Mos e lënçim këtë vend të na vrasë!
Kur Robert Elsie më tha gjatë një interviste se po të ishte shqiptar, do të ishte çmendur, unë mendova për Ardianin.
Unë jam i brishtë, tha Elsie. Jam si një lepur. Nuk do ia kisha dalë dot këtu.
Doja që Ardiani ta kishte dëgjuar atë intervistë.
Pastaj pyeta Johnathan Franzen, si ia kishte bërë ai që ia kishte dale, kur shoku i tij më i mirë, rivali dhe kolegu, David Foster Wallace, kishte vrarë veten.
Dhe kur Franzen rrëfente për shokun, mikun, kolegun dhe rivalin e vetëvrarë, unë mendoja përsëri për Ardianin.
Doja ta dëgjonte edhe këtë intervistë.
Sot, tek jam këtu për takimin e fundit, nuk arrij të kuptoj pse i bija aq larg edhe gjatë?
Pse nuk e ndaloja, njërën prej herëve, kur e ndeshja në shëtitjen liqenit, dhe thjesht ta pyesja?
Pse bëja sikur nuk e shikoja kur ai vinte përballë meje me biçiklete dhe unë me kapele e syze ulja kokën?
Ishte kaq e thjeshtë.
Unë e nderlikoja, duke dashur ti dërgoja mesazhe në hapësirë, kur ai ishte dy hapa afër, çdo pasdite nga liqeni.
Mund ta kisha pyetur çdonjeren prej atyre ditëve: Si je Dan? Bej dot gjë për ty?
Sot është vonë. Klosi iku.
Iku nga jeta e vet. Sepse në jetën tonë, në jetën time është akoma.
Është me takimin e parë, kur Edi më njohu me të, është në kafen e parë, në punën e parë, në inatin e parë dhe emisionin e fundit me të.
Është me trishtimin, hutimin, shkëlqimin, humorin dhe vetëironine, është me numrin e tij të telefonit ende në celularët tonë.
Ardian Klosi iku nga jeta e vet. Por nuk iku nga jeta jonë.
Është në jetën time dhe tonën si dëshpërim, si frikë, si ankth, si besim, si mallkim, si urim, si premtim:
Mos e lënçim këtë vend të na vrasë!
***
Këtu, në Sharrë, është një qytet që po shtohet e zgjerohet përditë. Qyteti i banesës sonë të fundit.
Kemi këtu njerëz të dashur.
Sot po sjellim Ardianin.
Të qoftë i lehtë dheu me të cilin do të të mbulojmë, Dan!
Takofsh njerëz të dashur atje ku po shkon!
Por mbaje një sy këtej, nga njerëzit e tu të zemrës.
Dhe një vesh për ne, që kemi beteja të lëna përgjysmë.
Ti ishe një qytetar i rrallë Ardian Klosi. Do të na mungosh!
* Fjala e lamtumirës mbi varrin e Ardian Klosit
