E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mos i fal këta sojsëzë, o Zot!

Nuk vlejnë fjalët “demagog, gënjeshtar, hipokrit …” për të portretizuar deputetët në seancën e fun-dit kundër imunitetit, por në të vërtetë pro imunitetit (pandëshkueshmërisë së tyre). Vetëm një ufo, po të dinte shqip, mund të mrekullohej nga ajo seancë maratonë e pafytyrësisë ku edhe një herë tjetër korrupsioni u vu në qendër të betejës ligjërimore, aq sa, herë pas here, një militanti trushkulur nga propaganda partiake mund t’i lindë kjo dilemë e vështirë: Kur e urrekan kaq shumë korrupsionin këta deputetë - qeveritarë kaq të ndershëm e të përkorë, cilët janë ata edepsëzë që kryejnë vjedhjet e pasurive publike, kush janë sekserët e monkukaleshët, kush i gëzon ryshfetet dhe pasurimin e paligjshëm në këtë vend të bekuar? Çfarë imuniteti gëzojnë lazaratasit që sulmojnë postën e policisë me armë në Gjirokastër dhe pastaj i venë zjarrin një kodre? Çfarë imuniteti kanë kuksianët që sulmojnë centralin elektrik edhe pse nuk i paguajnë faturat?

E pra, përditë e më e vështirë po bëhet hetimi dhe zbulimi jo vetëm i hajdutëve të vegjël të çantave, të cilët po therin viktimat për një varëse në mes të ditës, po sidomos i zyrtarëve të lartë të cilët po ikin në drejtim të paditur, duke penguar, me gjasë, qeverinë të shkulë me rrënjë e me degë këtë sëmundje ngjitëse e cila, sipas kryeministrit, po u heq kafshatën nga goja të varfërve, të papunëve e pensionistëve për të na lënë, për të tretën herë, jashtë dyerve të Evropës, si ca leprozë të demokracisë në Ballkanin Perëndimor. Sigurisht, kjo nuk lyp shumë mend për t’u kuptuar: Janë ata vetë, ata që e bëjnë korrupsionin, duke u betuar e përbetuar për anti-korrupsion.

Nëse ujku do mjegull, hajdutët e sotëm qeveritarë dashkan mikrofona dhe kamera dhe një teser partie për të larë duart dhe fytyrën me sapunin e anti-korrupsionit. Këta nuk i mbron ligji për imunitetin, po i mbron fuqia e pakufizuar dhe e pakontrollueshme që i kanë dhënë vetes, duke u rekrutuar e duke shërbyer si mercenarë në një parti fituese. Kulmi ishte fundi i seancës së arsyes të mosarsyes për të gjetur një arsye kur kryeministri, arkitekti “i duarve të pastra”, pasi lejoi të shkonte deri në absurd maskarada e ndërsjellë e luftës anti-korrupsion, doli në podium dhe kërkoi, i merakosur për dështimin, që në këtë betejë për jetë a vdekje të futeshim edhe ne qytetarët, edhe ne zgjedhësit, duke marrë pjesë në referendum. Sipas tij, thelbi dhe qëllimi i referendumit për heqjen ose jo të imunitetit do të jetë ky: A e doni apo nuk e doni ju qytetarët anti-korrupsionin? A dëshironi që ne pushtetarët, ne të paprekshmit, ne sundimtarët tuaj të jemi të barabartë me ju, vdekatarët e rëndomtë, para Ligjit?

Këto pyetje pa kuptim as Shvejku nuk do të guxonte t’i bënte në kohën e vet! Por ne kemi fatin të jetojmë në kohën e çudirave, të ububurave dhe të ukubeteve, të cilat kanë fituar imunitet absolut në moralin e shoqërisë e të familjes, pa patur nevojën e një ligji të posaçëm të Kuvendit sepse tanimë, falë skandaleve, krimeve dhe abuzimeve të përditshme e të padëgjuara që vijnë nga lart, asnjë çudi nuk çudit më askërkënd!

