E Diel, 1 Nëntor 2026

Mosinteresimi i policisë po na çon në vetëgjyqësi

Gazeta Shqip

Zhdukja e ish-policit

Familja, apel për të zhdukurin prej dy javësh, Anton Prendi

Ardian Bushi

Prej 14 ditësh akoma vazhdon të jetë i zhdukur 47-vjeçari Anton Prendi, nga lagjja Demokracia e qytetit të Fushë-Krujës. Familjarët akuzojnë policinë për mosinteresim për gjetjen e tij dhe, sipas tyre, ky mosveprim do ti dërgojë ata në vetëgjyqësi. Ndërkohë, në familjen e ish-policit Anton Prendi, familjarë, por edhe të afërm të tij, vazhdojnë të presin me ankth ndonjë lajm për kryefamiljarin Prendi, babanë e tre fëmijëve, i cili është zhdukur në rrethana misterioze. Vajza e madhe e tij, 18-vjeçarja Rajmonda Prendi, tregon momentet e fundit të ndarjes me të atin dhe si e mësoi zhdukjen e tij. Kurse më rrëqethës në këtë pikëllim është zëri i vajzës më të vogël të Antonit, Xhesikës 7 vjeçe, e cila në çdo moment mban fotografinë e të atit në duar, duke e puthur atë, ndërsa shprehet: Ju lutem më gjeni babin.

Vajza e madhe

Babai është zgjuar rreth orës 06.00 të mëngjesit. E kam përcjellë për në punë në orën 06.30. Ai ishte tepër i qetë dhe nuk kishte asnjë shqetësim sikurse çdo ditë tjetër. Në orën 15.30 dola ta prisja para oborrit të shtëpisë, por nuk u kthye. Ai kurrë nuk vonohej pa na lajmëruar, kështu që u kam telefonuar punëtorëve që punonin me të për ti pyetur për babanë. Por punëtorët më thanë se ai nuk kishte shkuar fare në punë. U habita dhe menjëherë kam lajmëruar mamin, që ndodhej në Tiranë, e cila edhe ajo u shqetësua. Menjëherë kemi filluar të interesohemi, ndërkohë që kam lajmëruar dhe të afërmit e tjerë të familjes. Por që nga ajo ditë e deri më sot nuk kemi marrë asnjë përgjigje, shprehet vajza e ish-policit të zhdukur, Rajmonda Prendi.

Copy of Sokol Prendi Copy of Bashkeshortja e Anton Prendit me dy femijet Anton Prendit 4

Vëllai i ish-policit

Vëllai i Antonit, Sokol Prendi, akuzon policinë për mosinteresim të tyre për gjetjen e të zhdukurit. Madje, ai shprehet se heshtja e policisë po i dërgon familjarët drejt vetëgjyqësisë. Është absurde që policia ka ardhur vetëm një herë në shtëpi, duke na thënë se po vazhdojmë hetimet. Ka 14 ditë që nuk vjen njeri në shtëpi nga strukturat e policisë, për të na thënë qoftë një fjalë shprese. Edhe sikur të kishte humbur një pulë do të ishin interesuar më shumë sesa po interesohen për babanë e tre fëmijëve. Është për të ardhur keq që në këto ditë tepër të vështira, askush qoftë edhe nga pushteti vendor, nuk ka ardhur të na takojë. Kjo është edhe më e çuditshme, kur dihet se vëllai im nuk ka pasur asnjë konflikt dhe ka gëzuar një respekt nga të gjithë. Vetëm ne vazhdojmë me kërkimet, pasi shteti po hesht dhe për ne kjo ka një domethënie. Tashmë ne jemi të detyruar të kryejmë vetëgjyqësi, pasi nuk kemi asnjë rrugë tjetër. Në një rrugë me pak se një km të humbasë njeriu ditën për diell, në një kohë që e gjithë Kruja është e blinduar nga forcat speciale, është e tmerrshme. Nuk e kuptoj si kanë guxim këta politikanë, që na vijnë për votat e nuk na sigurojnë jetën, shprehet Sokol Prendi.

Kushëriri

Një tjetër apel është lëshuar edhe nga i afërmi i Anton Prendit, Artan Murati, i cili bën thirrje që personat që kanë dijeni, të tregojnë të paktën se ku ndodhet trupi i 46-vjeçarit të zhdukur. Sipas Artan Muratit, djali i tezës së Antonit, atyre u është zhdukur njeriu më i mirë i të gjithë fisit të tyre. Unë kërkoj që ata që kanë vënë dorë mbi zhdukjen e kushëririt tonë, nëse kanë kryer ndonjë krim ndaj tij, të paktën të na tregojnë ku ndodhet trupi i tij, të dimë ku ta qajmë. Do të jetë më e rëndë nesër kur të dalë e vërteta, shprehet Murati.

Policia

Anton Prendi u zhduk më 4 gusht 2012, në një rrugicë pranë shtëpisë. Ai mendohet të ketë qenë me biçikletë duke shkuar për në punë, por që deri tani, ai nuk është kthyer në banesë, ndërkohë që nuk ka asnjë gjurmë për të. Dyshimet e para të familjes ngrihen për hakmarrje ndaj Prendit, pasi vëllai i tij, vite më parë, ka kryer një vrasje, për të cilën po vuan dënimin. Por burime të Rajonit të Policisë së Fushë-Krujës shprehen se pista e hakmarrjes ka rënë. Gjithashtu, policia shprehet se janë bërë të gjitha përpjekjet nga ana e tyre për gjetjen e Antonit, por që deri tani nuk është gjetur asnjë gjurmë. Edhe pse rruga që lidh banesën e Anton Prendit me punën, pasi ai punonte te fabrika e tullave në Fushë-Krujë, nuk është as një km e gjatë, policia nuk ka mundur të gjejë asnjë shenjë apo të dhënë për zhdukjen e 47-vjeçarit.

Mosinteresimi i policisë po na çon në vetëgjyqësi burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›