E Diel, 1 Nëntor 2026

Moore: Marrëveshja fuqizon pavarësinë e Kosovës

Drejtori i Zyrës për Evropën Lindore dhe Jugore në Departamentin Amerikan të Shtetit, Jonathan Moore, deklaroi në një intervistë për RTK-në, se marrëveshja e arritur në Bruksel fuqizon pavarësinë e Kosovës. Ai theksoi se tani i mbetet qeverisë në Prishtinë dhe misioneve ndërkombëtare që ta zbatojnë këtë marrëveshje në terren, duke theksuar po ashtu se serbët në veri mund të shprehin pakënaqësi, porse marrëveshja duhet të zbatohet.Duke u përgjigjur në pyetjen se a jemi me të vërtetë në situatë kur të dyja palët janë fituese?, Moore tha se jJemi në pozitë shumë të mirë. Shumë punë është bërë që t'i sillnim edhe Kosovën edhe Serbinë në këtë pozitë të rëndësishme.

Punë e madhe është bërë nga Bashkimi Evropian nën udhëheqësin e baroneshës Ashton, kontribut i madh është dhënë nga udhëheqësit politikë dhe figurat kyçe nga Kosova dhe Serbia. Kryeministri Thaçi ka bërë një punë të shquar dhe ai ka qenë i përkrahur edhe nga parti të tjera politike në këtë proces. Blerim Shala mund të jetë krenar me punën e tij. Në anën serbe, kryeministri Daçiq, sigurisht duke punuar bashkë me zv.kryeministrin Vuçiq, ka arritur shumë. Pas nëntë rundeve të dialogut, jemi në një pikë pozitive, por natyrisht, shumë më shumë punë duhet bërë për ta zbatuar këtë marrëveshje.

Moore tha se SHBA-ja ka pasur një rol për ta ndihmuar procesin derisa është zhvilluar. Përqendrimi ka qenë në avancimin e perspektivave për në BE të Kosovës dhe Serbisë, si dhe në normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Ky është një cak kyç për Shtetet e Bashkuara dhe ne dëshirojmë të shohim të dyja shtetet duke rrugëtuar nëpër shtegun e BE-së. Ky proces e lehtëson këtë dhe kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme për të gjithë ne në Shtetet e Bashkuara.

Në pyetjen se a do të rrezikojë Kushtetutën e shtetit të Kosovës e dhëna se serbët në Kosovë tash do ta kenë komandantin rajonal të policisë në veri si dhe degë të Gjykatës së Apelit, Moore u përgjigj:

Kjo është një mënyrë tërësisht e përshtatshme për të arritur qëllimin e normalizimit të marrëdhënieve, të pasjes së institucioneve në veri që funksionojnë në mënyrë të duhur. Ky është një hap përpara. Do të duhet bërë më shumë hapa. Jemi mjaft të bindur se kjo marrëveshje do të jetë e suksesshme.

Moore mendon se Kosova nuk ka shkuar përtej Kushtetutës së saj. Sipas tij, kjo është mjaft në përputhshmëri me Kushtetutën e Kosovës si dhe me nevojat dhe dëshirat e çdonjërit në Kosovë për të qenë në një shtet të begatë dhe të suksesshëm që e shfaq sovranitetin dhe pavarësinë e tij. Dhe kjo respekton të gjitha këto parime.

Ndërsa duke u përgjigjur në pyetjen se çka mund të presë tash Kosova nga BE-ja? A mendoni se do të vijnë njohjet aq të dëshiruara nga pesë shtetet e BE-së? A ka ndonjë arsye tash që ato të jenë të bllokuara sërish?, Moore tha se ajo që është shumë e rëndësishme dhe çka është dërguar si mesazh i fuqishëm – jo vetëm duke iu falënderuar zyrtarëve në Kosovë por edhe Kethrin Ashtonit dhe kolegëve të saj në Bruksel – është besimi i madh në popullin dhe Qeverinë e Kosovës që kanë dhënë kontribute aq të rëndësishme në këtë dialog. Në nëntë sesione të ndryshme kanë vendosur ide të ndryshme në tavolinë, u janë përgjigjur profesionalisht pyetjeve dhe çështjeve që janë vënë në tavolinë nga Beogradi. Kjo u ka lënë përshtypje njerëzve në tërë Evropën. Ka të tillë që kanë thënë – mendoj në mënyrë shumë të pasaktë – se Evropa nuk e përkrahë Kosovën. Sigurisht, ne ndonjëherë dëgjojmë thashetheme se vetëm SHBA-ja përkrah Kosovën. Më duhet t’ju them se kjo nuk është e vërtetë, ne nuk e shohim këtë fare. Brukseli vërtet e respekton Kosovën, të ardhmen e saj dhe rrugëtimin e saj drejt BE-së. Kjo është një deklaratë shumë kuptimplote e Kosovës për shkak të mënyrës si janë zhvilluar diskutimet. Ju mund të vazhdoni ta ndërtoni këtë më tutje./Indeksonline/ 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›