E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

“Mos votoni non gratat”, Meta i përgjigjet Kim: Kandidatët tanë kanë vlera

Koalicioni “Bashkë Fitojmë” shprehet i bindur se do të fitojë bashkitë kryesore në vend në zgjedhjet e 14 majit. Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta tha se ky koalicion do të sigurojë edhe shumicën në këshillat bashkiakë të qyteteve.

I pyetur për deklaratën e ambasadores Yuri Kim ku u bëri thirrje qytetarëve të “mos votojnë non gratat”, Meta tha se kandidatët e “Bashkë Fitojmë” do të sjellin pluralizmin në vend pasi përfaqësojnë vlerat e vërteta euro-atlantike.

“Kandidatët e zgjedhur nga opozita përmes procesit më legjitim dhe demokratik që ka njohur Shqipëria jonë e re janë kandidatë që përfaqësojnë vlerat më të mira të qytetarisë që kanë vizionin më të qartë për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore. Janë kandidatë të përkushtuar në rrugën euro-atlantike të Shqipërisë, ndaj edhe do të fitojnë.

Koalicioni jonë është koalicioni që do të vendosë pluralizmin në të gjitha bashkitë. Ne do të rikthejmë transparencës llogaridhënien dhe interesin publik. Opozita synon fitore në qytetet kryesore të vendit, në të gjitha bashkitë ku kandidojmë. Do kemi shumicën dërrmuese në të gjitha këshillat bashkiake të vendit”, tha Meta.

Deklaratat e kryeministrit Rama për rritjen e pagave, Meta i cilësoi si mashtrime të përsëritura ku tha se “Rama kujtohet për qytetarët pak javë para ditës së zgjedhjeve”.

Këto deklarata Meta i bëri, paraditen e 7 prillit, nga selia blu, ku zhvilloi një takim me Sali Berishën, pikërisht për hapat që do ndjekin për fushatën zgjedhore të 14 majit.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›