Moti i keq, Vengu mbledh Shtabin e Emergjencave në Lezhë: Situata është stabilizuar, strukturat në gatishmëri

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu zhvilloi një takim me Shtabin e Emergjencave në Lezhë për të analizuar situatën e krijuar nga moti i keq dhe masat që do të merren në orët në vijim.
Menjëherë, pas mbledhjes, Vengu deklaroi se situata mbetet dinamike dhe se strukturat janë në angazhim maksimal.
Ai theksoi se janë kërkuar mjete shtesë, ndërsa Forcat e ushtrisë janë dislokuar në Kurbin, zonën më të prekur nga reshjet, si dhe në Lezhë për t’i paraprirë përkeqësimeve të mundshme. Ndërkohë, ministri thas se po ndërhyhet në tre ura që kanë pësuar dëmtime.
“Kemi bërë një pasqyrë të situatës, sidomos në përgatitjen e një fronti të dytë meteorologjik që presim në vijim. Situata është stabilizuar progresivisht, ka pasur një ndërhyrje nga Bordi i Kullimit në disa argjinatura. Kemi pasur edhe vërshime të përrenjve nga lartësitë, edhe të bashkisë Kurbin dhe njësisë Milot, ku na është dashur të ndërhyjmë pranë banorëve në mënyrë që të mos kemi problematika. Kemi situata ku duhet të vazhdojmë ndërhyrjen me fadroma e eskavatorë, qoftë në zonën e Mamurrasit apo Thumanës. Duam ta rehabilitojmë atë zonë në vijim dhe ndaj duam të dyfishojmë edhe numrin e mjeteve. Ministria e Bujqësisë është e angazhuar maksimalisht në terren. Kemi angazhuar edhe ekipin e FA. Kemi 50 banesa të prekura në zonën e Mamurrasit dhe afërsisht 40 të tjera në njësinë e Milotit, çka e bën bashkinë e Kurbinit më të prekurën në rang vendi. Jemi optimistë se mund ta kalojmë pa vështirësi të mëdha nëse situata meteorologjike mbetet ajo që është parashikuar deri më sot. Do të jetë një mbrëmje dinamike. Fuqia punëtore është në terren dhe do të vazhdojë të jetë në gatishmëri”. tha ministri Vengu.
Në Bashkinë e Lezhës janë evakuuar 4 familje, të strehuara në konviktin e shkollës profesionale. Në lagjen “Sake” disa banesa mbeten të rrezikuara, por ndërhyrja kërkon miratim nga Ministria, pasi zona është e mbrojtur.
Situatë kritike paraqitet edhe në Kallmet, ku rezervuari ka arritur nivelin maksimal. Probleme raportohen edhe në Dragushë e Dajç, ku kanalet e ujërave të larta mund të shkaktojnë përmbytje nëse reshjet vazhdojnë.
Në Kurbin është evakuuar një familje në fshatin Gjorm, ndërsa në Mirditë situata është më e qetë, me rrëshqitje dhe prani inertesh në disa rrugë rurale, ku është ndërhyrë gjatë ditës.
Drejtoria Rajonale e Ujitjes dhe Kullimit njoftoi se hidrovoret po punojnë me kapacitet të plotë dhe pa probleme. Ndërhyrje janë kryer në kanalet kulluese të Kurbinit dhe në ato të Zadrimës për të shmangur përkeqësimin e situatës.
OSHEE raportoi ndërprerje të energjisë mëngjesin e sotëm, por furnizimi është rikthyer pas ndërhyrjeve teknike.
Ndërkohë, Policia e Lezhës ka shtuar patrullat në akset me rrezik për të kufizuar qarkullimin dhe për të siguruar mbarëvajtjen e lëvizjes.
/rtsh.al/