Rrezik ne duhet të jemi nga të paktat vende në botë ku çfarëdo skandali, edhe vrasjet, edhe vetëvrasjet, edhe shpifjet e akuzat, edhe ekzekutimet para dyerve të qeverisë, edhe prerja e kokës për hakmarrje në zyrat e shtetit, edhe hedhja e foshnjës së porsalindur nga dritaret e maternitetit, edhe vrasjet e dy vëllezërve nga një kriminel i liruar nga gjykatat, etj, etj, thuajse nuk shkaktojnë ndonjë efekt kundërshtues mbi opinionin publik, le më pastaj të kenë ndonjë ndikim reflektues mbi deputetët, mbi gjykatat, mbi prokurorinë e policinë, mbi organet e specializuara zyrtare ose ato të shoqërisë civile për të përmirësuar sadopak situatën e depresionit: Është e kotë, këtu e tatëpjetë, punët si kanë vajtur do të venë! Kjo thyerje e opinionit publik, bashkë me rekordin vetjak të ndenjes në ujë të kryeministrit, me siguri duhet të na venë në vend të parë në botë!
***
Dhe si për të vërtetuar absurdin e seancës historike “ku u thye ëndrra jonë për integrim”, ku edhe një herë udhëheqësi legjendar mprehu shpatën kundër armiqve dhe kundër të flamosurit korrupsion, ILKDP publikoi pasuritë e deputetëve, ministrave dhe familjarëve të tyre. Edhe pse deklarimet janë bërë me firmë e me dorë në zemër nga vetë deputetët dhe ministrat (të cilët qenkan varfëruar në këtë vit!), edhe pse këto deklarime nuk e rrëfejnë gjithë pasurinë e noterizuar e të panoterizuar me familjarë e me miq, nëpër banka të vendit a të huaja, gjithsesi vilat, apartamentet, makinat, tokat, pronat e paluajtshme, kompanitë dhe milionat e vetëdeklaruara të ministrave janë boll për të kuptuar hipokrizinë e antikorrupsionit të tyre bashkë me dëshirën e tyre të flaktë për t’i hequr vetes sa më parë imunitetin.

Teksa i dëgjon se sa e urrejnë këta zyrtarë korrupsionin, ata, me sa duket na quajnë aq budallenj, sa ne, si qytetarë të papunë e të pastrehë nuk jemi të aftë të shohim e të kuptojmë se si ata dhe fëmijët e tyre i kanë ngritur, për një dhjetëvjeçar, vilat, trojet apo milionat “e fshehura nëpër mure”. Berisha dhe të tijtë kujtojnë se ne, qytetarët nuk e dimë se në një shoqëri ku është vrarë e tredhur opinioni publik, nuk ka asnjë rëndësi pasja apo mospasja e një ligji për imunitetin e zyrtarëve të lartë, ashtu si nuk do të ketë asnjë ndikim mbi Drejtësinë dhe qeverisjen nëse referendumi do të pohojë, me shumicë absolute: Po, le të hiqet imuniteti!
***
E pra, ligji për imunitetin nuk është hequr, por Ministria e Mbrojtjes, edhe pse me Kushtetutë quhemi “Republikë parlamentare” e së këtejmi Kuvendi ka të drejtë të ushtrojë kontroll mbi të gjitha organet e zgjedhura prej tij, nuk e lejon komisionin hetimor parlamentar të hetojë nëse aty janë blerë dhe instaluar përgjues, nëse janë shitur apo jo armë në kundërshtim me ligjet në fuqi, nëse janë dekoruar e graduar pa merita ushtarakë të lartë, nëse janë privatizuar me allishverish objekte ushtarake, etj. E megjithatë, bishti del më i rëndë se sqepari: Deputetët nuk u lejuan të hyjnë në ministri edhe pse janë me imunitet, edhe pse komisioni hetimor është i miratuar nga Kuvendi. A ka shembull më domethënës se ky për të kuptuar se sa vlerë ka jo vetëm ligji për imunitetin parlamentar, por edhe vetë Kushtetuta? Sipas kësaj imam-logjike, në se nesër deputetët do të jenë të zhveshur nga imuniteti, ata nuk do të pranohen të hyjnë as në komunën e Bathores!

