Nga shakaja e pacipë te tragjedia kombëtare
Profili i zymtë i një aventurieri
Tre vjet më parë, më 21 mars 2009, studiuesi F. Radovani botoi në “55-n” një artikull interesant me titullin “Kur studenti Enver Hoxha deklaronte se do të bëhej terrorist”. Autori ishte mik i profesorit të matematikës, Petraq Fundo.
Në orvatjen e tij për të nxjerrë në pah tri figura të spikatura me të cilat e kishte mundësinë të fliste lirshëm në kohë të vështira në Shkodër, vijmë te rrëfimet e profesor Petraq Fundos, të cilin ai e quante Petro. Ishte një njeri i mbyllur, serioz, me përfundime të shkëlqyera në Francë, i përkushtuar tërësisht në studimin e matematikës. Gjersa edhe letrat intime me të vëllanë, prof. Kristaq Fundon, përmbanin problema të matematikës së lartë, që diskutoheshin ndërmjet korrespondencës së letërkëmbimeve.
Njohjen me Petron, autori e kishte në Shkodër, në vitin 1955, kur profesorin e matematikës e kishin dërguar për të dhënë mësim në gjimnaz, pas vitit 1946. E kishin çuar me ulje nga universiteti i Tiranës në gjimnazin e Shkodrës, se kishte thënë: “Nuk e shpjegoj lëndën sipas teksteve sovjetike, sepse ato kanë gabime!”.
Tani ky profesor me nota të shkëlqyera në Monpelié, që njihte mirë frëngjishten, greqishten, italishten dhe rumanishten, që nuk dinte të bënte kompromise notash për të ledhatuar bijtë e të llastuarve të kohës, na duhej të përulej që të jepte mësim në gjimnaz, kur kolegët e tij të matematikës, në shkollë të mesme, ishin pa arsimin përkatës!
Profesori nuk binte në dërrasë të kalbur. Domethënë se fliste për gjëra të rrezikshme vetëm me ata te të cilët kishte besim të plotë. Enverin e quante, në biseda të sinqerta më Radovanin, “një terrorist të lindur dhe imoral”. Tregimtari, në librin e tij “Një Monument nën dhé”, kishte dhënë një sentencë të profesorit, që është lapidare dhe duhet të na mbetet vath në vesh: “Diktatorët si ai, vazhdojnë të sundojnë edhe pas vdekjes”.
Duke lexuar këtë sintezë të thukët të sundimit pas vdekjes, më kujtohet “historian” Xhelali” i cili, jo shumë kohë më parë, shkruante në një paraqitje panegjirike të idhullit të tij, se për Enver Hoxhën duhet të kemi respekt të veçantë për “arsye” se ka drejtuar vendin tonë për gjysmë shekulli! Në një kohë kur Asambleja Kombëtare e KE-së boton Rezolutën në trajtën e një vendimi për dënimin e diktaturave dhe të diktatorëve, komunistë apo nazifashistë qofshin, nuk na mungojnë apologjetë të së keqes, që vërtetojnë sentencën e profesor Fundos për sundimin e diktatorëve édhe pas vdekjes. Veçse në një shtet të indoktrinuar si vendi ynë mund të korrin e të shijnë, në një mënyrë krejtësisht të jashtëkohshme, në Europën demokratike ku aspirojmë të hyjmë. Doemos, kur nxiten edhe nga aventurierë të tjerë politikë, si ai që “dekreton“ zijafete dhe orgjira - që bien ndesh me frymëzimin e popullit tonë për të aderuar në Bashkimin Europian, - në çdo 16 shtator në Pezë.
