E Diel, 1 Nëntor 2026

Paulmichl, konsul nderi i Kosovës në Salzburg

Pjesëmarrja e një numri të madh të konsujve të nderit të shteteve të ndryshme të botës të akredituar në Salzburg, e sidomos e atyre nga shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën, dëshmoi për interesimin e këtyre vendeve për aktivitetet e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Austri, si dhe për reputacionin e lartë që në opinionin austriak gëzon Konsulli i Nderit i Kosovës në Salzburg, Prof. Dr. Markus Paulmichl.Në sallën festive të qytetit të Sazlburgut, me pjesëmarrjen e shumë përfaqësuesve të qeverisë së Landit dhe strukturave komunale, intelektualëve, akademikëve si dhe një numri të madh të konsujve të nderit të shteteve të ndryshme të botës të akredituar në këtë qytet të njohur turistik të Austrisë, në mënyrë solemne u bë hapja e Konsullatës së Nderit të Kosovës në Salzburg që do të drejtohet nga Prof. Dr. Markus Paulmichl, transmeton ORAinfo.

Me këtë rast, në fjalën e tij, ambasadori i Republikës së Kosovës në Austri, Sabri Kiqmari, ndër të tjera, falënderoi qytetarët dhe autoritetet e Salzburgut për mbështetjen e tyre të vazhdueshme për popullin dhe shtetin e Kosovës në periudha të ndryshme para, gjatë dhe pas luftës në Kosovë. Në mënyrë të veçantë ai vlerësoi kontributin e qytetarëve të këtij qyteti të cilët shërbyen dhe ende po shërbejnë në misione të ndryshme në Kosovë, si në KFOR, EULEX, OSBE, etj.

Më tej, ambasadori Kiqmari nënvizoi se Prof. Dr. Markus Paulmichl bën pjesë në ekspertët më eminentë në Austri dhe më gjerë, është mik i dëshmuar i kosovarëve dhe i përkushtuar në forcimin e marrëdhënieve mes dy shteteve tona, Kosovës dhe Austrisë.

Në adresimin e tij, Konsulli i Nderit i Kosovës në Salzburg, Markus Paulmichl fillimisht theksoi se ndjehet i nderuar me përzgjedhjen e tij në këtë post nderi dhe se përgjatë angazhimit të tij në vitet e kaluara në Kosove në cilësinë e ekspertit për akreditimin e institucioneve të arsimit të lartë ka ofruara gjithë përvojën e tij profesionale me qëllim që Kosova të avancojë në nivelin akademik dhe shkencor. Paulmichl përmbylli fjalën e tij duke u shprehur i bindur se do të jetë urë lidhëse mes organeve dhe qytetarëve austriakë dhe atyre të Kosovës./Indeksonline/ 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›