E Shtunë, 31 Tetor 2026

Montobio: Marrëveshjet duhet të bëhen në Kuvend

I ftuar në një emision televiziv, ambasadori Montobio, vendi i të cilit mban presidencën e radhës së BE-së, e vlerësoi si një hap pozitiv futjen e opozitës në Parlament dhe dorëzimin e dy nismave ligjore nga ana e saj.

Sipas ambasadorit spanjoll, maxhoranca dhe opozita duhet të përfitojnë nga kjo situatë, në të kundërt vazhdimi i krizës do të jetë më kosto për vendin.

Situata politike në Shqipëri, sipas tij, duhet të tejkalohet nga lidershipi politik dhe duhet të ndërmerren veprime të caktuara që të mos ketë një ngërç politik që të kushtëzoj interesat kombëtare.

"Hapi i ndërmarrë është një prej veprimeve që ne po kërkonim dhe kjo na duket një gjë pozitive, pasi hap një dritare mundësish për zgjidhjen e krizës politike aktuale. Rezultati i diferencave politike duhet të jetë një marrëveshje", tha ambasadori Montobio.

Ai theksoi se "në çdo demokraci marrëveshjet politike përkthehen në ligje, ndaj fakti që ekziston një projektligj që është hedhur në tavolinë na duket faktor pozitiv".

"Ne mendojmë se situata mund të zgjidhet vetëm duke pasur vullnet politik për të bërë marrëveshje dhe atë duhet ta bëjë maxhoranca dhe opozita, të tjerët janë ndërmjetues", tha Ambasadori Montobio.

Një marrëveshje përfundimtare, sipas Ambasadorit Montobbio bën të mundur normalizimin e jetës politike dhe përqendrimin e përpjekjeve në hapat dhe sfidat që Shqipëria duhet të përballoj në një afat të shkurtër për të avancuar në realizimin e përspektivës së saj europiane.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›