Berisha në Uashington, viziton muzeun e Holokaustit
Uashington- Kryeministri, Sali Berisha gjatë vizitës së tij në Uashington zhvilloi një vizitë tepër speciale në Holocaust Memorial Museum ku ishte i ftuar së bashku me bashkëshorten e tij në prezantimin e dokumentarit Besa që u soll si akt mirënjohjeje për Shqipërinë dhe kombin shqitar nga një e mbijetuar e kësaj drame.
Producentja Johanna Neumann, një prej të mbijetuarave të holokaustit u ndihmua nga një familje shqiptare për ti shpëtuar terrorit gjermanë në periudhën barbare të nazizmit.
Përmes zyres së shtypit të Kryeministrisë shqiptare mësohet se aktualisht zonja Neumann është punonjëse në Muzeun e Holokaustit, duke u shndërruar në këtë mënyrë në një ambasadore të promovimit të imazhit të Shqipërisë dhe të virtyteve të çmuara të shqiptarëve, besës dhe mikpritjes, të cilat u shpëtuan jetën rreth 2000 hebrenjve që u strehuan dhe u mbrojtën nga shumë familje të thjeshta shqiptare, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në trojet shqiptare në rajon.
Dokumentari i Neumann sjell historinë e jashtëzakonshme të mikpritjes, strehimit dhe mbrojtjes së një familjeje hebreje në Shqipëri dhe përmes saj, historinë e një kombi që hapi dyert e shpëtoi nga shfarosja qindra familjeje hebreje, gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ky dokumentar është një prodhim i bazuar në materiale, fakte dhe dokumente arkivorë dhe dëshmitë e të mbijetuarve të Holokaustit, të cilët kaluan përmes Shqipërisë ose jetonin në Shqipëri dhe u morën në mbrojtje, u strehuan dhe u ruajtën nga familje të thjeshta shqiptare, emrat e të cilëve sot lartësohen në piedestalin e nderit në institucionin Yad Vashem në Jeruzalem ku ndodhen të gdhendur emrat e të gjithë Të drejtët mes kombeve që kanë shpëtuar hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore- thuhet në deklaraten e kryeministrisë.
Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit, Philip Reeker në fjalën e tij u përcolli të gjithë familjeve shqiptare që shpëtuan hebrenjtë përshëndetjet më të përzemërta nga Sekretarja Clinton dhe vlerësimet më të larta për këtë akt sa human dhe unik në historinë e kombeve.
Ndërkohë që në nderim të producentes Neumman kreu i qeverisë shqiptare i dorëzoi asajçmimin e mirënjohjes akorduar nga Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha me motivacionin: Zonjës Neumann, në shenjë mirënjohjeje për punën dhe kontributin e saj të çmuar në promovimin e virtyteve fisnike të Shqiptarëve si dhe të Besës Shqiptare për mbrojtjen dhe shpëtimin e jetëve të gjithë hebrenjve që jetuan në Shqipëri ose kërkuan strehim në Shqipëri gjatë Holokaustit.
Në këtë ceremoni merrnin pjesë mbi 500 të pranishëm, zyrtarë të lartë qeveritarë, senatorë, kongresmenë, pjesëtare të trupit diplomatik, të ftuar dhe miq, shqiptarë të diasporës.
/IDEA/