Moralistët e imoralitetit- Në emër të emancipimit
Dy femra të reja u vranë mizorisht pak ditë më parë në Tiranë. Një tjetër nga Korça po ditë më parë vdiq në maternitet, duke lënë fëmijën e vet jetim, pasi edhe i ati, në pamundësi për ta mbajtur, e braktisi. Po një tjetër e re nga Librazhdi vdiq në spitalin e Korçës për arsye që nuk janë zbuluar ende (dyshohet pakujdesia e mjekëve). Të gjitha këto kanë ndodhur në një afat shumë të shkurtër kohor, ndërsa po të shtosh dhe denoncimet e panumërta për dhunën e pësuar në familje, por dhe jashtë saj, apo për grabitjet e dhunshme ndaj tyre, atëherë panorama e femrës shqiptare nuk është shumë pozitive.
E megjithatë, komisionerja për mbrojtjen nga diskriminimi, Irma Baraku, kryetarja e Komitetit Shqiptar të Helsinkit, Vjollca Meço dhe drejtoresha e të drejtave të njeriut në Shqipëri, Elsa Ballauri, të tria femra, kanë një shqetësim tjetër. Jo dhunën deri në ekstrem të femrave, jo mungesën e marrjes së shërbimit mjekësor të tyre, jo punësimin e tyre… Kërkojnë që të legalizohet prostitucioni!
Tre femra, të tre prej organizatave kryesore të të drejtave të njeriut, kërkojnë që të ligjërohet shfrytëzimi seksual i femrave! Janë vënë në krye të këtyre organizatave për ti mbrojtur dhe kanë gjetur këtë mënyrë për ta bërë: të legalizojnë prostitucionin.
Në Shqipërinë e një mijë e një problemeve, veçanërisht për femrat, këto tre gra të mendojnë pikërisht se është koha që të legalizohet prostitucioni! Në Shqipërinë e qindra mijërave të papunëve, në Shqipërinë ku paga mesatare është diku tek 30 mijë lekë, në Shqipërinë ku ende diskutohet për nevoja elementare si uji dhe drita (këto kohët e fundit më shumë se kurrë), në Shqipërinë ku 70-80% e disa qyteteve, si Kukësi, Dibra jetojnë me ndihma sociale, në Shqipërinë ku ende jeta përfundon pas orës 18:00, me përjashtim të Tiranës dhe deri diku Durrësit, në Shqipërinë ku deputetët e shpjegojnë ende seksin me domate dhe kastravecë, diskutohet për legalizimin e prostitucionit! Një diskutim, që vendet më të zhvilluara të botës e kanë bërë pasi kanë vënë në vijë të gjitha punët e tjera më të nevojshme.
Ashtu si më shumë se një vit më parë, kur kryeministri Berisha arrinte deri aty sa propozonte martesën e gay-ve, tashmë është ndezur debati për legalizimin e prostitucionit në Shqipëri.
Elsa Ballauri shprehej se, legalizimi i prostitucionit do të krijonte edhe një moral më të mirë për të gjithë shoqërinë, duke vendosur përpara përgjegjësisë, edhe klientët që e mbajnë gjallë këtë biznes, ndërsa më pas shprehet se, ne nuk jemi një shoqëri e hapur, por unë them se Shqipëria është gati. Në fillim do të ketë debate, një pjesë e madhe edhe do ta kundërshtojnë, por me kalimin e kohës të gjithë do ta pranojnë dhe do të kuptojnë se legalizimi i prostitucionit dhe vendosja e tij brenda një kuadri ligjor, i bën mirë moralit të të gjithëve.
Së pari, morali dhe prostitucioni nuk kanë asnjë lidhje me njëri-tjetrin. Prostitucioni në asnjë shoqëri nuk mund të quhet i moralshëm. Morali dhe prostitucioni janë përjashtues ndaj njëri-tjetrit. Kështu ka qenë që në krye të herës. Dhe kështu do të jetë.
Së dyti, nuk ka asnjë arsye dhe nuk duhet të ketë, që shoqëria shqiptare ta pranojë prostitucionin si një gjë normale. Nëse kjo gjë do të ndodhte, atëherë brerja morale dhe shpirtërore, vlera që për fat, deri diku vazhdojnë të jenë të forta në Shqipëri, do të ishte e madhe. Përse u dashka që të nxjerrim ligje për legalizimin e prostitucionit dhe jo e kundërta, pra, të nxjerrim ligje që e luftojnë atë, duke ndihmuar dhe mbrojtur kështu jo vetëm femrat që mund të shfrytëzohen, por edhe moralin, shpirtin dhe njerëzit nga tundimi?
Shumë njerëz i bien direkt rrugës më të shkurtër: nuk e luftojmë dot prostitucionin ilegal, prandaj duhet që ta legalizojmë atë, se kështu ndihmokemi dhe shpëtokemi femrat që duan të shesin trupin e tyre! Në një shkrimin të vet tek respublica.al, Mustafa Nano shprehej se, nëse do të bëhet legalizimi, femrat do të bëhen vetë padrone të trupit të tyre, e nuk do të lenë tutorët. Me fjalë të tjera, do ta shesin trupin e tyre se u do qejfi (e paratë do ti fusin në xhepin e vet), e jo se kështu duan tutorët.
Logjika është e tillë që, për të fituar para, ne duhet të lejojmë dhe legalizojmë që femrat të shesin trupin e tyre(në këtë pikë të gjithë e përjashtojnë moralin, prej kohësh tashmë për pjesën dërrmuese të njerëzimit, nuk është më vlerë). Por, harrojmë që ato femra që shesin trupin e tyre, edhe me vullnet të lirë, e bëjnë sepse nuk kanë mundësi tjetër, ose nuk duan, për të siguruar të ardhura. Përse mos të gjejmë mënyra për ti ndihmuar me gjetjen e vendeve të punës, por duhet të legalizojmë mundësinë që të shesin trupin e tyre?
Të flasësh për legalizimin e prostitucionit në Shqipëri, nuk është gjë tjetër veçse tallje me realitetin shqiptar. Është e lehtë të bësh rolin e të emancipuarit në studiot e një televizioni apo prapa tastierës së kompjuterit dhe të kërkosh martesën e gay-ve apo legalizimin e prostitucionit, por a është e nevojshme tani? A kanë nevojë shqiptarët dhe a i pranojnë ata këto gjëra? Askush nuk ka bërë studime dhe sondazhe për këto, por nëse do të shohësh reagimet nëpër blogje dhe rrjete sociale, pjesa më e madhe e tyre janë kundër legalizimit të prostitucionit dhe fenomeneve të tjera si gay-t dhe lesbiket.
Do tua imponojmë ne me zor atyre të pranojnë vlera që nuk gjenden dhe nuk janë masive në shoqërinë tonë dhe që për më tepër nuk dëshirohen?! Ah, po, ne jemi të emancipuarit! Ne duhet të ndriçojmë mendjet e tyre dhe ti udhëheqim drejt iluminizimit! Sepse ata janë masa, turma të paqarta dhe të mbyllura në realitetin e tyre të varfër, që nuk e pranojnë ndryshimin, të renë, emancipimin. Nuk dinë se çkërkojnë dhe çduan. Nuk e kuptojnë emancipimin. Ne po! Kështu që, të legalizojmë prostitucionin, martesat e homoseksualëve, drogërat, abortet… Janë emancipim!
