E Hënë, 2 Nëntor 2026

Shpërthimet në linjat hekurudhore-Tusk: Rusia akt sabotazhi ndaj Polonisë

Kryeministri polak Donald Tusk ka bërë të ditur se dy qytetarë ukrainas që punojnë për Rusinë dyshohen se kanë shpërthyer një linjë hekurudhore në Poloni.

Duke folur në Sejm, dhoma e ulët e parlamentit polak, Tusk tha se të dy të dyshuarit kishin bashkëpunuar me shërbimet sekrete ruse për një kohë të gjatë.

Ai tha se identitetet e tyre janë bërë të ditura, por nuk mund të zbulohen për publikun për shkak të hetimeve të vazhdueshme, ndërsa çifti tashmë ka lënë Poloninë.

Tusk e përshkroi shpërthimin në linjën hekurudhore që lidh kryeqytetin e Polonisë, Varshavën, me kufirin me Ukrainën, si një “akt të paprecedentë sabotazhi”.

Kjo linjë hekurudhore po përdoret për të transportuar ndihma për Ukrainën, thanë zyrtarët polakë.

Ata konfirmuan gjithashtu si sabotazh, dëmtimin e linjave të energjisë mbi një segment tjetër të të njëjtës linjë hekurudhore.

Një mbledhje e Komitetit Qeveritar të Sigurisë Kombëtare u zhvillua më herët të martën, me pjesëmarrjen e komandantëve ushtarakë, krerëve të shërbimeve të zbulimit dhe një përfaqësuesi të presidentit.

Patrulla ushtarake janë dërguar për të kontrolluar sigurinë e hekurudhave dhe infrastrukturës kyçe në pjesën lindore të vendit, tha ministri i mbrojtjes.

Prokurorët polakë kanë nisur një hetim për “akte sabotazhi me natyrë terroriste” të drejtuara kundër infrastrukturës hekurudhore dhe të kryera në dobi të zbulimit të huaj.

Në incidentin e parë, një shpërthim dëmtoi binarët pranë fshatit Mika, rreth 100 kilometra juglindje të Varshavës, dhe në një incident të veçantë, linjat e energjisë u shkatërruan në zonën e Pułaëy-t, rreth 50 kilometra nga Lublina.

Trenat që transportonin udhëtarë u detyruan të ndalonin në të dy vendet, por askush nuk u lënduar.

“Shpërthimi ka të ngjarë të ketë qenë i synuar për të shpërthyer trenin”, tha Tusk të hënën në lidhje me incidentin në Mika.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›