“Monstra”, anullohet marrja në pyetje e dëshmitarit të mbrojtur

Dështoi fillimi zyrtar i hetimeve për rastin “Monstra”. Përkundër paralajmërimeve të një dite më parë se sot do të merret në pyetje dëshmitari i mbrojtur, një gjë e tillë nuk ndodhi. Të kontaktuar nga ALSAT M, nga Gjykata Themelore Shkupi 1 njoftuan se për këtë rast mediumet do të njoftohen nëpërmjet komunikatës zyrtare nga Gjyqi.
Të pyetur nëse mund të pritet që sot të merret në pyetje dëshmitari i mbrojtur ose gjykata të njoftojë zyrtarisht me komunikatë, nga atje thanë se sot nuk pritet ndonjë gjë e tillë. Edhe avokati i pesë të arrestuarve për vrasjen e pesëfishtë në Smillkovcë, Naser Raufi nuk ka informata se kur do të merret në pyetje dëshmitari i mbrojtur.
Nëse edhe nesër nuk fillojnë hetimet për vrasjen e pesëfishtë në Smillkovcë, atëherë hetuesisë i mbeten edhe pesë ditë pune që të fillojnë hetimet dhe të ngrenë akuzën, në të kundërtën, në fund të javës së ardhshme sipas ligjit, nëse autoritetet nuk sigurojnë prova për ngritjen e akuzës, personat e arrestuar duhet të lirohen pasi ky është muaji i gjashtë i paraburgimit të tyre.
Në aksionin policor “Monstra” të datës 1 maj, policia arrestoi 20 persona, ndërsa vetëm 5 prej tyre, Alil Demirit, Afrim Ismailoviqit, të cilët gjenden në arrati si dhe Agim Ismailoviç, Rami Sejdi dhe Fejzi Haziri që janë në paraburgim, janë nën dyshimin për veprën e terrorizmit. Për këtë vepër ngarkohet edhe Haki Haziri, i cili gjithashtu gjendet në paraburgim që nga 8 maji.