E Diel, 1 Nëntor 2026

Motër e vëlla në pranga, Policia zbulon parcelë kanabisi në Vaun e Dejës

Një parcelë me bimë narkotike është zbuluar nga Policia në zonën e Vaut të Dejës, ndërsa në pranga kanë përfunduar dy persona, motër e vëlla, të dyshuar për kultivim të lëndëve narkotike.

Sipas njoftimit zyrtar, operacioni policor i koduar “Monitorimi” çoi në zbulimin e një parcele ku ishin kultivuar një numër i konsiderueshëm bimësh dhe fidanësh të dyshuar narkotikë Cannabis Sativa.

Në kuadër të operacionit u arrestuan shtetasit P.P., 33 vjeç, dhe A.P., 43 vjeçe, banues në fshatin Kroni i Madh, të cilët dyshohen si autorë të kultivimit të bimëve narkotike.

Gjatë kontrollit të territorit, shërbimet e Policisë asgjësuan me anë të djegies bimët e zbuluara, ndërsa një pjesë e tyre u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Ndërkohë, në vijim të hetimeve, nisi procedimi në gjendje të lirë për kryeplakun e fshatit Kroni i Madh, D.D., 51 vjeç, si dhe për vrojtuesin e pyjeve, N.G., 56 vjeç. Ata dyshohen për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër për veprime të mëtejshme hetimore.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›