Mosmarrëveshja për statujat e Partenonit, Sunak: Kryeministri grek po tregohet megaloman

Kryeministri britanik, Rishi Sunak ka akuzuar homologun grek për “megalomani”, në lidhje me debatin mes tyre për statujat e Partenonit.
Sunak dhe Kiriakos Mitsotakis do të duhej të zhvillonin një takim ditën e djeshme (28 nëntor), por kryeministri britanik e anuloi pas komenteve të homologut të tij i cili tha se statujat duhej të ktheheshin në Greqi.
Në fjalimin e tij në Parlamentin britanik, Sunak tha se kryeministri grek theu premtimin e tij për të “diskutuar privatisht këtë mosmarrëveshje të gjatë”. Ai u shpreh se ishte “e qartë se qëllimi i takimit nuk do të ishin çështjet e rëndësishme, por rindezja e çështjeve të së kaluarës”.
“Sigurisht, ne jemi gjithmonë të lumtur të diskutojmë tema të rëndësishme thelbësore me aleatët tanë, si trajtimi i migracionit të paligjshëm ose në të vërtetë forcimi i sigurisë sonë. Por, kur ishte e qartë se qëllimi i një takimi nuk ishte të diskutonte çështje thelbësore për të ardhmen, por përkundrazi të risillte çështjet e së kaluarës, ishte e papërshtatshme. Për më tepër, zotime specifike dhe garanci specifike për atë temë që iu bënë këtij vendi, u thyen”, tha Sunak.
Statujat janë një koleksion i thesareve të lashta greke nga Partenoni në Athinë, të cilat u morën dhe u sollën në Mbretërinë e Bashkuar nga diplomati britanik Lord Elgin në fillim të shekullit të 19-të. Ata kanë qenë në Muzeun Britanik që nga viti 1832./ BBC
/rtsh.al/