Situatë e vështirë në qarkun Dibër, shkolla të mbyllura, fshatra të izoluar dhe mungesë energjie elektrike

Rruga e Arbrit vijon të jetë e bllokuar te bypassi i Murrizit për shkak të pranisë së dëborës dhe ngricave.
Hapja e qarkullimit ka qenë e pamundur edhe pse është punuar gjatë gjithë natës.
Ndërkohë në Dibër dhe Bulqizë janë mbyllur të gjitha shkollat, ndërsa në Mat e Klos janë mbyllur shkollat e fshatrave.
Prefekti i Qarkut Dibër, Nexhbedin Shehu tha se ka patur edhe emergjenca ku tre të rinj kanë mbetur gjithë natën në Qafën e Murrizit, ndërsa një i sëmurë është transportuar nga Ostreni me forcat e Armatosura për në spitalin e Bulqizës.
Në shumë fshatra ka mungesë të energjisë elektrike si pasojë e dëmtimit të rrjetit përcjellës.
Po ashtu, rruga nacionale Peshkopi – Burrel – Ulëz bllokohet herë pas here në zonën e quajtur “Pishat” në Bulqizë si pasojë e erës së fortë që mbush rrugën./vizionplus.tv