nga vetë efektivët e angazhuar në terren, shihet një arushë së bashku me të voglin e saj duke kaluar mes për mes një rruge rurale në zonën e Shmilit dhe Lugaxhit në Elbasan.
Fotoja është shoqëruar me mesazhin e drejtpërdrejtë që trupat ushtarake i kishin dërguar ministrit nga vatra e zjarrit: “Gjatë operacionit kishte edhe kështu!”
“Foto e shkrepur sot në Shmil, Lugaxhi, Elbasan përgjatë operacionit për shuarjen e zjarreve nga trupat e Batalionit të Mbrojtjes nga Elementët Kimikë (#BMEC) të Komandës Mbështetëse. Mirënjohës për të gjithë efektivët e Forcave të Armatosura dhe Zjarrfikëse që janë angazhuar në këtë situatë kaq të vështirë për të ruajtur jetën e qytetarëve, pasuritë e tyre, por edhe pasuritë e jashtëzakonshme të florës dhe faunës të natyrës shqiptare,” shkruan Ministri Nufi.
Ndërhyrja e forcave operacionale dhe mjeteve të emergjencave civile në zonat malore të Elbasanit po vijon pa ndërprerje, ku përveç mbrojtjes së vendbanimeve dhe pronave, vëmendje e veçantë po i kushtohet edhe minimizimit të dëmeve në parqet natyrore dhe habitatet e kafshëve të egra.
/rtsh.al/