Piramidat e reja të Sali Berishës
Nga Mero Baze
Katër vjet pasi gazeta Tema botoi raporte të hollësishme mbi
spekulimin financiar që shoqëroi blerjen e kompanisë ARMO nga Rezart Taçi, del në dritë e vërteta. 75 milion eurot, për të cilat askush nuk provonte dot se ku ishin gjendur në llogarinë e Rezart Taçit, provohet që janë dhënë në mirëbesim kundrejt garancive politike nga Familja Berisha për blerësin e ARMO-s, i cili ishte Rezart Taçi. Për të mashtruar shqiptarët, Familja Berisha përfshiu në listën e aksionerëve dhe dy kompani të tjera të huaja, të cilat siç u provua ishin vetëm maskë për të fshehur njeriun, të cilin vetë Berisha e kishte quajtur trafikantin më të madh të naftës në Ballkan. (Vizion Plus, qershor 2005).
Me pak fjalë, fabula e historisë korruptive ishte kjo: Blerësit të ARMO-s i duheshin 77 milionë euro para datës 23 nëntor për të paguar kompaninë që kishte blerë. Dy ditë para përfundimit të afatit, në mbledhjen e bordit të kompanisë është deklaruar se dy aksionarët formalë, Mercury dhe Texas Rafinery nuk kanë mundësi financiare të paguajnë dhe autorizojnë Rezart Taçin të gjejë kredi për ta paguar.
Çuditërisht, më 23 nëntor llogaria e Rezart Taçit i kishte aq lek, dhe nga një dokument që siguroi ilegalisht gazeta Tema, Banka Qendrore konfirmonte marrjen e pareve në Thesarin e Shtetit. Problemi ishte se askush nuk tregonte origjinën e pareve që kishin mbërritur papritur dhe pa marrë kredi.
Gazeta Tema këmbënguli se kishim të bënim me një transaksion nga Azerbajxhani për llogari të Rezart Taçit, kundrejt premtimeve politike. Të premten Gjykata e Tiranës i ka faktuar këto transaksione. Azerbajxhanasit, përmes bankës së tyre, kanë depozituar në nëntor të vitit 2008 në llogarinë e bankës Credins sh.a. shumën prej 75 milion euro. Gjykata ka provuar se shuma e përmendur më sipër është depozituar në bankën Credins në tre këste. Kësti i parë është depozituar në llogari të bankës Credins më datë 18 nëntor 2008 në shumën 30 (tridhjetë milion)
euro, kësti i dyti është depozituar më datë 19 nëntor 2008 në masën 40 (dyzet milion) euro dhe kësti i fundit është depozituar më datë 21 nëntor 2008 në shumën 5 (pesë milion) euro, pra për një total prej 75 (shtatëdhjetë e pesë milion) euro. Është fiks data kur aksionarët fallco të ARMO-s deklaronin në mbledhjen e bordit se autorizojnë Rezart Taçin të gjejë kredi për të blerë ARMO. Në fakt, në vend të kredisë, në adresë të tij kishin mbërritur 75 milionë euro me objekt investimin në blerjen e ARMO.
Deri këtu kjo do ishte një histori e rëndomtë në marrëdhëniet mes biznesit sikur Sali Berisha të mos ishte garanti real i këtij transaksioni. Miqësia e tij e papritur me presidentin e gjithëpushtetshëm të Azerbajxhanit, Aliev, takimet e tij private në dhoma hotelesh me çantë private tek këmbët, dhe udhëtimi i tij i fundit i sikletshëm në Azerbajxhan për të qetësuar borxhdhënësit e Rezart Taçit, dështuan.
Mirëbesimi në të cilin u dhanë paret, u kthye nga një mashtrim personal i një biznesmeni spekulant, në një mashtrim shtetëror në të cilën u përfshi Familja në pushtet.
Për katër vjet Rezart Taçi u ka paguar huadhënësve të vet vetëm 1.5 milionë euro dhe sot gjithë perandoria e rremë e tij është nën sekuestro.