Por a mund të merret si argument mburrjeje drejtimi i vendit për kaq e aq kohë? “Mjafton një kundërshembull për të rrëzuar pohimin”, - kanë mësuar qysh në fillim të shkollës së mesme në matematikë, nxënësit tanë. Por mund të jepen raste të shumë diktatorëve, të cilët i nxin literatura historike, si Tiberin, Kaligulën, Neronin, Atilën, Xhengis Khanin, Cezar Borxhian, Ivanin e Tmerrshëm, Hitlerin, Musolinin, Stalinin, Çausheskun, Pol Potin, Millosheviçin, Osama Bin Ladenin. A do më, ai “historiani” që të heqë dorë nga gafat historike për të na mëkuar enverizmin dhe Zonjën e Zezë, së cilës iu dashka marrë leje për materialet historike që u dashkan shfrytëzuar nga historianët e vërtetë?
Meqë po bëjmë edhe né një profil të diktatorit tonë, le të vijojmë me atë artikullin interesant, të botuar vite më parë në gazetën tonë. Citohet Prof. Petro Fundo: - “Ishim duke ngrënë në një trapezë, kur ishim studentë në Francë, unë dhe Foto Bala nga Himara. Erdhi aty edhe Enver Hoxha. Ky ishte i regjistruar në universitet, por nuk e di me se merrej. Provime nuk jepte. Ishte i pashëm. Pak mbasi u ul, pyeti Foton se ç’do të dëshironte të bënte kur të mbaronte shkollën. Më pyeti edhe mua: - “Po ti, Petro?”. Unë iu përgjigja: “profesor”. Pas pak u u kujtova ta pyes edhe unë: - “Po ti, Enver, çfarë do të bëhesh?”. Ai u përgjigj: TERRORIST! (Shkronjat kapitale, të autorit). Edhe sot nuk e di si më shpëtoi nga dora piruni me të cilin isha duke ngrënë... E, për çudi, vetëm atij ia plotësoi Zoti dëshirën...” (f. 216).
Shaká? Edhe si e tillë, do të thosha: shaká mëkatare, për të mos thënë “ muhabet kriminal!”. Në këtë tregim marrim vesh se prof. Fundo kishte takuar njëherë shokun e vjetër, prof. Foto Balën, atë të “trapezës” që pamë më lart. Me kërkesën e tij, kishin shkuar në K.Q., se donin të takonin “shokun e vjetër, të asaj kohe”, me të cilin kishin ngrënë në një “trapezë”. Shkruan emrat te dezhurni. Pasi pritën një orë, del sekretari dhe u thotë se shoku Enver është i zënë dhe nuk ju pret dot.
Par të dalë nga këto kujtime, vijmë te prof. Fejzi Dika dhe te prof. Nonda Bulka, që donin ta takonin edhe ata, fill pas mbarimit të luftës, për ta uruar kryeministrin e ri, në kryeministrí. Edhe ata njiheshin që në kohën studentore. Kishin marrë të njëjtën përgjigje: “Nuk ka kohë t’ju presë!”. Këta janë persona të besueshëm në vërtetësinë e rrëfimeve të tyre.
Por ajo që është thuajse e pabesueshme tregohet nga Mentor Çoku, nuk e mbaj mend mirë se në cilin shkrim. Mund ta quajmë si në takime të herëpashershme, sidomos në Bruksel, kur Enveri punonte pranë Konsullit të nderit në kryeqytetin e Belgjikës. Mentori pati zgjuarsinë dhe intuitën të mbetej jashtë Shqipërisë gjatë luftës dhe nuk e pësoi, pas luftës, si fatkeqi Foto Bala, i cili i kishte telegrafuar “të madhit” një letër nga burgu i Burrelit që ta lejonte të varroste nënën e tij, meqë i mbeteshin edhe pak muaj që të mbaronte dënimin. Nga duart e së ndjerës Enveri kishte ngrënë kaq e kaq herë në shtëpinë e Fotos. Këtij i erdhi dëftesa e marrjes, me përgjigje negative. Pra, Enveri as që donte t’ia dinte, tanimë, për atë grua të mirë, që e kishte pritur si djalin e saj...
