E Hënë, 2 Nëntor 2026

Moti i keq, disa fshatra në Shkodër pa energji elektrike! Akset e bllokuara nga bora

Vazhdon moti i keq në Qarkun e Shkodrës. Për shkak të erës së fortë fshatrat në njësinë administrative Shale, Shosh, Pult, Velipojë dhe Gur i Zi kanë probleme me furnizimin me energji elektrike, njofton prefektura e Shkodrës.

Ndërsa, aksi rrugor Kirë- Shosh është i bllokuar. Rruga për në Theth është e kalueshme, por me ngrica. Ndërsa rruga kombëtare Fushë-Arrez-Qafë Mali është pothuajse e pa kalueshme pasi akoma nuk e ka pastruar asnjë mjet borëpastrues.

Njoftimi i plotë

-Nga DRV Shkodër informohemi se akset rrugore që mbulon kjo drejtori janë të qarkullueshme. Në të gjitha akset në zonat malore ka prani të deborës dhe erë të fortë. Kontraktorët janë në gatishmëri me mjete dhe punëtorë për pastrimin dhe kriposjen e rrugëve. Qarkullimi i automjeteve në zonat malore duhet të kryhet me goma dimërore dhe zinxhirë.

-Nga bashkia Shkodër, informohemi se vazhdojnë erërat e forta. Nj.A. Shalë, Shosh, Pult, Velipojë dhe Gur i Zi kanë probleme me furnizimin me energji elektrike. Aksi rrugor Kirë – Shosh është i bllokuar. Rruga për në Theth është e kalueshme, por me ngrica.

-Nga bashkia Malësi e Madhe, deri në këto momente nuk raportohen probleme të EC.

-Nga bashkia e Vaut të Dejës, informohemi se kemi mungesë të furnizimit me energji elektrike në Nj.A. Vau Dejë, Hajmel, Vig Mnele, Temal dhe Shllak. Vazhdojnë erërat me intensitet të lartë. Dy njësitë malore janë të izoluara nga dëbora.

-Nga bashkia Pukë, informohemi se reshjet e borës kanë pushuar, vijon kriposja e rrugëve. Probleme të tjera nuk raportohen deri në këto momente.

-Nga bashkia Fushë Arrëz, informohemi se kanë vazhduar reshjet e deborës gjatë natës së mbrëmshme dhe erërat e fuqishme. Rruga kombëtare Fushë-Arrez-Qafë Mali është pothuajse e pa kalueshme pasi akoma nuk e ka pastruar asnjë mjet borëpastrues. Vazhdon të jetë e bllokuar rruga Bardhët – Iballe dhe kemi probleme për sa i përket furnizimit me energji elektrike në fshatrat e Nj.A. Qafë-Mali dhe Iballe.

-Nga DrUK Lezhë informohemi se rrjeti i kullimit, argjinaturat e diga Shkodër nuk kanë probleme. Nivelet e ujit janë nën kuotat e rrezikut. Hidrovoret kanë pasur ndërprerje energjie elektrike, por pa shkaktuar probleme në nivelet e ujit. Aktualisht janë në funksion dhe në gjendje gatishmërie./vizionplus.tv

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›