“Monitorim i shkollave me kamera inteligjente”, Rama: Vitin që vjen nisim menjëherë instalimin e sistemit

Kryeministri Edi Rama theksoi se vitin e ardhshëm do të nisë instalimi i sistemit të monitorimit të shkollave me kamera inteligjente, një projekt që po realizohet në bashkëpunim me Emiratet e Bashkuara Arabe.
Në një takim këshillues me prindër e mësues në shkollën “Halit Coka” në Kamëz, kreu i qeverisë tha se ky projekt ka rezultuar i suksesshëm në Emiratet e Bashkuara, ku është ulur ndjeshëm dhuna dhe bullizmi.
“Projekti i sigurisë së lartë përmes sistemit të kamerave inteligjente, të cilat falë një bashkëpunimi me Emiratet e Bashkuara Arabe, ku është instaluar me sukses të jashtëzakonshëm dhe ka rënie drastike të dhunës, bullizmit, sjelljeve, do të kemi mundësinë që të kemi në dorë një pasqyrë të të gjithë fëmijëve dhe mësuesve. Do të menaxhohet me protokolle të qarta por ama çdo prind që do të dojë të shikojë fëmijën e vet se si ka qëndruar në klasë ose nëse ka bërë ndonjë gjë që duhet ballafaquar, do ta bëjë. Po kështu, edhe mësuesit do të jenë edhe të monitoruar dhe të mbrojtur. Dhe unë kam shumë besim te sistemi se është fjala e fundit e teknologjisë. Brenda dhjetorit mbyllim marrëveshjen e financimit, menjëherë vitin e ardhshëm fillojmë me instalimin e këtij sistemi që do të na japë një dorë të madhe për të pasur të qartë se çfarë ndodh dhe për të monitoruar një rregull të thjeshtë: celulari nuk merret në klasë“, u shpreh Rama./abcnews.al