Me ndërrimin e sistemeve, Mentor Çoku erdhi në Shqipëri dhe mbante ende korrespondencë me personalitete të shquara të demokracisë italiane. Unë e njoha kur isha kryeredaktor i gazetës “Liria”, ku vinte e më takonte shpeshherë. Ishte i çiltër, gazmor, me shpirt demokratik. Kishte ndikim edhe në qarqet demokratike tonat dhe kishte ndihmuar mjaft të përndjekur për strehim dhe punësim. Disa, edhe me paret e tij. Njëherë, duke pirë kafen, m’u kujtua ajo ngjarja e Brukselit me të bijën e konsullit, në Bruksel. Ma tregoi dhe ndodhia përputhej pikë më pikë me atë që kisha lexuar.
-Ishim të tre në një kafe të Brukselit, me Enverin dhe të bijën e konsullit. Kjo vajzë e shkathët ndihmonte babanë e saj në përkthime dhe në kancelarinë e tij. Atë ditë konsulli kishte shkuar në Paris, më duket, për një punë. Në njëfarë kohe, vajza e konsullit na mori leje se do të shkonte në tualet. E kishte lënë çantën e saj mbi tryezë. Enveri e hapi me shkathtësi zinxhirin. Në shukun me kartëmonedha vuri të dy gishtërinjtë dhe tërhoqi me shpejtësi prej prestidigjitatori mjaft prej tyre. Nuk u besova syve! Më hipi dreqi në kokë:
-Ç’bën ashtu? Ajo e la çantën në mirëbesimin tonë!
-Hë, more, se as ajo vetë nuk e di sesa ka!
-E di, s’e di, lëri në vend ato, se do ta prishim që sot bashkë, - i thashë. -Nëse ke nevojë, më kërko mua. Ti e di se jam në gjendje të mirë.
Ai u tregua i ngathët. Pastaj, kur i thashë se do të bëja skandal, i vuri shpejt në çantë dhe më tha, sikur s’kishte bërë asgjë: - Hë, mo, se po bëja shaká, që të shihja se çdo të bëje!
-Shaká që unë s’i duroj, - i thashë. Dhe nuk luajta nga tavolina, ndonëse dikush, në tavolinën tjetër, një mik, më ftoi duke ngritur një gisht, se kishte një muhabet të shkurtër. Ia bëra me shenjë që të priste pak. Sapo erdhi zonjusha nga WC-ja, i thashë mikut të afërt në largësi “më fal një minutë dhe erdha”. Vërtet ai miku i tavolinës tjetër kishte vetëm një pyetje, të cilën tani s’e mbaj mend. Më bëri çudi, se Enveri e ruajti humorin në tavolinën tonë, sikur të mos kishte ndodhur asgjë!
Nuk më jepet t’i jap fund këtij shkrimi, pa kujtuar Syrja Selfon, Bahri Omarin, Pertef Karagjozin, Tefik Mborjen dhe Manush Peshkëpinë. Që të pestë e kanë mbajtur E.H.-n në shtëpitë e tyre, me të ngrëna e të pira, e me të ruajtur nga okupatori. Ç’do të ndodhte sikur ndonjëri prej tyre të kishte karakterin e mosmirënjohësit e ta kishte denoncuar? Tefik Mborja ishte titullar i lartë në kohën e fashizmit dhe Enveri rrinte ( në kuptimin: strehohej) pa pikë galeje, me ditë e net, bashkë me dr. Ymer Dishnicën. Ky i fundit e ka pohuar këtë fakt. Syrja Selfo, me paret e tij kishte marrë me qira dy banesa, ku strehohej Enveri. Madje e kishte ndihmuar me pare, gjatë luftës. Diktatori ia kishte hedhur fajin Koçit, por ky kishte thënë në gjyq se nuk kishte bërë asgjë pa dijeninë e komandantit. Po ashtu edhe për Bahri Omarin, kunatin e vet. E motra kishte vajtur të Koçi, sepse i vëllai i kishte thënë se ky e kishte në dorë. K.Xoxe ishte habitur dhe i kishte treguar se urdhri ishte dhënë prej Enverit. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për dy të tjerët. Dhe këtu e përfundojmë këtë profil, që është maja e ajsbergut...