Gazeta Tema pagoi një çmim të rëndë për betejën që bëri kundër këtij privatizimi mafioz. Rezart Taçi më sulmoi fizikisht bashkë me banditët e tij në një bar të Tiranës dhe për tri ditë Familja Berisha e mbajti të fshehur të mos i dorëzohej policisë. Ndaj gazetës u hapën procese pa fund gjyqësore, të cilat kryesoheshin nga gjyqtarë që i gëzoheshin faktit që do merrnin ndonjë lek nga pasaniku Taçi. Më i pacipi prej tyre, biles arriti të provonte në sallën e gjyqit se Rezart Taçi nuk më kishte qëlluar mua, edhe pse ekzistonin provat e policisë, dëshmitë e personave në vendngjarje dhe provat fizike. Nën joshjen e miliardave të
Rezart Taçit gjyqtari besoi një dëshmitar që nuk ia dimë emrin, por që i paska thënë kamarierit se kur ai zgjati kokën tek dera, e pa që Rezart Taçi nuk qëlloi.
I veshur me pushtetin e Familjes Berisha dhe me foton e Liri Berishës në çdo cep të zyrës dhe makinës së tij, Rezart Taçi arriti të blinte praktikisht shoqërinë shqiptare. Ai filloi pak nga pak të blejë gazetarët shqiptarë, biles ata më kritikët me qeverinë, dhe në stilin e tij dhe një TV, të cilin nuk dihet në e ka paguar apo jo. Sa herë ishte në krizë, ose më mirë të themi sa herë borxhlinjtë i kërkonin lekët, ai shpikte historira të tilla siç ishte sjellja e Milanit apo Realit në Tiranë, blerja e Bolonjës dhe Milanit dhe fiks në javën që i është vendosur sekuestroja, hapi fjalë se do blinte Malagën në Spanjë. Është e vetmja gjë që spekulantët e këtij tipi dinë të bëjnë mirë.
Por çdo të bëhet tani?
Borxhet e këtij spekulanti tejkalojnë kapitalet e tij. Ai ka borxh ndaj taksa- tatimeve shqiptare, borxh ndaj kompanisë shtetërore Albpetrol, borxh ndaj Bankers, borxh ndaj biznesmenëve shqiptarë partnerë me të… dhe borxh të pakthyer ndaj Azerbajxhanit. Është e qartë se kemi të bëjmë me një piramidë, e cila ka mbijetuar politikisht.
Në lojë janë pak a shumë aq pare sa kishte VEFA ose Gjallica në vitin 1997, me ndryshimin që kur erdhi falimenti, ato kishin më shumë pare se ky spekulant për të paguar qytetarët, edhe pse ua vodhën pasuritë.
Kam frikë se Sali Berisha nuk do ta pranojë plasjen e kësaj bombe dhe po përpiqet ta shpëtojë atë dhe partnerët e tij duke nxjerrë në shitje Albpetrolin dhe duke i kompensuar azerbajxhanasit me një pasuri kombëtare, për llogari të një spekulimi privat. Zhvillimet e mëtejme mund të tronditin sistemin bankar dhe të vënë në provë aftësinë e financave publike për të përballuar zinxhirin e dëmeve që do shkaktojë zbatimi i mundshëm i sekuestros ndaj këtij spekulanti.
Gazeta ka dhe informacione të tjera sensitive lidhur me mashtrime bankare, të cilat tregojnë se çfarë dëmesh bën pushteti i Familjes Berisha kur bëhet garant i spekulantëve të tipit Taçi. Ne do të jemi të kujdesshëm dhe transparentë që nga kjo spirale spekulantësh, qytetarët shqiptarë të dalin me sa më pak dëme, por është e sigurt se jemi para një situate të ngjashme me vitin 1996 kur piramidat e Sali Berishës nuk mbijetonin dot më edhe pse të gjithë bënin sikur nuk e shikonin. E vërteta e hidhur e pushteteve të Sali Berishës është se ai çdo cikël qeverisje e mbyll me vjedhje votash, grumbullim superpushteti dhe piramida financuare… dhe çdo ikje e nis me rënie piramidash, dorëzim pushteti dhe largim me vota…