Morini, “laku” i shtetasve nga Kosova

Morini është kthyer në një “lak” për shtetasit nga Kosova, të kërkuar nga Policia apo drejtësia e Kosovës, apo nga Interpoli dhe Policia e Shqipërisë.
Drejtori Rajonal i Kufirit dhe Migracionit për Kukësin, Ferdinand Gjeta, ka bërë të ditur për “Kohën Ditore” se si rrjedhojë edhe e përdorimit të TIMS, në pikat e kalimit kufitar me Kosovën për vitin 2012 është bërë i mundur ndalimi i 247 personave të shpallur në Kërkim kombëtar e ndërkombëtar, apo për llogari të Policisë së Kosovës.
“Krahasuar me një vit më parë, numri është 162 persona më shumë të kapur nga strukturat e policisë kufitare, kjo edhe për shkak të shkëmbimit të informacionit on-line me Policinë e Kosovës ku nga këta 188 persona kanë qenë për llogari të Kosovës, 39 në kërkim kombëtar që u janë dorëzuar drejtorive të policisë së qarqeve të Shqipërisë, të cilat i kanë shpallur në kërkim dhe 20 persona në kërkim ndërkombëtar për vepra të ndryshme kriminale si trafik ndërkombëtar të drogës, trafik të qenieve njerëzore, të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Italia, Gjermania dhe Zvicrra”, tha drejtori Ferdinand Gjeta./Indeksonline/