Se sa pak vlerë ka ligjshmëria dhe moraliteti në këtë vend, shembujt nuk paskan të sosur. Menjëherë pas seancës për imunitetin, Presidenti i emëruar i Republikës, Nishani, mblodhi për herë të parë KLD-në dhe mori dy vendime të rëndësishme: 1, emëroi drejtues të KLD-së, organit më të lartë të Drejtësisë, Elvis Çefën, të cilin e kishte pas kundërshtuar ish President Topi, madje me vota kandidatura e tij ishte hedhur poshtë nga shumica e anëtarëve të KLD-së, dhe: 2. Presidenti na bëri me dije se ai do të bënte të pamundurën, në negociata me Kuvendin dhe qeverinë që të rriteshin pagat e gjykatësve, sepse, kësisoj, gjithnjë sipas tij, do të mundësohej lufta kundër korrupsionit.

Të dy këto vendime janë ilustrues të mrekullueshëm të faktit se sa pak vlerë ka tek ne heqja apo mbajtja e ligjit për imunitetin, apo një referendum popullor për të…Cili qytetar shqiptar beson se gjykatësit shqiptarë i kanë liruar kriminelët dhe nuk kanë ndëshkuar asnjë zyrtar të lartë meqë kanë patur paga e pamjaftueshme? Nuk dua të komentoj atë që po thuhet këto ditë se drejtuesi i ri i KLD-së, organit më të lartë të Drejtësisë, zoti Çefa është i zgjedhur/emëruar nga “familja”, apo se ai nuk ka stazh e rrjedhimisht as autoritet të mjaftueshëm profesional në gjyqësor, se është tepër riosh, por ajo që të le pa mend është pyetja dramatike që shpjegon shumëçka: Si shpjegohet që anëtarët e KLD-së, të organit më të lartë të Drejtësisë të kenë aq pak integritet moral, aq pak dinjitet, sa gjysma e tyre, dy muaj më parë votoi kundër Çefës, kur ishte President Topi, ndërsa kur në karrigen e Presidentit ulën Nishanin, ata votuan me “unanimitet” pro tij?

E pra, kur edhe anëtarët e KLD-së sillen si lapërdharë dhe si rekrutë të rëndomtë, si lipset të sillen nesër gjykatësit, prokurorët dhe policët e periferive me kriminelët, me abuzuesit, me ata të korruptuar që kanë ose jo imunitet, por që janë të lidhur me ata lart? Nuk ka nevojë për një ligj të posaçëm për heqje ose për kufizim të imunitetit pas frikës së mbjellë tashmë te e gjithë piramida shtetërore, që nga Presidenti i Republikës e poshtë, në të gjitha nivelet e administratës së sotme. Nuk ka zyrtar e rrogëtar, tregtar apo trafikant që nuk e di se në këtë vend që quhet Shqipëri askush nuk ndëshkohet kur shkelet Ligji, por vetëm kur i kundërvihesh Maliqit! Kjo do të thotë: Mos e ki frikë Ligjin, për sa kohë je nën hijen e të Madhit. Mjafton të bësh një provë: Kalo me shpejtësi me makinë, shkel në daç vijat e bardha, apo semaforin dhe kur të të kërkojë polici i trafikut patentën, nxirr si padashje një foto me kryeministrin që të provosh se si do të të falet gjoba, edhe pa dhënë ryshfet në dorë!

Kjo mendësi, e klientelizmit partiak, tarafor, nepotik, krahinor tashmë është bërë sunduese tek ne. Prandaj gjithçka thuhet për anti-korrupsionin, për shtetin e së Drejtës, apo edhe për kushtetutshmërinë, nuk i beson kush. Sepse, si një trup i infektuar me Sida, edhe opinioni ynë publik e ka humbur tashmë imunitetin për shkak të dhunimit e të përçudnimit të përditshëm e të paskrupullt që na ka bërë klasa politike në këto njëzet vjet.
Ky është problemi ynë më madhor. Të gjitha hallet e tjera vijnë pas kësaj.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›